Categories
TV Reviews

Euphoria – Sezoni 1 + Speciali

Dy dekada më parë, me përfundimin e luftës, si një fëmijë mezi prisja të ardhmen. Një dekadë më vonë, dy vite pas pavarësisë, kisha menduar (në detaje) të mbysja veten. Sot, mezi pres episode si ‘Telashet nuk zgjasin përgjithmonë.’

Po atë vit, në mesin e disa serive që pata ‘testuar’ kishte qenë edhe një për fëmijë, me Roki dhe Sisi që konkurronin për të vallëzuar në një program fëmijësh. Që Roki i asaj serie do të bëhej Ru e ‘Euphoria’ as vet Zendaya ndoshta nuk do e kishte imagjinuar. Por, jeta është mister, dhe nëse për asgjë, ia vlen të jetohet për befasitë që fshihen pas të gjitha këtyre mistereve.

Dekadë edhe më e vështirë ka qenë për shumë të rinj për të cilët ka qenë e dedikuar ajo seri – Shake It Up, disa karaktere të cilat mund t’i shohim tek ‘Euphoria’.

Tek kjo seri, e shfaqur në pjesën e parë të vitit, Zendaya luan rolin e një tinejxherë me probleme narkotikësh, e rehabilituar nga ta, por edhe e rikthyer në botën e tyre. Ajo është e dashuruar në Xhull’s, me problemet e saja rinore. Kat, Nejt, Medi, Kris, Kesi, janë karaktere tjera, jeta e të cilave nuk është aspak e këndshme. Dikush ka probleme me drogë, dikush me vetëvrasje, dikush me depresion, dikush me dhunë, dikush me seks, dikush me mbipeshë, e dikush edhe me pedofili.

Thjesht, janë një grup gjimnazistësh ‘të prishur’, jeta e të cilëve na vjen e shtjelluar në çdo episod, me Ru si karakteri kryesor jeta e së cilës zë vend në secilin episod, në periudha të ndryshme.

Është njëra nga seritë më të rënda, marrë parasysh moshën e karaktereve, që kam përcjellë. Njëkohësisht, është njëra ndër më edukativet, ta quaj kështu, për këtë demografi.

Nuk ka ndonjë kufi që nuk kalon, nuk ka ndonjë problem që nuk shtjellon, e gjithashtu, për të gjitha provon të sjellë një pikënisje, arsyetim, duke u kthyer më shumë në një analizë karakteresh e ndodhish se sa vetëm një përçues ngjarjesh.

Tetë episodet e sezonit të parë kanë qenë jashtë normales, me skenar e aktrim fenomenal.

Episodi special i Krishtlindjeve, shumëfish më i mirë. Orë filozofike!

Dhe kur shoh kësisoj serish, e sidomos kësisoj episodesh, të cilat gjatë dhjetë viteve të fundit kanë qenë me bollëk, kthehem në ato kohë ‘arkitekture fatale’ dhe reflektoj çfarë do të kisha humbur po të realizoja planet.

E pastaj, kushedi çfarë serish të mira do të prodhohen në dhjetët vitet e ardhshme?!

Vërtetë janë kohë të errëta, por kohë pas kohe shohim kësisoj shkëndijash arti!

‘Euphoria’-n duhet ta shikoni. Me zor, nëse është nevoja. Nota personale: 5/5

p.s. nuk gaboni nëse e nisni me episodin special, i cili sigurisht ka spoilera, por do ju sugjeroja ta lini për fund, si portokall mbi tortë.