Categories
Journal

E premte…

Më kujtohet më herët, të premtet ishin ditë gjysmë pushimi. Bëja përmbledhjen e punës javore, raportin, dhe si gjithnjë ia bëja vetes ditën më së paku të ngarkuar të javës. Ishte dita më e mirë e javës, pas të martës e cila ishte dita më e ngarkuar e javës.

Dita përfundonte në drekë ku si çdo mysliman edhe unë drejtohesha aty ku mblidheshim kinse për të adhuruar Zotin. Them kinse sepse kishte edhe nga ata që vinin sa për sy e faqe, jo-elegant, të zhurmshëm, dhe nga frika prej dënimit të perëndisë. Me kalimin e kohës këta u shndërruan në ‘shpëtimtarë’ të fesë dhe botës.

Gjithnjë kam qenë pro mendimit që dashuria nga frika nuk është dashuri. Nëse bën diçka nga frika është e kotë. Edhe besimi dhe kryerja e riteve fetare si e tillë është e kotë. Do të duhej të dashuronim Zotin si perëndi, jo të frikësoheshim si dikush që do të djeg gjatë të amshueshmes.

Amshimi është diçka e pasigurt, ngjashëm si krejt realitetit që prekin, shohim, dëgjojmë, nuhasim, e shijojmë. Gjithçka është relative, ngjashëm si dënimi që do të na priste sepse sipas dogmave fetare, të gjithë jemi mëkatarë.

Por, derisa ky dënim i amshueshëm ishte abstrakt, gjatë dekadës së kaluar na u shfaqën disa bajraktarë që konkretizuan këtë dënim, para kohe. Dënime që shkruan në gjoja librat e amshueshëm, dënime që Zoti do të duhej ti bënte, por ja që i bëjnë këta zotë që i kemi në Tokë, që ecin në mesin tonë. Ishin këta që do të pastronin fenë e tyre nga të vetët dhe të huajt. Dhe pastrimi vazhdoi e u zgjerua. Kryesisht falë injorimit dhe heshtjes që bënim asokohe.

Tani, kur ka kaluar çereku i shekullit XXI, duket se është vonë të luftojmë kundër tyre. Kundër ‘shpëtimtarëve’ të njerëzimit.

Është edhe një nga ato pesëdhjetë e dy të premte të këtij viti. Ose tani siç na detyrojnë ti quajmë ‘e xhuma’. Nuk është turqizëm. Është term që e përdorin ‘shpëtimtarët’ që zaptuan edhe Turqinë para se të kapnin këtë territor edhe Evropën.

Është ditë e plotë pushimi, e vetmja e javës me rendin e ri. Nesër dhe pasnesër duhet të punojmë. Por, sa është pushim kur së paku dy orë do të kalohen në xhami, duke qenë të detyruar të kryejmë aktin e xhumasë.

Më parë thoshin se nëse mungon tri xhuma del nga feja. Por, nuk kishte dënim. E njëjta vlen edhe tani, por pas xhumasë së tretë ti je i vdekur. Sepse asnjë jobesimtar nuk mund të ecën mbi Tokën e ‘shpëtimtarëve’.

Sot është e treta për mua…