Categories
TV Reviews

Dollface – Sezoni 1 (pa spoilera)

Karakteri që Kat Dennings luante tek ‘2 Broke Girls’ si një vajzë që nuk mërzitej për asgjë, më ka bërë të provojë edhe këtë seri që nuk është në të njëjtin zhanër sikur komedia e kaluar.

Tek ‘Dollface’, Kat Dennings luan rolin e Xhullës, e cila pasi ndahet nga i dashuri i saj, provon të rilidhet me shoqërinë e saj të humbur me kalimin e kohës. Dhe kjo shoqëri, shumica janë vajza snobe, ‘posh’ të cilat na shkojnë nerva sikur neve ashtu edhe Xhullësit. Por, kjo vlen vetëm për episodet e para, pasi treshja e shoqeve të saja – Madison, Stella, e Izi, do të kalojnë në anën tonë të preferuar.

Por, nuk do të thosha të njëjtën edhe për Zonjën Mace. Dhe kjo është pjesa më e çuditshme e serisë, e cila qysh në fillim më ka bërë të shqyrtojë idenë për të mos vazhduar më shumë se një episod.

Me tu ndarë nga i dashuri, Xhullës takon një mace, e cila fillimisht vozitë autobusin, e pastaj i shfaqet asaj në gati çdo pjesë të jetës, në çdo episod. Kjo më kujtonte ‘Wilfred’-in me Elijah Wood, por këtu macja nuk ishte shoqja e vetme e karakterit kryesor.

‘Dollface’ është nga ato komeditë ‘serioze’, pa të qeshura, dedikuar kryesisht gjinisë femërore, por assesi e kufizuar vetëm në këtë demografi. Aq më pak për fansat e ‘2 Broke Girls’, kujtimet e së cilës seri nuk do të preken, nuk do të prishen, e fatkeqësisht as ringjallen me këtë sezon.

Seria do të kthehet për së paku edhe një sezon, për të cilin nuk di unë a do të kthehem. Sidoqoftë, ky sezon ishte një argëtim sekondar i lezetshëm, pesë orë të kaluara hareshëm, assesi të humbura. Nota personale: 3/5