Categories
lomsh

E hënë, mëngjes! – 30 gusht 2010

Çka do të bëj Reali nëse dështon sivjet?! Murinjo shihet si shpresa e fundit për skuadrën mbretërore që këtë vit ka investuar në lojtarë të rinj. Ndeshja e parë nuk dha shumë shpresa për sukses të kësaj skuadre. Në rregull, Majorka është dorështrënguar në terren të vet, por është Reali. Reali i zhytur në borxhe deri në fyt, që nuk ka fituar tituj përkundër gjithë atyre investime dhe që gjendej në kapelën e dytë të shortit për Ligën e Kampionve. Dhe tani që nga xhiroja e parë duhet te ndjekin Barcelonën e cila po vazhdon me të vjetrën. Kësaj skuadre cilido prej lojtarëve ti largohet nuk do ti prish punë. U largua Ibrahimoviç. Çka ka lidhje?! Nëse vitin e ardhshëm largohet Mesi, përsëri s’do të ketë probleme?! Pa marrë parasysh si ju duket njerëzve, kjo skuadër është tamam skuadër. Me rëndësi është mos të largohen dy apo më shumë veta në një kohë. Edhe pse është shumë larg fundi, në fillim po duket se do të kemi të njëjtin muhabet, Reali do të ndjek Barcën edhe këtë vit.

Milani ka befasuar të gjithë. Vetëm transferimi i Ibrahimoviçit, pa luajtur fare ka ngjallur skuadrën e Milanit. Është e njëjta skuadër si vitin e kaluar, por më e motivuar. Jo pak ndikim në këtë ka pasur trajneri Masimiliano Allegri. Vërtetë ishte Leçe, dhe Milanin do ta shohim pas disa javëve kur do të luaj me skuadra si Lacio e Okserr, por deri atëherë Milanistët do të kenë për çka të jenë të gëzuar. Interesant është fakti se si bën pazar Galliani, por është për tu admiruar. Barcelona bleu Ibrahimoviçin për 40 milionë euro dhe Samjuel Eton. Dhe tani e jep një vit huazim falas, dhe pas një viti do të përfitojë 24 milionë nga Milan. Është për gjynah të humbasësh gjithë ato para. Barcelona transferoi Havier Maskeranon, një zëvëndësim ideal për Jaja Turen. Më herë kanë blerë edhe Vilan, dhe ndoshta ju mungon vetëm edhe një qendërmbrojtës, megjithatë bën edhe pa atë.

Juventusi vazhdoi të huazojë italian. I fundit është Kualjarela. Por, megjithë ato transfere ata humbën nga Bari. Edhe Roma dështoi ndaj Sienas. Ndërsa Inter nuk ishte kërkah ndaj Atletikos. Ka shkuar Murinjo, futbollistët kanë fituar gjithçka, dhe vështirë është të motivohen. Benitez do ta ketë shumë vështirë të menaxhojë një skuadër pas Murinjos. Pikëpamjet e tyre ndryshojnë krejtësisht. Disiplina e Murinjos është shumë rigoroze dhe më shumë ju përshtatet futbollistëve të Interit. Githashtu mungesa në transfere do të ju kushtojë shumë nero-axurëve.

Dështimet e javës janë Volfsburg, që humbi nga Mainci 4:3, dhe pse udhëhiqte 3:0. Totenhem, që u mposht nga Uigan, Siti nga Sanderlend, Bajern nga Kaiserslautern, dhe gati të gjithë favoritët në Bundesliga. Mbi të gjitha Reali.

Në Formula 1, Hamilton dhe Ueber janë shmangur nga kolegët e tyre, Baton dhe Fetel. Ferrari ngeci në Belgjikë. Alonso nuk besoj se do të kthehet në formën e tij të kampionit. Nervozizmi i tij e la pa pikë në këtë garë. Megjithatë unë akoma besoj në një rikthim të Batonit në krye, ose fitore të Ueberit. Hamilton nuk është një vozitës i sigurt që garanton sukses në çdo garë. Edhe fitorja e tij në Spa ishte krejt falë fatit që kishte. Interesant fakti që MekLaren udhëheqë vetëm për një pikë ndaj Red Bull.

Dy ditët e para në kampionati botëror në basketboll kaluan nën dominimin amerikan. Edhe pse skuadra e tyre mund të jetë e katërta apo e pesta për cilësinë e basketbollistëve, ata mposhtën kroatët dhe sllovenët me mbi 20 pikë diferencë. Më keq pritet të kalojnë Tunizia dhe Irani. Brazili mund të bëj ballë që të mos humb me më shumë se 20 pikë. Kjo do të mbetet qëllimi i kundërshtarëve të amerikanëve të cilët udhëhiqen nga Kevin Durant dhe Lamar Odom të pandalshëm.

Shumë skuadra kanë mungesë të yjeve kryesore. Gjermanët janë pa Novickin, megjithatë mposhtën Serbinë që sipas zakonit është e favorizuar. Ndërsa spanjollët, po kanë probleme pa Po Gasolin dhe humbjen e parë e pësuan nga Franca që këtë vit mund të arrijë lart. Mungesa e Gjinobilit tek Argjentina akoma nuk po vërehet, ndërsa Turqia ka fituar furishëm. Dy skuadra “luftarake”, kanë filluar kampionatin mirë. Grekët kanë dy fitore, dhe tani do të kenë kundërshtarin e parë serioz, Turqia. Serbët humbën nga gjermanët e pafavorizuar. Mirë që organizatorët kanë larguar karrigët afër fushës, pasi që do të jetë arma rezervë për këto dy skuadra.

Ka filluar gara e tretë kryesore e çiklizmit, Vuelta. Favoritët kryesorë për mendimin tim janë vëllëzërit Shllek. Mungon Kontador, Armstrong, Vinokurov, dhe favoritët tjerë. Ndoshta është një mundësi e mirë e Shllekëve të largohen nga Sakso Bank me një titull. Endi dhe Frenk Shllek do të largohen në fund të sezonit, ndërsa në Sakso Bank do të vijë Alberto Kontador.

Mesjava do të jetë e varfër për futboll. Ajo që do të mbulojë këto ditë, tani më freskuese është vetëm kampionati botëror i basketbollit në Turqi. Na presin ndeshje interesante si Franca – Lituania, Turqia – Greqia, Serbia – Argjentina, Kroacia – Sllovenia.

Fillon edhe grend slemi i fundit, US Open. Favoritë kryesorë për mendimin tim janë Roxher Federer dhe Kim Klajsters. Do të jetë interesante dhe një mundësi e mirë të përcjellim drejtpërdrejtë ndeshjet nga ky grend slem falë muajit të madh Ramazanit.

Luan Morina

2 replies on “E hënë, mëngjes! – 30 gusht 2010”

Perjashto pjesen e futbollit me te cilen spo pajtona edhe kete pjesen per sporte tjera qe se lexova shkrimi u kane perfekt :p

Comments are closed.