Tri ngjarje për këtë fundjavë. Ndeshjet kualifikuese për kampionatin evropian, Formula 1, dhe finalja e kampionatit botëror në volejboll.
Në kuadër të ditës së tretë të kualifikimeve do të jenë disa ndeshje goxha interesante, përfshirë edhe atë të kombëtares së Shqipërisë, që pret Bosnjë e Hercegovinën, e cila kohëve të fundit është kthyer në një kombëtare që ka prishur planet kombëtareve të mëdha. Sidoqoftë Franca ishte më e fortë se ata herën e fundit, por kualifikimet janë vetëm në fillim.
Shqipëria në këtë ndeshje do të futet pa selektorin Josip Kuzhe, i cili na ndihmoi të fitojmë 4 pikë në dy ndeshjet e para. Mungesa e tij për mendimin tim është një hendikep i madh. Kjo vjen në ndeshjen më të rëndësishme të këtyre kualifikimeve. Tri pikë në këtë ndeshje na ngjallin vërtetë shpresa. Gjithçka tjetër për mendimin tim, pos fitores, është humbje dhe shkatërrim shpresash për një kualifikim nga ëndrrat. Fitorja ndaj BeH do të ishte edhe një moral shtesë për skuadrën para udhëtimit në Minsk. Sidoqoftë 4 pikë nga këto 2 ndeshje na nevojiten gjithsesi, para pushimit kohëgjatë. Na duhen të fitojmë sa më shumë pikë në fillim të kualifikimeve, pasi dy ndeshjet e fundit të ciklit kualifikues udhëtojmë në Francë (7 tetor 2011) dhe presim Rumaninë (11tetor 2011).
Në dy ndeshjet tjera kualifikuese të grupit D, Luksemburgu pret Bjellorusinë, ndërsa Franca Rumaninë.
Sidoqoftë në grupin A, pritet të zhvillohet njëra nga ndeshjet më intersante. Në Berlin ndeshen Gjermania dhe Turqia. Do të jetë një reprizë e ndeshjes gjysmëfinale të Euro 2008. Turqia luan pa Arda Turanin e lënduar, dhe në një mënyrë mund të jetë e hendikepuar. Austria pret Azerbajxhanin, ndërsa Kazakstani – Belgjikën.
Në grupin B, Armenia pret Sllovakinë, Andorra – Maqedoninë, që herën e kaluar barazoi befasisht me Armeninë, dhe atë në kohën shtesë. Ndeshje shumë ngazëllyese pritet të jetë ajo ndërmjet Irlandës dhe Rusisë. Për disa arsye mendoj se Irlanda më në fund do të kualifikohet në një garë të madhe futbollistike. Kjo është java më e rëndësishme për irlandezët. Pas Rusisë ata do të shkojnë në Sllovaki ku do të shohim aftësitë e tyre të vërteta.
Edhe Irlanda tjetër, ajo Veriore, këtë javë pret ish-kampionen e botës, Italinë. Irlanda Veriore shumë lehtë mund të përfundojë në pozitën e dytë në grup që shpie në play-off, edhe pse grupi C është më i përzieri deri tani. Aty kemi Italinë, Serbinë, Slloveninë dhe Irlandën Veriore. Të katër skuadrat janë pretendente për pozitat e para.
Në grupin E, janë dy ndeshje që konsiderohen të përfunduara para se të fillojnë. Hungaria pret San Marinon, ndërsa Holanda udhëton në Molldavi. Më intereson se sa gola do të shënojë Huntelar, i cili në kampionatin botëror nuk u aktivizua fare, ndërsa në dy ndeshjet e para ka shënuar 5 gola. Gjithmonë kam patur bindjen se ai është sulmuesi më i mirë holandez për momentin.
Edhe në grupin F nuk ka ndeshje shumë interesante. Më interesantja është ajo ku Izraeli pret Kroacinë. Greqia mund të befasohet ndoshta nga Letonia, ndërsa Gjeorgjia pret Malltën.
Në grupin G, Mali i Zi kërkon fitoren që do ti motivojë para ndeshjes me Anglinë, që për momentin duket të jenë të vetmit konkurrentë të “tre luanëve”. Malazezët kanë po aq pika sa Anglia, pas dy fitoreve, veçanërisht asaj ndaj Bullgarisë në Sofje. Uellsi pret Bullgarinë. Anglia pushon.
Ndeshje të baraspeshuara pritet të jenë ato të grupit H. Portugalia kërkon fitoren e parë ndaj Danimarkës, ndërsa nëse Norvegjia fiton ndaj Qipros, e cila ka barazuar me Portugalinë si mysafire, atëherë norvegjezët do të kenë jnë përparësi mjaftë të lartë.
Hiç më qartë nuk do të jetë në grupin I. Çekia do të mundohet mos të përsërisë gabimin ndaj Lituanisë, kundër Skocisë. Ndërsa Lituania do të mundohet të dëshmojë se nuk ka qenë befasi fitorja e saj në Çeki, dhe do të provojë të kthehet me së paku një pikë nga Spanja, kampione aktuale e Botës dhe Evropës.
Në Formula 1 akoma nuk dihet sa gara do të jenë deri në fund të sezonit. Ajo çfarë është e sigurt se minimum 3 gara janë të sigurta. Për momentin! Pas dy fitoreve të Alonsos në Itali dhe Singapor, gara e ardhshme është në Japoni.
Gara për shpërblimin e madh të Japonisë mbahet në shtegun e Suzukas këtë fundjavë. Stërvitjet e para janë të premten në mëngjes, ashtu siç do të jenë kualfikimet të shtunën, dhe gara të dielën në mëngjes, ora 8 nëse nuk gabohem.
Tani si qëndrojnë gjërat Ueber është afër titullit, ka 11 pikë para Alonsos, por dy fitoret e tij kanë filluar të brengosin pilotët e Red Bull dhe MekLaren. Hamillton ka mbetur mbrapa pas daljes nga shtegu herën e kaluar, dhe tani është 9 pikë pas Alonsos, dhe 1 pikë para Fetelit. Favoriti im, Xhenson Baton, është 25 pikë larg Ueber, dhe shpresat e tij për titull pothuajse janë shterur. Pas kësaj gare shumëçka do të sqarohet, por mendoj se vetëm Ueber mund të ndal dominimin e Alonsos me Ferrari.
Këtë fundjavë zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e kampionatit botërorë në volejboll për meshkuj. Në ndeshjet gjysmëfinale të shtunën ndeshen Serbia – Kuba, dhe Italia – Brazili. Pikërisht në ndeshjen e dytë duhet të kërkojmë kampionin e ri botëror.
Të enjten mbrëma ka filluar liga më e fortë në botë e hokejit mbi akull, NHL, ndërsa javën e ardhshme fillon edhe Euroliga në basketboll.
Sezoni dimëror dalë nga dalë po vjen.
Luan Morina
Kolumninst i rregullt për Shqipmedia