Denis Villeneuve ka sjellë para syve tanë filmin më të bukur të vitit. Dune është filmi që të kënaqë vizualisht, por edhe me anë të rrëfimit të historisë hap pas hapi, që nga fillimi deri në finalen e atë që është pjesa e parë e kësaj historie magjepsëse.
Filmi merr formën finale të përkryer edhe falë kolonës zanore që shfaqet qysh në skenën e parë.
Dune sjellë historinë e një familje të ndershme që për të kënaqur kërkesat e perandorisë merr nën mbikëqyrje një planetë të rëndësishme të galaktikës, por të populluar me banorë vendas rebel.
Derisa ky vendim duket të ketë plane tjera pas perdeve, i biri i kësaj familjeje, Poll Atredis sheh vizione nga e ardhmja që trazojnë sektin mistik të nënës së tij, Xhesikës.
Historia shtjellohet për merak nga Villeneuve, Jon Spaihts (i njohur për zhanër të ngjashëm) dhe Eric Roth. Ndonëse i bazuar në një seri voluminoze të librave, tregimi ofron gjithçka që na nevojitet neve si shikues që nuk kanë kurrfarë njohurie paraprake me Dune.
Pjesa teknike është madhështore.
Për pjesën më të madhe të filmit na lë pa fjalë, dhe zor që mund të gjejmë ndonjë moment zhgënjyes.
Timothee Chalamet vjen në rolin e Pollit, të birit të karaktereve të Rebecca Ferguson e Oscar Isaac. Është një harmoni e këndshme e këtyre dyve me të birin e tyre, sidomos lidhja nënë-bir që ka një fillim shumë me tension.
Josh Borlin, Jason Momoa, Stephen McKinley Henderson, e Stellan Skarsgard vijnë në rolet tjera duke kontribuar në masë të caktuar në zhvillimin e historisë. E pjesën e saj në të kanë edhe Zendaya e Javier Bardem.
Është një kast i pasur i aktorëve që kryejnë një punë të mirë që përshtatet me anën më të mirë të filmit – atë teknike. Është një punë mbresëlënëse që më shton apetitin për pjesën e dytë.
Dune: Pjesa e parë është ndër filmat më të mirë të vitit, një gërshetim i përkryer i pjesës artistike dhe asaj teknike. Është një art madhështor. Nota personale: 5/5