Pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua, thonë!
Livia Drusilla qëndron mbrapa të gjithë perandorëve të dinastisë Jul-Klaudiane, nga gruaja e Oktavianit deri te gjyshja e Neros!
Por, në dy sezonet e para të Domina, kemi vitet e para të jetës së Livias dhe ngjitjen e saj në fuqi deri te gruaja e Oktavianit, duke lënë goxha shumë hapësirë për të mbuluar në sezonet pasuese, të cilat shpresoj të konfirmohen sa më parë!
Aktorët në serinë Domina, që është prodhim anglo-italian i kanaleve Sky Atlantic, janë goxha ‘anonim’ për shumicën. Kasia Smutniak vjen në rolin e Livia, Claire Forlani (Meet Joe Black) në rolin e Oktavisë, Liam Cunningham (Davos i Game of Thrones), dhe Isabella Rossellini janë ndër emrat më të njohur që mund t’i keni parë më herët.
Tjerët janë kryesisht aktorë të rinj, pa shumë përvojë në ekran, të cilët në dy sezonet e para me zhvillimin e ngjarjeve kalojnë si role episodike.
Por, aktrimi mbetet në plan të dytë me skenarin që sjellë intrigat, prapaskenat, dhe botën e panjohur të Perandorisë Romake në vigjilje të një ndryshimi politik, ku gjithçka duket se komandohet nga një grua, gjithnjë në hije.
Kjo është Livia që merr karakterin e njërës nga politikanet më të zgjuara, jo vetëm në atë periudhë. Është një seri e mbushur me kthesa, të papritura, që e bën dramën të pushtohet nga trileri pothuajse në çdo episod.
Sezoni i parë mund të marrë kohë me familjarizim me karakteret dhe krejt emrat e historisë, por pas dy-tri episodeve vetëm do të jeni në rrjedhë të ngjarjeve. Dhe kjo e bën sezonin e dytë edhe më të mirë. Tashmë dihen qëllimet, loja, dhe lojtarët, veçse nuk dihen ngjarjet, edhe nëse keni njohuri paraprake për këtë periudhë historike.
‘Domina’ sjell detaje që pos studiuesit e historisë do të mund të dinë, dhe kjo e bën ndër seritë më të mira të realizuara. E pos skenarit, pjesa teknike me krejt kontrastin e ngjarjeve e bën serinë të shkëlqyeshme. Nota personale: 5/5