Mendova të vendosja një titull patriotik si shqiptarët shpartallojnë Turqinë, por pastaj më ra në mend që as Shqipëria e as Kosova nuk janë pjesë e këtij evropiani. Zviceranët e natyralizuar kanë përzgjedhur Zvicrën, me të drejtë mendoj, por më së shumti më bën të vjellë kur arsyetohen kinse nuk e kanë ditur apo nuk i ka ftuar askush.
Sidoqoftë, Xherdan Shaqiri bëri atë që bën në kampionate evropiane e botërore, shënon gola, shënon shumë gola, dhe shënon gola të bukur. Sigurisht, e kishte më të lehtë me Turqinë, por Zvicra dukeshin më të gjallë dje, dhe nëse kanë fat e takohen me fituesin e grupit E, mund të ëndërrojnë për një çerekfinale, të cilën mendoj që Uellsi pothuajse e ka të sigurt ndaj të dytit të B-së.
Më pëlqeu çfarë bëri trajneri zviceran dje, duke mos u frikësuar për të sulmuar, dhe starti i parë i Steven Zuber kreu punën duke zhvendosur mbrojtjen në një renditje të çrregullt deri diku.
Më pëlqeu inkuadrimi i Admir Mehmedit, i cili ka qenë thelbësor për Zvicrën viteve të kaluara. Derisa për Andi Zeqirin nuk kam koment!
Ndërkohë, turqit më në fund kishin gjetur një lojtar që dëshironte të luante e të vraponte. Mert Muldur, i cili vitet e fundit i ka kaluar nëpër Itali, ishte i vetmi lojtar turk që ka tentuar të jepte diçka pozitive nga vetja. Sigurisht, edhe Çaglar Soyuncu ka qenë më aktiv, në pozitën e tij, por më shumë turqit nuk kanë merituar.
Tashti, le të merren me budallallëqet kombëtare – numri i të huajve që po i fajëson, konvertimi i kontratave në lira, joshja e pensionistëve nga ligat perëndimore, lufta me Qipron për të siguruar ekip të dytë në Ligën e Kampionëve, a duhet të numërojnë titujt e garave të mahallave para viteve 1950ta, dhe larjen e 1 miliardë euro borxh që kanë vetëm katër ekipet më të mëdha turke!
Seriozisht, këto janë tema aktuale në futbollin turk!
Një fakt interesant, intervista e trajnerit turk i cili para disa dite kishte deklaruar që merr mbi vete fajin për paraqitjen e dobët, dje mori një kuptim tjetër kur e pyetën nëse do të japë dorëheqjen, duke u përgjigjur në atë që ‘faji është i imi, i lojtarëve, i mediave, i të gjithëve’!
Sigurisht që vetëm drama turke transmetohen në TV, sepse komedia është në futbollin turk!
Viva l’Italia
Mendoj që duhet ta marrim më me seriozitet Italinë, sidomos Mancinin, i cili ka qenë trajner edhe në Turqi!
Çfarë rikthimi i tij!
I vetmi lojtar italian që nuk është angazhuar në këtë Evropian është portieri i tretë, Meret, nëse nuk gabohem.
Me formacion të kombinuar, me lojtar që kanë zëvendësuar të lënduarit e përhershëm – Sensin e Pellegrinin, Italia arriti lehtë të kalojë Uellsin, ndonëse rezultati mund të pasqyrojë tjetër gjë. Ishin të sigurt, ishim të qetë, ishin efikas. Tashti, në Uemblli, kundër Ukrainës apo Austrisë, do të duhej të shfaqnin aftësitë e tyre të vërteta, dhe besoj që do ta bëjnë këtë. Zakonisht, ndeshjet e para të fazës finale i shtynë me një gol diferencë, në vazhdime, apo penallti, por kjo Itali nuk po duket ajo e zakonshmja.
E pastaj, Belgjika.
BC
Në grupin C, maqedonasit mund të largohen kokën lart, pa marrë parasysh çfarë ndodh kundër Holandës. Vendasit nuk kanë ndonjë arsye për të luajtur, pos për të testuar formacionet, ndonëse De Boer, sipas mediave, mendon të bëjë vetëm dy ndërrime.
Austria me Ukrainën do të jetë ndeshja kryesore e pasdites, derisa në mbrëmje, Rusia dhe Danimarka do të luftojnë për pozitën e dytë e të tretë. Renditja në B është pak e komplikuar. Në rast se fiton Belgjika, sigurojnë të parën pozitë, njëjtë si Rusia me të dytën. Nëse fiton Finlanda, sigurojnë pozitën e parë nëse nuk fiton Rusia. Nëse fiton Danimarka e humb Finlanda, atëherë do të varet nga rezultati se kush vendoset në të dytën e të tretën pozitë. Danimarkës mund të mos i mjaftoj as fitorja, derisa të tria tjerat edhe me barazime mund të llogarisin në rrethin e dytë.