Categories
Televizioni

Emmy-t 2013

Ashtu siç e do zakoni, para se të nis sezoni i ri në kanalet amerikane, është koha të shpërblehen më të mirët e sezonit të kaluar. Të dielën pas mesnate nën udhëheqjen e të mrekullueshmit Neil Patrick Harris do të shpërblehen më të mirët në botën e televizionit amerikan për sezonin 2012/2013.

Breaking Bad, Game of Thrones, American Horror Story, dhe filmi i HBO-së, Behind the Candelabra pritet të dominojnë shpërblimet.

Tek komeditë, Modern Family pritet të fitoj bindshëm në shumicën e kategorive në komedi, përfshirë edhe si komedia më e mirë. The Big Bang Theory ka pasur një sezon të shkëlqyeshëm dhe është komedia më e ndjekur në televizionet amerikane (mbetet vetëm mbrapa NCIS dhe futbollit amerikan, në kategorinë e përgjithshme), por, esnafët e Emmy-t, nuk pritet ta shpërblejnë as këtë vit. Mund të befasoj 30 Rock që ka përfunduar vitin e kaluar, edhe pse personalisht mendoj që vetëm Tina Fey ka ndonjë shans triumfi nga ky serial. Ajo përballet me Julia Louis-Dreyfus të Veep, derisa magjia e Lena Dunham tek Girls duket se është fanitur me sezonin e dytë. Tek aktorët, Louis C.K., është kandidati më serioz, edhe pse seriali i tij është në pushim, prandaj s’do të befasohesha nëse Jim Parsons përsërit suksesin e tij, e edhe Alec Baldwin shihet si kandidat që mund të befasoj, edhe pse s’mendoj që konsiderohet si favorit.

Rolet dytësore në komedi sigurisht që do tu takojnë kastit të Modern Family dhe këtë vit, mendoj që është koha të shpërblehet Ed O’Neill. Ty Burrell vlerësohet si favorit së bashku me Julie Bowen.

Votimet për Emmy kanë përfunduar para disa javëve. Nuk di sa mund të kenë pasur mundësi votuesit të shohin sezonin e ri të Breaking Bad edhe pse për të vlerësuar një serial, vlen episodi i zgjedhur që është shfaqur në kohën e caktuar dhe është nominuar nga vet producentët e serialit, jo i tërë seriali. Megjithatë, s’do të thotë që kjo është diçka që respektohet patjetër. Breaking Bad po ‘fshinë’ gjithçka në finalen e serialit. Ngjashëm mund të jetë edhe tek çmimet Emmy. Drama më e mirë, Bryan Cranston, e Aaron Paul si aktorët më të mirë, e edhe Anna Gunn për aktoren në rolin dytësor mund të dalin fituese të dielën. Claire Danes dhe Kerry Washington konkurrojnë për aktoren më të mirë në rol kryesor, derisa personalisht mendoj që Danes do të përsëris suksesin e vitit të kaluar. I vetmi që mund të rrezikoj Emmy-n për Cranston është Kevin Spacey me House of Cards. Mandy Patinkin ka pasur një sezon të madh vitin e kaluar me Homeland që kulmoi me finalen. Meriton Emmy edhe pse përballet me dyshen e Breaking Bad, Aaron Paul që ka Emmy të fituar, dhe Jonathan Banks. Edhe Peter Dinklage është i nominuar, por, nëse dikush nga Game of Thrones do të merr Emmy, atëherë me shumë gjasë mund të jetë Emilia Clarke, e cila së bashku me Gunn shkon përballë të madhes Maggie Smith, e cila shihet si favorite kryesore për rolin e saj në Downton Abbey.

Në kategorinë për film dhe mini-seri kemi përballjen ndërmjet Behind the Candelabra dhe American Horror Story: Asylum. Filmi i HBO-së është favorit për filmin/miniserinë më të mirë dhe Michael Douglas për aktorin më të mirë. American Horror Story: Asylum pritet të marrë Emmy me Jessica Lange si aktoren më të mirë në film për TV/miniserial, dhe në kategoritë dytësore me James Cromwell dhe Sarah Paulson.

The Amazing Race është favorite në mesin e programeve reality, derisa Jon Stewart pritet të marrë edhe një Emmy, përkundër pushimit veror kur John Oliver mori primatin në The Daily Show. Personalisht do të doja të shihja The Colbert Report si fitues, apo edhe Saturday Night Live që ka humbur disa nga pjesëtarët kryesor të kastit si Bill Hader, e Seth Meyers që do të largohet pas pjesës vjeshtore.

Luan Morina

Kritik për TV