Kur flasim për filozofinë perëndimore, nisim nga Greqia antike, ku Sokrati ishte mësues i Platonit i cili hapi Akademinë e parë, e Platoni ishte mësues i Aristotelit i cili hapi Liceun e parë.
Kjo e fundit tingëllon më shumë frëngjisht, dhe ndoshta për këtë arsye nuk është në përdorim së fundmi, pasi ne jemi të gjithë akademikaaaa.
Edhe Maqedoninë e Veriut do të mund ta nisnim nga Pandev, por s’mund të harroj Artim Shaqirin dhe në veçanti golin e tij në stadiumin e Southamptonit. Por, Pandev, bëri atë që nuk do e bënin shumë futbollistë, u ngrit nga ‘dështimet’ dhe luftoi deri kur arriti të bëjë më të madhen për kombëtaren e tij – kualifikimin në Euro2020, por mbi të gjitha, Akademinë e tij në vendlindje.
Maqedonasit, as dje nuk zhgënjyen. Vrapuan, krijuan shanse, nuk patën fat, por nuk u dorëzuan.
Në fund, mbeten e vetmja kombëtare me Turqinë që shkojnë në shtëpi pa gola, por është turpërim t’i përmendim me një fjali me turqit. Një fakt tjetër për turqit, kundër Zvicrës, ekipi ka vrapuar 10km më pak, derisa në të tri ndeshjet, kanë pasur rreth 5km më pak vrapim se sa kundërshtari, dhe gati 10 goditjet më pak në portë – kundër Italisë, asnjë!
Maqedonasit, për më pak se tridhjetë vite ekzistencë si shtet, me konfliktet e brendshme, pos në Euro2020, kanë qenë katër herë pjesëmarrës të evropianëve në basketboll, 7 herë në Botëror e 7 herë në Evropian në hendboll për meshkuj, e 5 herë në Botëror e 6 herë në Evropian në hendboll për femra. Dhe mos të harrojmë, tri herë kanë pasur kampion evropian në hendboll.
E neve na mposht Luksemburgu në basketboll!
Rënia e Bllokut
Zhgënjyese ishin paraqitjet e Rusisë dhe Ukrainës.
Të parët patën disa raste, por e tepruan, dhe pastaj u shfaq Danimarka, me ndihmën e rusëve fillimisht, e cila nuk lëshoi pe. Një emër që nuk është vërejtur, as në ndeshje, e as në Premier League gjatë sezonit – Pierre-Emil Hojbjerg, i cili ka qenë i jashtëzakonshëm vitin e fundit.
Me këtë eufori, danezët mund të shkojnë edhe më larg se çerekfinalja, por nuk dihet sa u zgjatë.
Ukrainasit ishin të tmerrshëm ndaj Austrisë, me njërën nga paraqitjet më të dobëta të ndonjë ekipi në Evropian. Bënin gabime fillestare në pasim të topit, nuk e dinin ku janë, dhe një emër që nuk i nevojitet këtij ekipi është Zinchenko!
Austria bëri punën si duhet – shënuan, pastaj u mbyllën, dhe harkimet e tentimet për të prerë mbrojtjen në krahë ishin të kota për ukrainasit, sidomos marrë parasysh cilësitë që shfaqën lojtarët dje.
E mbrëmë, karshi Belgjikës, Finlanda ishte më e mira që kemi parë deri sot. Patën raste, kundër një Belgjike që luajti me rotacion të mençur nga Martinez, por ishte mision i pamundur për finlandezët.
Belgjika për të dytën lojë radhazi po ka probleme në çarjen e mbrojtjeve të ngjeshura. Si me Danimarkën, edhe me Finlandën, ngulmimi dikur u shpagua, pak për fatin e tyre, pak për dallim në cilësinë që kanë.
Por, një ngulmim i tillë, në rrethin e dytë, apo në çerekfinale ndaj Italisë, mund të mos iu shpaguhet, sidomos kur kemi parasysh një mbrojtje jo aq stabile, dhe të lëndueshme ndaj kundërsulmeve.
coviD-ja
Billy i infektuar, por ka fshirë videon ku ka qenë duke u argëtuar me bashkëlojtarët, me gjasë. Te Anglia mungojnë dy veta, dhe dikush do të thoshte që Gareth po taktizon tashti që të marrë pozitën e tretë në grup.
Fakti është që Anglia janë të dobët, ashtu siç ishin, por ndoshta ndonjë ndryshim në krahë mund t’i hapë pak më shumë. Ndërkohë, Kroacia s’duhet të ketë probleme me Skocinë pas situatës së fundit me COVID19.