Categories
Journal

E bardhë…

Ka diçka tek një pjesë e vajzave. Janë një grup i veçantë, me një veti që komentohet në shumë mënyra. Dikush e sheh si shenjë të përtacisë, dikush të moskujdesit personal, dikush anarki ndaj sistemit paragjykues për gjininë e bukur. Unë e shoh si guxim, trimëri. E guximi i njeriut matet në shumë mënyra. Dikush e mat me pushkë, dikush me fjalë. Dikujt nuk i nevojitet as njëra as tjetra.

Mjafton një përshëndetje me shtrëngim duarsh ta njohësh njeriun. Në fakt edhe kjo është e tepërt. Karakteri i një njeriut nuk pasqyrohet medoemos nga shtrëngimi. Jo patjetër një shtrëngim i fortë tregon karakter të fortë. Krejt e kundërta në fakt. Së paku për mua.

Duart e saja i rezistojnë ftohtit. Derisa hunda e saj e njomë, bashkë me faqet e bukura janë skuqur nga i ftohti, duart janë imune ndaj të ftohtit. Në fakt mund të shohësh në detaje edhe damarët e kaltër që i shënjohen në shpinën e dorës në gishtin e të cilës mban një unazë të hollë të thjeshtë. Ndoshta këtë e mban si një mburojë për zemrën e saj e cila duket si e zhveshur nga mungesa e ngjyrës në thonjtë e saj.

Nuk lyen thonjtë. I ka ashtu me ngjyrë origjinale, që megjithatë nuk ngjan në të gjithë thonjtë. Duken të fortë, jo të gjatë, jo të kafshuar. Janë të përkryer, derisa në vend të reflektimit mund të shohësh ngjyrën e lehtë rozë nën ta që reflekton lëkurën e butë. Të butë sikur zemrën, sikur zërin, sikur duart e saja.

Nuk janë të buta si mëndafsh, nuk janë të buta as si tul buke. Janë të buta sikur duart e saja. Ashtu, një butësi e veçantë, të cilën çdo herë kur e tok të duket sikur prek një pjesë parajse të arratisur në këtë jetë. Nuk e mohoj, do të ishte parajsë mbajtja e duarve të saja. Shtrëngimi i butë i tyre. Nuhatja, puthja, e edhe vetëm shikimi i tyre.

Thonë që një fotografi vlen sa një mijë fjalë. Ama një prekje e majit të gishtit vlen sa një mijë fotografi. Disa gjëra nuk mund të pikturohen e as të shkruhen. Disa gjëra ndjehen. Ashtu zemra kap një ritëm të veçantë, të papërsëritshëm. Një ritëm që mund ta ndjen vetëm nëse vë dorën mbi të. Është momenti kur shqisat ndërrojnë funksione. E dëgjon, e ndien, e nuhat, e sheh, e shijon atë ritëm me vetëm një prekje. E kur të pesë ndjenjat orkestrojnë të njëjtin ritëm, atëherë mund të definosh ndjenjën e…

p.s. edhe ky shkrim, si krejt shkrimet tjera (s)osht për Alicia Vikander, të cilën mundeni me pa n’shumë filma tu nis prej Ex-Machina e deri te The Man from U.N.C.L.E.