Harmonia e Jim Carrey dhe Jeff Daniels tek filmi i parë i ‘dy budallenjve’ ka qenë mjeshtri artistike. Jo pa arsye ka korrur suksesin e atëhershëm, dhe kohë pas kohe ka zgjuar etjen e Farrelly-ve për vazhdimin e këtij filmi. Megjithatë, ‘To’ nuk i afrohet origjinalit, për shumë arsye.
Derisa Harry edhe Lloyd si karaktere akoma kanë naftë në rezervuarin e tyre (edhe për një film të tretë) pjesa tjetër e filmit është pak a shumë e kot, bërllok. Nisim nga skenari që më shumë se që ka qenë e nevojshme i është dorëzuar trendit të komedive banale. Filmi nuk është i mbushur me të, por është më shumë se që prisja, është më tepër së që do të ishte sasi normale. Ka skena të pështira, të fëlliqura pa të cilat do të mund të mbijetonte filmi. Thjesht është devijim prej komedisë që ka mund ta ofronte fund e krye.
Ngjarja nis njëzet vjet pas aventurës tyre të parë. Lloyd është i paralizuar dhe Harry kujdeset për të, që njëzet vite. Por, tashti Harry ka nevojë për një veshkë të re. E si donatore për veshkë shihet e bija e tij e cila është dhënë për adoptim. Këtu nis një aventurë e re Harryt dhe Lloydit që ka momente interesante, komike, që rezultojnë me të qeshura, ama nuk është as për së afërmi me aventurën e tyre të parë.
Në rolet dytësore vijnë një grup aktorësh nën-mesatare të papërshtatshëm me nivelin artistik të Jim Carrey e Jeff Daniels. Filmi do të kishte qenë shumë më i mirë pa këta aktorë dytësor të cilët as me një skenar më të mirë s’do të shpëtonin filmin në aspektin kreativ. Skenaristët komplikojnë pa nevojë filmin duke provuar ta bëjnë më komik. Për mua, në këtë aspekt dështojnë me të madhe.
Është mirë të shohim Jeff Danielsin e Jim Carrey në një aventurë të këtillë së bashku. Por, ata janë plakur, kohërat bashkë me komedinë kanë ndryshuar. Për këtë, ky film mëzi mund të merr një notë kaluese. Nota personale: 2/5