Categories
Sport

EuroXhunglla 16 – Çarls Darvini

Roberto vs Roberto

Ato specie që nuk evoluojnë, vdesin!

Italianët e bën këtë, belgët vdiqën!

Nëse shohim lojtarët mbi të cilët bazohej Martinez, shohim që janë lojtarë që luajnë në ligën japoneze, portugeze, e turke. Në anën tjetër, kishim italianët nga top klubet e Italisë. Nëse mendojmë që Vermaelen nga Vissel Kobe ku pas një jete të mbushur me lëndime do të mund të përballonte sulmin italian, apo Chadli i cili luante në një ekip që luftonte për mbijetesë në ligën turke do të mund të çante mbrojtjen italiane, atëherë u vërtetua që e kishim gabim.

Belgjika ka vdekur!

Ekipi numër një në listën e FIFA-s, një gjeneratë që konsiderohej e artë, nuk është më. Kjo për shkak që mbrojtja e tyre, ashtu siç e prisnim para fillimit të kampionatit, nuk është hija e më të mirës.

Dhe kur e sheh që një dorë nuk po të punon siç duhet, nis e ushtron këmbën, dhe përgatitesh për luftë. Përqendrohesh tek anët më të forta. E Martinez nuk e bëri këtë.

Martinez vazhdoi të insistonte në 3-4-2-1shin e tij, dhe provonte të çante mbrojtjen italiane që dyfishonte Lukakun e lënë vetëm me murin mbrojtës, De Bruynen e lënduar, dhe Dokun të papërvojë.

Në anën tjetër, Italia shkëlqeu në atë që e kanë më të fortë – mbrojtjen, pa u mbrojtur. Në këtë, sigurisht që i ndihmuan belgët duke mos sulmuar mjaftueshëm e me mjaftë lojtarë. Ekipe nga mesi i tabelës në Serie A kanë rrezikuar më shumë qendërmbrojtësit e Italisë.

Italianët, përjashto 45 minutat e dytë ndaj Austrisë, kanë luajtur futbollin më bindës, më atraktiv, më të evoluar në këtë kampionat evropian. Duhet të pranojmë që nga ekipet e mbetura, pos Danimarkës, janë ekipet më argëtuese për tu parë. Italianët që gjithmonë mbroheshin, dhe luanin kot!

Duhet të pranoj që Mancini ka bërë një punë të mrekullueshme deri tani. Ka evoluar.

Në grup nuk kanë pasur kundërshtarë të fortë, dhe falë kësaj ka bërë rotacione të vyeshme. Kundër Austrisë pati nja 45 minuta në dyshim, por iu vërtetua që zëvendësimet mund të jenë të shëndetshme, dhe këtë e bëri edhe me Belgjikën. Tani me Spanjën është një test tjetër që e bën Italinë favorite!

Papërvoja

E nëpër vrimën e gjilpërës, Spanja kaloi në gjysmëfinale. Shihet qartazi që ky ekip ende nuk është i kompozuar ashtu siç jemi mësuar t’i shohim spanjollët kur për një dekadë luanin kombinimin i Realit dhe Barcelonës. Tani, me një ekip lëmsh, Luis Enrique po provon të bëj diçka të veçantë, dhe deri tani ia doli.

Me Kroacinë patën një sprovë më të madhe, derisa me Zvicrën më shumë ishte presioni psikik për të çarë mbrojtjen zvicerane, e cila dështoi kur nuk u desh – në penallti.

Në bazë të lojës, Spanja e meriton kalimin para, e për Zvicrën, ky kampionat duhet të konsiderohet si sukses maksimal. Zvicra pati atë që nuk patën spanjollët, kompozimin, por papërvoja dhe talenti më inferior, nuk i lejoi të kalonin tutje.

Intuita

Në bazë të intuitës, dhe përfundimeve që mund të vijnë nëse shohim mbrapa garat e mëdha, në gjysmëfinalen e dytë do të duhej të kemi Anglinë me Çekinë! Personalisht do të doja të kishim një gjysmëfinale tjetër, por kushdo që fiton nga këto dy ndeshje do të duhej të na ofronte spektakël! Për momentin, këtë e kanë bërë vetëm danezët, nga të katër ekipet që ndeshen sot.