Categories
Filma

Driving Miss Daisy (1989) – Recensim

A e keni vërejtur disi se pleqtë tek ne janë më të plakur se në vendet perëndimore?!

Paramendojeni një plakë 72 vjeçare të vozit veturën e saj në vitin 2020 në vendin tonë! Ofendimet të cilat do t’i merrte nga shoferët tjerë do të jenë shumëfish më të mëdha se që merr çdo femër që vozit veturë, sepse ‘gratë nuk janë shofere’!

Zonjusha Deizi, një mësuese pensioniste një ditë të vitit 1948 futet me veturën e saj në oborrin e fqinjit. Pas këtij aksidenti, i biri i saj, Buli, i blen një veturë të re, por i sjell edhe një shofer.

Për çdo afrikano-amerikan Gjeorgjia e vitit 1948, gati sikur sot, është një ferr racist. Racizmi nuk mungon as tek zonjusha Deizi e cila e ka problem të pranojë shoferin afrikano-amerikan në jetën e saj të përditshme, ani pse tashmë ka një ndihmëse të kësaj race, Idellën.

Por, në 90 minutat në vazhdim, lidhja e tyre profesionale do të kalojë nëpër stade të ndryshme, gjersa të dytë zbulojnë botën e njëri-tjetrit.

Në rolin e shoferit vjen Morgan Freeman, i cili ka një paraqitje të zakonshme për të. I dashur, i këndshëm, i butë, ashtu siç e njohim të gjithë. Jessica Tandy vjen në rolin e zonjushës Deizi, me një paraqitje që i siguron Oskarin e vetëm në karrierë. Harmonia e tyre skenike me karaktere në pole të kundërta e bën filmin një produkt të veçantë për kohën kur kishte dalë të jetë sukses edhe komercial edhe artistik, me Oskarin për filmin më të mirë kundrejt filmave si Dead Poets Society e Field of Dreams.

Sot, ka prej atyre që e vendosin në 20shen e fundit të filmave që kanë fituar Oskar. Personalisht nuk pajtohem me një vlerësim të tillë. Përkundrazi, ‘Driving Miss Daisy’ është një dramë e këndshme me dy aktorë që jetësojnë karaktere që me çdo minutë që kalon na bëjnë t’i duam edhe më shumë. Nota personale: 4/5