Categories
Digitroni

Digitroni – RTK F

Në njërën prej episodeve më të mira nga mbi 400 sosh, ajo që adapton tregimin e The Shining në njërën prej ‘TreeHouse of Horror’, Homer Simpson thotë njërën nga fjalitë më të mëdha – Television – Teacher, Mother, Secret Lover!

Televizioni, për mua ka qenë një kuti shumë e dashur. Tashti është një katërkëndësh shumë i dashur, fatkeqësisht pa tentene e orë mbi.

Përkundër s’di sa qindra kolumneve ditore për nja pesë vite, pastaj shkrimeve të ndryshme të botuara nëpër gazeta e portale të ndryshme, angazhimi tek Maniakat, edhe në fusha tjera, por mbi të gjitha regresi në cilësinë e programeve televizive vendore, më pati ftohur nga shkrime për TV.

Tashti, regresi veç ka vazhduar, duke puthitur baltën, dhe ka nisur të merret si diçka normale. E di që do të shkojnë në vesh të shurdhër këto kolumna, të cilat shpresoj t’i bëj së paku një herë në javë – të martave ose të enjteve, por së paku do të provoj të jem zë i atyre që janë të detyruar të pajtohen me ‘kryevepra’ të televizioneve tona.

E padyshim, televizioni më i madh tek ne, është makina propaganduese e trushpëlarëse më e madhja jo vetëm në Ballkan.

Në diçka që i ngjan televizioneve publike në vendet diktatore – RTS i Millosheviqit ka qenë deri diku ndoshta më i butë – RTK-ja merr një formë nënshtruese ndaj pushtetit, duke bërë edhe ato që vet ata nuk bëjnë.

Së fundmi, ka nisur një ide nga komisioni gjegjës në Kuvendin e Kosovës për financimin e RTK-së nga pagesa për transmetuesin publik.

Derisa kjo taksë është një zakon i natyrshëm në vendet e Bashkimit Evropian, edhe përgjegjësia është me standarde evropiane aty.

RTK, as për cilësi as për menaxhim nuk mund të krahasohet me asnjërin nga transmetuesit publik evropian. Do të mund të konsiderohej me televizionin gjerman gjatë Rajhut të Tretë, mirëpo nuk dua të supozoj për pavarësinë redaktuese që kanë mundur të ketë atëbotë transmetuesi publik gjerman.

Nga po i njëjti komision janë dhënë dy modele si opsion – ai suedez nga Milaim Zeka i cili ndoshta edhe flamurin do ta bënte suedez po t’i jepej mundësia; dhe ai slloven. Derisa ky i dyti mund të arsyetohet se kinse jemi të afërt, e që s’jemi aspak, ai suedez është punë hajgare!

Opsioni më i mirë do të ishte ai grek, apo ai izraelit.

Që të dyja vendet kanë falimentuar transmetuesin publik, sa për politika të redaksisë sa për vështirësi financiare. Kanë nisur nga fillimi. Hap pas hapi.

E njëjta duhet të ndodh edhe me RTK-në.

Niveli i pagave, përgjegjësia e punonjësve, servilizmi i redaksisë, janë aq të mëdha sa është e pamundur të sanohet ky zullum.

Falimentimi, s’do ta linte Kosovën pa transmetues publik.

Do të krijoj një trup i ri informativ, që do të përshtatej me inovacionin teknologjik, me një grup gazetarësh që dinë të përdorin teknologjinë më shumë se makinat e shkrimit, dhe të cilët nuk kanë të trashëguar servilizmin.

Nivelizimi i pagave, numri shumë më i arsyeshëm i punëtorëve, si dhe hapja e një divizioni prodhues që s’do të linte hapësirë për blerjen e produksioneve të jashtme që janë edhe mënyra më e mirë për keqpërdorimin e parasë publike nga vet menaxhmenti, do të ishin anët tjera pozitive.

Nuk do të ndërpritej transmetimi as edhe për tri ditë. Edhe po të ndërpritej ka sa të duash kanale tjera.

Punëtorët aktual do të rimbursoheshin për 6 muajt e mbetur, derisa do të mund të konkurronin përsëri. Menaxhmenti le të bëj punën e PR për ata për të cilët e kanë bërë deri tani.

Falimentimi i RTK-së, likuidimi është gjëja më e mirë që do t’i mund t’i ndodhte kosovarëve që nga hyrja e NATO-s. As Pavarësia s’do të kishte një dobi kaq të madhe.