Categories
Sport

Drama e Superligës

Ishte një lehtësim komunikimi i së dielës nga 12 ‘gjigantët’ e futbollit evropian, përfshirë AC Milanin tim që gati dhjetë vite nuk mund të ngjitet në mesin e katër ekipeve më të mira në Serie A, e tani është ndër 12 më të mirat në Evropë!

Tensioni i ndërtuar me vite, më në fund shpërtheu, dhe në kohën më të duhur, sidomos për UEFA-n, Federatat Kombëtare, dhe Ligat.

Për planet sigurisht keni lexuar shumë herë deri tani, nga ‘gazetarët’ tanë ndonjë shaka të pakripë sepse nuk dinë të analizojnë diçka me objektivitet apo detaje! Prandaj mund të hasni në një ‘përkrahje’ e cila shpjegohet më mirë nëse shohim ndërtimin e tyre psikologjik!

Çka tani?

Superliga po arsyetohet që pandemia i ka dëmtuar dhe shtyrë drejt një vendimi të këtillë!

Nuk pajtohem me këtë!

Mungesa e tifozëve i ka dëmtuar dhe shtyrë drejt një vendimi të këtillë. Dhe me fansat kryesisht kundër, Superliga do të dështojë në rast të një bojkotimi eventual. Njëkohësisht, çmimet e fryra të biletave në Angli, do të fryhen edhe më shumë duke shtyrë edhe më larg tifozët, e njëjtë edhe shikuesit eventual të cilët do të duhej të paguajnë më shtrenjtë për të parë këto ndeshje.

Absolutisht çmimet do të rriten sepse do të kemi ‘futboll më cilësor’. Kjo neve nuk na prek sepse tek ne shumica shikojmë ‘ilegalisht’ këto gara, sepse shumica e komentatorëve janë të tmerrshëm.

Përjashtimi nga ligat

Me vetëm 18 ndeshje të garantuara në vit, numri i të hyrave nga shikuesit do të bie së paku trefish.

Opsioni është të shtohen ekipet tjera në ligë, por kush do të pranojë të vijë, pos nëse është ndonjë ekip nga MLS apo Kina! Nëse kjo ndodh, bie cilësia e ligës automatikisht.

Superliga nuk ka ‘gjerësi’!

Përjashtimi i lojtarëve

Të luash për ekip dhe të luash për kombëtare ka dallim. Nëse të mohohet të luash për kombëtaren tënde dhe je i ngujuar në të njëjtën garë me vite, atëherë humb edhe ai ‘ngazëllimi’ për të luajtur futboll. Për ‘disa milion’ më pak, mund të kesh të gjitha!

Avantazh për UEFA-n dhe ligat

UEFA ka bërë koncesione të mjaftueshme gjithë këto vite. Tashti kanë nxjerrë kartat dhe le të luajnë!

Qysh sot, një ditë pas kumtesës zyrtare UEFA duhet të mbyllë Ligën e Kampionëve me PSG fitues, derisa Europa League të zhvillohet ndërmjet Villarreal dhe Roma. Fituesi i kësaj ndeshjeje të luaj në datën e finales së Ligës së Kampionëve, por për Superkupën e Evropës.

Ligat të përjashtojnë të 12 ekipet nga kampionati aktual menjëherë, dhe të vazhdojnë garën ekipet tjera!

E tepruar?

Nuk kanë çfarë të humbin sot, kur edhe ashtu kanë humbur nga pandemia dhe situata e krijuar!

Cikli i të drejtave televizive për garat evropiane dhe ligat kombëtare nis me sezonin e ardhshëm, dhe shumica e kontratave mund të ri-negociohen.

Konsekuencat

Çfarëdo veprimi i ‘matur’ dhe ‘konstruktiv’ nga UEFA e ligat do të lëndonte edhe më shumë ato. Kësaj radhe kanë kartat e fitores në duar, dhe sigurisht është një lojë e rrezikshme, por kanë aleatë në PSG, ligën gjermane, dhe krejt botën e futbollit!

Rezultati më ‘normal’

UEFA duhet të bëjë këta hapa duke marrë parasysh të ardhmen pas dhjetë viteve. Nëse vazhdojnë lëshimet, ekipet vetëm sa do të mbledhin municion për një ‘tentim-ikje’ të radhës.

Njëjtë ka pësuar FIBA kur ka lejuar organizimin e Euroligës në basketbollt, duke ju dhënë edhe Eurocup. Kur ka ndodhur ikja e Euroligës, FIBA ka mbetur ma garën e tretë të basketbollit në Evropë – Ligën e Kampionëve!

Nëse Liga e Kampionëve bëhet joint-venture ndërmjet këtyre 12 ekipeve dhe UEFA-s, atëherë UEFA do të mbetet jashtë pas 10 viteve, apo kurdo që dëshirojnë ekipet të ikin!

Do të fitojnë kohë, kapital, dhe përkrahje.

Zgjidhja më e mundur duket piramida e re në futboll:

Superliga – 15 ekipe të përhershme + 7 ekipe tjera (kampionët e Top5 vendeve + fituesit e Champions League dhe Europa League)

Champions League – mbetet me ekipet e mbetura nga Top5 ligat + kampionët e Evropës, me gjasë me tkurrje dhe ndryshim formati.

Europa League – mbetet gara e tretë, pak më e lënduar.

FIFA organizon Botërorin e Klubeve duke marrë një pjesë të ajkës së të hyrave nga garat ekipore, diçka që ju mungon deri tani!

Çfarëdo kompromisi që arrihet nuk do të varrosë idenë e Superligës për të ardhmen. Mund ta shtyjë, nëse UEFA dhe ligat nuk bëjnë lëshime dhe marrin hapat e duhur.

E kompromisi mund të vazhdojë me muaj e vite, sepse nga kjo nuk ka kthim mbrapa.