Categories
Televizioni

Eurovisioni – Një tregim që vazhdon…

Anglezët ishin të fundit. Tejmase të dëshpruar. Sulmuan mënyrën e votimit. Përsëri. Biles disa shkojnë aq larg sa që propozojnë të ndryshojn emrin prej Euro-Vision, në IshBashkimiSovjetikVision. Kanë të drejtë. Shumë mirë tha moderatori nga Gjeorgjia “8 pikë shkojnë për nënën Rusi”. Megjithatë Rusia as vitin e kaluar, as sivjet nuk fitoi. Nuk është gjithçka tek “miqtë”.

Anglezët, derisa vazhdojnë të çojnë këngëtarë amator dhe të papërvojë në Eurovision, me këngë të “buta”, nuk do të fitojnë. Le të dërgojnë ndonjë këngëtar si Robi Uilliams, Sheril Koll, Leona Luis, apo Uestllajf dhe pastaj le të ankohen se nuk kanë “miq”.

Edhe ne shqiptarët ishim paksa të dëshpruar. Personalisht kam pritur të gjendemi në Top 10. Por, pozita e 16 është pak dëshpruese. Megjithatë paraqitja e Juliana Pashës ishte e mirë.

Në gjysmëfinalen e parë, ajo u rendit e gjashta me 76, ndërsa fituesi ishte përfaqësuesi i Belgjikës, Tom Dajs me 167 pikë.

Sidoqoftë që të fitoj përfaqësuesja e Gjermanisë, Lena Mejer nuk e kanë pritur shumë veta, më mirë të them askush. Pse?

Së pari, gjithnjë ekziston ajo mënyra e votimit “miqësor”. Qipro gjithnjë i jep 12 pikë Greqisë, Greqia ia kthen njëjtë. Ky është një fakt që kurrë nuk ndryshon, dhe nuk do të ndryshoj. Vendet sovjetike i japin njëra tjetrës 8 deri 12 pikë. E edhe Bosnja e Hercegovina, i jep Serbisë 12she, që më së paku e ka merituar këtë vit.

Edhe nëse ndonjë herë, herëdokurdo Kosova do të marr pjesë në Eurovision, sigurisht që do ti jep Shqipërisë 12she. Kjo do të ndodh ndonjë ditë.

Mirëpo pse fitoi Gjermania. Ja pse.

Kënga e Gjermanisë, ka qenë e promovuar më herët në shumicën e vendeve evropiane. Ajo ka qenë në listat e këngëve më të dëgjuara në shumë vende europiane javëve të fundit. Kanë shpenzuar shumë kohë dhe para në marketing. Dhe Lena Mejer dukej e bukur, energjetike, ritmike, edhe pse teksti i këngës nuk ishte kushedi se çka.

Turqia kishte një skenografia të shkëlqyeshme. Më të mirën. Kënga ishte e zhanrit rok, më shumë tërheqëse për rininë dhe adoleshentët, por jo shumë e promovuar.

Rumania, kam pritur që të jetë e treta. Ka qenë një këngë shumë e mirë, e përgatitur mirë, dhe ekzekutuar shumë mirë.

Belgjika ka merituar më shumë. Dëshprime kanë qenë Islanda dhe Irlanda. Të dyja këngë të shkëlqyeshme, të lehta, shumë mirë të përpunuara dhe të performuara. Megjithatë edhe një herë u vërejt se një këngë e lehtë nuk mund të triumfojë në Eurovision. Këtë e vërtetojnë rezultatet e viteve të fundit.

Intersante ka qenë kënga e Ukrainës, e kënduar nga Aljosha, Sweet People. Një këngë e lehtë të cilën e këndoi e vetme me një makiazh që i ngjante personazheve nga filmi Twilight. Megjithatë ishte shumë e bukur edhe Aljosha, e edhe kënga.

Edhe Tom Dajs i Belgjikës përformoi i vetëm me kitarën e tij. Ishte një paraqitje e tij e shkëlqyeshme, sikur vokali dhe teksti.

Për fund, Madcon, me Glow, ishte gjëja më e mirë që ka ndodhur në Eurovision në dekadën e fundit. përgatitje e shkëlqyeshme nga organizatorët. Të dëgjoje këtë këngë dhe të mos vallëzoje ka qenë e pamundur. Kjo ishte gjëja më e mirë e këtij edicioni që do të kujtohet për fitoren e këngës më të mirë ndër këngët mesatare. Nuk ishte anjë që meriton të dallohet nga të tjerat. Sidoqoftë, organizimi i edicionit të ardhshëm do të jetë ndër më të mirët besoj. Kjo sepse do ta bëjnë gjermanët.

Luan Morina

Publikuar në Telekomanda