Categories
Dokumentarë

Diego Maradona (2019) – Recensim

 “Laji! Laji! Laji me zjarr!
O Vezuvi i madh o, laji me zjarr!”

Koret e ekipeve të Italisë Veriore

Vezuvi nuk kishte shpërthyer për 40 vite, por thirrjet për të shpërthyer vinin nga të gjithë stadiumet e Italisë veriore. Ishte ndoshta mënyra e vetme për të ndalur Diego Armando Maradonën dhe Napolin, të cilët në fushë, përkundër të gjitha ndërhyrjeve shtazarake, koreve raciste në tribuna, dhe presionit mediatik të jashtëm, nuk ndaleshin. Nuk ndalej Maradona!

Asif Kapadia, i cili për neve sportdashësve më parë ka sjellë edhe historinë e Ayrton Senna-s, sjell një portret të plotë për njërin nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit. Si gjithnjë, dokumentari nuk kufizohet vetëm në karrierën e tij profesioniste, por zhytet thellë në jetën e tij private, përfshirë edhe kohët e pjesët më kontroverse të jetës së tij.

“Kur je në fushë, jeta zhduket, problemet zhduken, gjithçka zhduket”

Diego Armando Maradona

Me një koleksion të begatshëm të videove të përzgjedhura nga mbi 500 orë incizime, Kapadia sjell narracionin e figurave kryesore në jetën e Maradonës, duke u përqendruar në historinë e tij kryesisht, por pa lënë anash as mendimet e kundërta të protagonistëve të tjerë, të mirë e të ligë, në jetën e tij. Dhe jeta e tij është një koleksion jo vetëm i kujtimeve të mira.

Nisur nga një fëmijëri e rëndë, nga një shpërthim e ‘pjekje’ e përshpejtuar, vazhduar me një magji në fushë e cila e ktheu deri në një perandor të një regjioni, të një gjysmë-vendi të poshtëruar e nënçmuar edhe sot nga pjesa veriore e ‘qytetëruar’ e Italisë. Në një regjion të pushtuar nga varfëria, mjerimi, dhe mafia, Maradona u kthye në një dritë shprese, në një diell, që nisi një revolucion, rezistenca ndaj të cilit pasi dështoi në fushë, nisi të dalë edhe në sfera tjera të jetës.

“Nuk dua të jem as pasardhës, as Pele i dytë. Thjesht dua të jem Maradona.”

Diego Armando Maradona

Dhe Maradona nuk ishte e as nuk ka pasardhës. Nuk ishte një futbollist ‘modern’ i cili interesohej për imazhin, rejtingun në FIFA20, followersat në rrjetet sociale, apo aprovimin e shumicës. Përkundrazi! Maradona ishte një gjeni futbolli, një njeri i thjesht i cili nën krejt trysninë e jashtme, arriti të shfaq magji në fushën e blertë. Magji e këputur para kohe për arsye bizare, të cilat i privuan futbolldashësve një perëndim të merituar të këtij njeriu që ishte më shumë se futbollist! Këtij perandori që i dha frymë një regjioni të shkretë, i solli titull bote një kombi të zhytur në mjerim, dhe bëri miliona të dashurohen në lojën e bukur të futbollit! Nota personale: 5/5