Categories
Sport

El Classico edhe ato tjerat – 5përVikend

  1. Manchester City – Liverpool (e shtunë, 6e30)

Më shumë rivalitet do të kishim në një repart spitali me lojtarët e këtyre dy ekipeve se sa në fushë. Kompany, Nasri, Silva, Aguero, Zabaleta, Bony, Milner, Sturridge, Henderson, Sakho, Ings, dhe të tjerë mungojnë për shkak të lëndimeve. Ky fakt sa dëmton aq edhe bën më interesante këtë ndeshje, duke sprovuar aftësitë e dy teknikëve jo pak të suksesshëm.

Do të mbetet në sfond të ‘el clasicos’, mirëpo duhet të zë vend në laptopin apo telefonin tuaj. Nuk duhet të humbet assesi.

  1. Juventus – Milan (e shtunë, 8e45)

Dy teknikë që kanë veshur këpucë më të mëdha se që mund ti bartin, dy Charlie Chaplina, prej të cilëve njëri do të mbetet, e edhe tjetri duhet të mbetet pa punë. Por, së paku Mihajlovic luan lojë, pretendon të luaj lojë të hapur dhe sulmues. Allegri, si çdo italian mbrohet. Ky edhe është fajtor për mosadaptimin e gjithë atyre transferimeve të reja tek Juventusi.

Milani ka mungesa, sidomos në mesfushë. Ekipi nuk është adaptuar, akoma. Ngjashëm edhe Juventusi. Është çudi të shohim këtë duel të mos jetë vendimtar për pozitën e kreut në Serie A. Do të ishte mëkat po të mos tregonin lojë të hapur që do të na kujtonte Serie A nga kohët më të mira.

  1. Schalke – Bayern (e shtunë, 6e30)

Schalke nuk është mirë. Nuk kanë fituar që një muaj. Nuk do të fitojnë as të shtunën. Por, kanë talente dhe bëjnë lojë të mirë, të hapur. Ndaj Bayernit kjo do të jetë e pamundur. Herën e fundit Bayerni bënte hajgare me Stuttgartin. Robben është rikthyer për të bërë bavarezët edhe më shkatërrues.

Sa sa do të fitoj Bayerni, dhe kush do të shënoj më shumë gola, Muller apo Lewandowski janë dy pyetje më serioze se sa kush do të fitoj këtë ndeshje.

  1. Real Madrid – Barcelona (e shtunë, 6e15)

A do të luaj Messi apo jo? – kjo është pyetja me të cilën merren jo vetëm fansat e Barcës. Në fakt, fansat e Barcës duhet të jenë më së paku të brengosur nga kjo çështje. Suarez dhe Neymar kanë funksionuar për mrekulli si me Messin si pa të. Ndoshta më e udhës ishte të brengoseshin për mungesën eventuale të Rakitic. Mesfusha nuk është sikur sulmi e rregulluar.

Reali do të vuaj me Benitezin. Do të vuajnë si fansat si lojtarët të cilët janë mësuar të luajnë lojë të hapur dhe të sulmojnë. Ngjashëm edhe fansat janë mësuar të shohin kësisoj loje. Benitez nuk ofron një lojë të tillë. Ai është sikur një pensionist të ketë marr timonin e një Mercedesi e të lëviz në 50she për shkaqe ‘sigurie.’

  1. Panathinaikos – Olympiakos (e shtunë, 6e30)

Edhe këtë vit lufta për titullin në Greqi është çështje e mbyllur. Olympiakosi është i pakapshëm. Ashtu do të mbetet deri në fund, por rivaliteti ndërmjet këtyre dy ekipeve është për tu marr lakmi. Ka atë nuancën ballkanike ku futbolli është më shumë se një ndeshje, ku nuk mungon urrejtja. Koha e papërshtatshme si për të gjitha ndeshjet edhe këtë do e lë në sfond, por vlen të theksohet si një derbi nga më të mëdhenjtë në Ballkan.