Categories
lomsh

Ëndërroja për Afrikan

Më në fund kampionati botëror do të mbahet në një vend afrikan. Ishte kjo një ëndërr e kryetari të FIFA-s, Sep Blater, që edhe ky kontinent të shijoj “shpirtin” e ngjarjes më të madhe në historinë moderne të njerëzimit.

Pritet të jetë ngjarja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në kontinentin afrikan. Mbi 2 miliardë euro janë harxhuar vetëm në ndërtimin e tetë stadiumeve moderne, të cilat testin e parë e kaluan, edhe pse jo aq mirë, me organizimin e Kupës së Konfederatave. Megjithatë tani duket se gjithçka është gati, edhe pse dyshime ka akoma duke filluar nga organizmi, siguria, infrastruktura e deri tek klima.

Megjithatë shpresojmë se ajo që është më e rëndësishme nuk do të zhgënjejë miliarda tifozë rreth botës.

Favoritët

Shumica e analistëve vlerësojnë Brazilin dhe Spanjën si favoritët kryesorë. Disa fusin në konkurencë edhe Anglinë, Argjentinën, e Gjermaninë. Shumë veta janë skeptik për Italinë, Holandën, e Francën.

Kështu, do të filloj nga të parat dhe deri tek skuadrat që mendoj se mund të bëjnë befasi. Befasi për mendimin tim është pozita e tretë, që gjithmonë ka ditur të jetë e rezervuar për skuadrat befasuese. Suedia më 1994, Kroacia, me 1998, Turqia me 2002.

Dunga ka bërë disa ndryshime të mëdha në skuadrën e Brazilit. Megjithatë mund të themi se ka zgjedhur më të mirët. Ka një skuadër ku është gërshetuar përvoja dhe talenti i skuadrës braziliane. Kanë një portjer jashtëzakonisht të mirë, edhe një mbrojtje të pathyeshme. Mesfusha do të udhëhiqet nga Kaka, i cili nuk është në formën dhe shëndetin më të mirë. Ky mund të jetë problemi kryesor për Brazilin. Sulmi pritet të lidhet me Robinjon, dhe njërin nga tre sulmuesit, Luis Fabiano, Nilmar e Grafite. Mendoj se Brazili do të arrij pa probleme deri në çerekfinale ku mund të takohet me Holandën, apo Italinë. Megjithatë mos të harrojmë se kanë një Breg të Fildishtë në grup, dhe Portugalinë e Kristiano Ronaldos. Këto të dyja pritet të luftojnë për pozitën e dytë, por pse jo edhe për të parën, nëse ndonjëra fiton ndeshjen e parë të cilën e zhvillojnë kundër njëra-tjetrës.

Spanja, padyshim ka mesfushën më të mirë. Një mesfushë defanzive, kreative, me krahë të shpërthyeshëm. Sulmi është i shpejtë, dhe gjithnjë i rrezikshëm, pasi që Vila e Torres mund të gjuajnë ngja çdo largësi. Në portë është Kasilas, njëri nga portjerët më të mirë në botë, para të cilit qëndron një mbrojtje e udhëhequr nga Sergjio Ramos dhe Pike. Spanja mund të arrij shumë, e edhe kundërshtarët e tjerë në grup nuk janë të kalibrit të spanjollëve. Pozita e dytë në grupin H, ësthë plotësisht e hapur.

Anglia. Kapello po dëshmon kualitetin e tij edhe me kombëtare. Anglia ka ndryshuar tërësisht nga koha e MekLarenit. I gjithë ky ndryshim vjen nga disiplina në skuadër. Megjithatë porta e Anglisë, nuk është e sigurt asnjëherë. Nuk kanë portjer cilësor, dhe ndoshta puna mund të vijë deri tek veterani Xhejms, që të kujdeset për portën. Ferdinand mungon. Megjithatë pritet ta mbuloj King, me Terrin, dhe Koll në anën e majtë. Në anën e djathtë do të jetë Xhonson, i cili nuk është ndonjë lojtar shumë i mirë, por nuk ka anglez më të mirë në atë pozitë. Mesfusha është e një cilësie të lartë. Një nivel i njëjtë me spanjollët e ndoshta edhe më i mirë. Xherard dhe Lampard, do të kujdesen për qendrën, e nëse kanë probleme shëndetësore, aty është Kerrik e Berri, t’i zëvëndësojnë ata. Berri ka pasur probleme të shumta, mirëpo mund të zëvëndësohet para fillimit të kampionatit.

Krahët e mesfushës, janë edhe më të shpejtë se të spanjollëve. Lenon, Milner, Xho Koll, e Shon Rajt-Fillips. Do ta ketë vështirë të zgjedhë Kapello nga këta lojtarë.

E sulmi, është i udhëhequr nga këmbëshpejtit Runi e Defo, dhe sulmuesit klasik që më shumë rrezikojnë nga ndërprerjet, Heski e Krauç, e besa Krauç ka shënuar disa gola me driblime dhe aksione të shpejta kohëve të fundit. Më ka befasuar plotësisht.

Argjentinasët mund të kenë një skuadër fantastike, por personalisht nuk mendoj se një njeri si Maradona, mund t’i shpie deri te titulli i kampionit. Nuk kanë një mbrojte të qëndrueshme, të cilës i mungon veterani Zaneti. I vetmi që mund të kryej punë deri diku, ndoshta është Samjuel. Cilësia e Demikelis është vërejtur në finalen e Ligës së Kampionve. Mesfusha udhëheqet nga veterani Veron. Nuk ju kujtohet. Po, po. Është ai Veroni, që ka luajtur në Lacio, Mançester Junajted, e Çelzi. Akoma luan futboll! Maksi Rodrigez, Di Maria, Pastore, e Bolati, janë mesfushorë tjerë që pritet të bëjnë “mrekullira” nëse munden.

Sulmi udhëhiqet nga Mesi, i cili duhet të luaj si mesfushor qëndror në këtë kampionat, për të lëshuar hapësirë për sulmin. Sulmi është arma kryesore. Higuain, Tevez, Milito, Aguero, e Palermo. Të gjithë lojtarë të mëdhenj, dhe nëse harmonizojnë lojën do të jenë të rrezikshëm për portat kundërshtare. Megjithatë, Argjentina nuk besoj se mund të arrijë më shumë se çerekfinalja ku pritet të takohet me Gjermaninë, nga po e cila u menjanua më 2006.

Gjermania ka një skuadër të përzier, por tepër të përgjegjshme dhe të disiplinuar. Tani kanë edhe portjer më të “hajrit”, Manuel Nojer. Megjithatë, dorë në zemër gjithkush pos Lemanit do të ishte shpëtim për gjermanët. Mbrojtja pritet të udhëheqet nga Mertesaker, me krahë si Aogo, Lam, e Boateng. Në mesfushë, organizator pritet të jetë Shvajnshtajger, që më në fund duhet ta marr barrën kryesore, në mungesë të Ballakut. Ndihmën më të madhe do ta ketë nga krahtë, Kedira, Ozil, e Marin. Sulmi pritet të udhëheqet nga Klose, së bashku me Kisling, Gomez, Kakau, Myller, e

Podolski.

Gjermania mund të ketë problem në ndeshjet në grup, pasi ka skuadra të paprështatshme si Serbia, Gana, e Australia.

Italia ka fat, ndoshta që është renditur në një grup jo të fortë, por jo edhe të lehtë. Katastrofa që pësuan në Euro 2008, duhet të harrohet pasi që faji ishte tek trajneri. Donadoni nuk ishte i “pjekur” për kombëtare. Tani Lipi, ka një disiplinë më të ashpër, dhe bazohet në lojtarë me përvojë. Pikërisht kjo ka qenë një nga kritikat kryesore të analistëve, mirëpo kjo mund të tregohet si e frytshme. Në portë është Bufon, me një mbrojte që udhëhiqet nga Kanavaro dhe Kielini. Unë nuk do të merrja Kanavaron, për shkak të moshës. Inkuadroje Boketin, dhe atëherë shihe si do të reagojë mbrojtja. Një lojtarë i shpejtë, i shkathët, dhe i fortë. Një njeri që të kujton Nestan. Edhe numrin në shpinë do ta ketë të njëjtë, 13.

Mesfusha do të lidhet nga Pirlo, nëse arrin të shërohet në kohë, edhe pse do të ketë ndihmën e De Rosit, Palombos, e Gatuzos. Krahët e mesfushës, udhëheqen nga Kamoranesi i plakur, që nuk e ka vendin më në përfaqësuese, dhe nuk duhet të aktivizohet para Pepes, e Montolivos.

Sulmi është i ngjashëm me të para katër viteve. Një sulmues i avancuar, dhe një sulmues në hije. Paxini, Kualjarela, dhe Di Natale, do të jenë hije e Gjilardinjos dhe Iakuintas. Iakuintas, çka lyp ky njeri në kombëtare. Këtë e di vetëm Lipi.

Mund të shkoj edhe në opsionin me dy sulmues anësorë dhe një qendërsulmues. Bile po të ishte Rosi kjo do të ishte alternativa më e mirë, por, le të shohim se ku do të mund të arrij Lipi.

Dhe Holanda. Skuadra ime favorite. Kanë një mesfushë dhe një sulm fantastik. Por, mbrojtja është shumë e papërvojë. Në portë duhet të paraqitet Shtekelenburg. Vija e mbrojtjes do të jetë Hajtinga, Bulahruz, Matjasen, dhe van der Vil.

Mesfusha përbëhet nga dy lojtarët më të mirë në botë këtë sezon. Po, janë më të mirët, janë lider të vërtetë.

Uesli Shnajder, dhe Arjen Roben. De Jong, dhe Van Bomel, mund të kujdesen për qendrën, ndërsa në sulm mund të luajnë Huntelar, dhe Van Persi, apo Kajt. Është edhe Babel, e Elia. Nuk do të ketë lehtë të zgjedh Van Marvijk.

Për Francën, nuk do të shkruaj hiq. Me një njeri si Domenek në pankinë, me të cilin Murinjo qan kur dëgjon konferencat e tij të dhimbshme, Franca duhet të jetë e lumtur nëse kalon fazën grupore. Mund të arrijë deri në çerekfinale ndoshta, por kjo mund të jetë vetëm falë lojtarëve cilësorë që ka.

Skuadra e befasisë këtë vit, për mendimin tim duhet të jetë nga Afrika. Jo që mbahet në Afrikë, por Bregu i Fildishtë është gati të ngjitet në majat e Botës. E meritojnë. Kanë një skuadër fantastike të mbushur me kampionë. Një trajner që jo shumë kam besim në të, Sven Goran Erikson, por megjithatë ka dituri dhe përvojë. Mund të kenë probleme vetëm në mbrotje, pasi që sulmi dhe mesfusha janë tepër të mira. Drogba – Kalu, do t’i prijnë sulmit, të përkrahur nga Ture, Xokora, Kone, e Keita. Megjithatë kanë qenë të pafat edhe këtë herës sikur para katër viteve, kanë rënë në një grup, ndoshta më të fortin, me Brazilin dhe Portugalinë. Por, le ta dëshmojnë se e kanë vendin në rrethin e dytë. Le të marrin shtatë pikë në këtë grup.

Edhe Kameruni e Gana, kanë skuadra shumë të mira, dhe shumë lehtë mund të arrijnë rrethin e dytë. Nuk kam shumë besim në Nigerinë, Algjerinë, dhe vendasit Afrikën Jugore.

Po të ishte Egjipti, atëherë gjithçka do të ishte më ndryshe. Mospjesëmarrja e tyre është humbja më e madhe e këtij botërori.

Unë do të bëjë tifon për Italinë si gjithnjë, megjithatë do të kënaqem edhe me skuadra si Anglia, e Holanda. Gjithashtu edhe Bregu i Fildishtë do të jetë në katërshën e skuadrave që dua të arrijnë sukses në këtë kampionat.

Për fund

Shpresoj se do të kënaqemi duke shikuar futboll cilësor në malet dhe nën diellin afrikan. Do të na shkojnë nervat boritë palidhje që do të dëgjohen gjatë gjithë lojëve. Kjo do të jetë vërtetë neveritëse.

Ndoshta më mirë do të jetë të dëgjojmë bendin Toto me këngën e tyre Afrika. Është një këngë shumë melodike. Dëgjone dhe kënaquni me gjëjën më të mirë në historinë e njerëzimit. Futbollin.

Për Shqipmedia

Luan Morina.

Publikuar në Shqipmedia