Categories
Sport

EuroCullakhanja

Provova të gjej një emision të denjë në televizionet tona, mirëpo dështova. Për këtë arsye zgjodha atë emisionin më të kotë në televizionet tona – Odeonin!

Në atë emision, që çuditërisht ka shumë mysafirë në studio, unë s’do të shkoja edhe po të paguhesha! Nuk do të shkoja në shumicën e emisioneve, sikur mos të isha pensionuar tri vite e gjysmë më parë nga paraqitjet publike!

Ta zëmë një emision mode. Apo kulture. Apo politike. Çfarëdo emisioni.

Në secilin emision të tillë unë do të ftohesha mysafir vetëm për një qëllim – të ndriçoj falë qelit.

E qelave, kur kemi qenë fëmijë ne të para-luftës, i thoshin ‘llustera’. Bile, ka qenë një rimë që sot më gërdit dhe më rifreskon të gjitha traumat e fëmijërisë e që niste ‘lluster xhoni sa killa bostoni…”

*cringe*

Vet-respekti

A do të shkoja unë në një emision televiziv për këtë arsye – për të kontribuar si një lluster?!

Sigurisht që jo.

Por, me të njëjtin qëllim, ftohen edhe shumica e njerëzve jokompetent me futbollin, të cilët e përziejnë garën, ekipet, e edhe lojtarët pjesëmarrës.

Më e keqja, më seksistja, më ofenduesja është kur ftohen disa femra për të moderuar, dhe reklamohen gjysmë-të zhveshura siç qe rasti i Klan Kosovës – televizionit më “urban” kosovar.

Në promon e parë, pjesa më e madhe u ishte dedikuar tri-katër vajzave gjysmë të zhveshura, derisa poshtë, minimalisht, fytyrat e disa ‘analistëve’!

Nëse kjo nuk ta pshurrë inteligjencën si një futbolldashës, atëherë çka?

Njëjtë edhe tek Kanal10, episodin e parë të cilit e nisa për shkak se në mysafirë kishte emra të respektuar, e mbi të gjitha Alba edhe Xhema janë dy futbolldashës të vërtetë. Pa nevojë, kishin angazhuar edhe dy-tri figura tjera, veç e veç që ta bënin emisionin më të bukur.

T7shin, si krejt të BB-së, bojkotoj tashmë disa vite, sepse përkundër vet-urrejtjes, nuk kam mbërri akoma në atë pikë që me urrejt veten aq shumë sa që me kqyr Rronin me Duda Baljen në orët e vona! Të jem i sinqertë, edhe po të ishte ndonjë emision tjetër me këta dy veta, gjithashtu i orëve të vona, s’do e kqyrja!

Dukagjini që nga ‘historia’ e kinezëve është kthyer në një televizion që nganë pas klikimeve edhe zhurmës, edhe nuk mundesh me pritë diçka të dobishme aty. Te ATV kemi pasur Ismet Mu1shin, edhe nuk besoj që kam më shumë nevojë të vazhdojë më tutje rreth kësaj.

Nga krejt këto, RTK e KTV, duket se kanë pasur, por problemi i RTK-së ka qenë që shumica e episodeve nuk gjenden online, e FanZone me Muhaxhirin ka qenë pak a shumë i njëjtë me tjerat, por prapë, më sportiv.

Prej fillimit, në Maniakë të Futbollit, kemi shty para vajzat në rolet vendimmarrëse, të cilat kanë duart e lira të përjashtojnë këdo që edhe në mënyrë indirekte nënçmon ato veç pse janë vajza.

Dhe ka qenë kënaqësi që administratore të grupit janë paraqitur në ATV e Dukagjini. Kanë qenë minuta të begatshëm, dhe me kalimin e kohës e me ofrimin e hapësirës, qikat do të kenë vendin e duhur në arenën sportive televizive, dhe për arsyet e drejta.

Ato çfarë kanë bërë shumica e emisioneve, ka qenë ofendim, krim ndaj grave.

Por, njëjtë bëjnë edhe në emisionet tjera. Dhe një ditë, edhe vet drejtorët e televizioneve tona do të fillojnë të zhvishen, veç e veç që të kenë klika!

Emisionet tona janë seksiste, dhe kërkojnë sa më shumë cullakhane, për të kënaqur epshet e shikuesve. Po, të jem i sinqertë, mua më shumë më ‘kall’ kur shoh Shearer, Lampard, e Ferdinand në BBC, se sa 15 qika cullak në kanalet tona!