Categories
Sport

EuroXhunglla D13 – Tridenti milanist

Në një çast, në terren, treshja e mesfushës italiane përbëhej nga Locatelli-Pessina-Cristante!

Ajo çfarë kanë të përbashkët të tre këta është që si futbollistë kanë ‘lindur’ në Milanello, duke kaluar nëpër grupmoshat e Milanit, para se të arrijnë tek ekipi i parë. Aty, Pessina nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje, duke u huazuar nëpër Serie C, derisa Cristante ka pasur tri ndeshje para se të kalonte në Benfica si 18 vjeçar. Locatelli ka luajtur tri sezone, para se të largohej për shkak se nuk ishte i denjë të startonte para yllit të Fatih Karagymrykut, Lucas Biglia!

Pastaj, mos të harrojmë portierin e Italisë, i cili si 16 vjeçar ka qenë startues në një ekip të Serie A, ku nuk kishe vend të startoje nëse nuk ishe në mesin e 30tave të “arta”. Milanistat pleq – si fansat, si lojtarët!

Kjo ide milaniste vazhdon edhe sot – në shitje e të shitur, Maldini, Hauge, Olzer, Colombo, e Bresciannini. Në hyrje e në prag, Giroud, Dzeko, Ibrahimovic!

Pushimi

Kush i helmoi italianët në pauzën ndërmjet dy pjesëve të ndeshjes?

Kur filloi pjesa e dytë, Austria ishte ajo që udhëhiqte lojën, dhe bënte gjithçka që kishte bërë Italia në pjesën e parë. Mund të themi që austriakët morën zemër për të sulmuar, por më e besueshme është që Italia, e lodhur nga tentimet e vazhdueshme në pjesën e parë për të çarë mbrojtjen austriake, vendosën të bënin atë që e bëjnë zakonisht – kundërsulmet.

Kjo qasje e Mancinit, i cili vonoi zëvendësimet, dhe më e keqja nuk guxoi të ndryshonte formacionin dhe qasjen në sulm, mbeti në 4-3-3, më bëjnë të besoj më pak që Italia vërtet mund t’ia dalë kundër ekipeve të mëdha në tri ndeshjet potenciale të mbetura.

I frikshëm ishte fakti që dje, GDS nëse s’gabohem, shkruante që Italia kishte përcaktuar pesëshen që do të shutonte penalltitë! Nëse kundër Austrisë përgatitesh për penallti, si do të përgatiten kundër Belgjikës apo Portugalisë?

Me pak fat, Austria do të mund të ishte në çerekfinale. Bënë punë të mirë, por nuk merituan më shumë. Bile arritën tepër!

92shi

Nuk jam aq dinozaur të kem përcjellë Euro92-shin, por kujtimet që përmendte mbrëmë njëri ndër komentatorët më profesionist në mediat tona, Arben Berisha, nga Euro96 ishin goxha të këndshme.

Finalja e Euro92 nuk është më e kotë se ajo e Euro2004!

Por, kjo Danimarkë e Euro2020, është shumë, shumë më atraktive se ish-kampionia e Evropës.

Në dy ndeshjet e fundit, Danimarka ka bërë futbollin ndër më të bukurit në këtë kampionat. Ishin fenomenal.

Dhe më pozitivja tek kjo kombëtare është fakti që sulmuesi i radhës që debutoi, shënoi dy super-gola, derisa Braithwaite, prishi agjërimin. Edhe më e mirë tek kjo kombëtare është ideja që qoftë Hojbjerg apo Delaney, qoftë treshja e qendërmbrojtjes, nuk frikësohen të bombardojnë nga jashtë zonës. Për cilindo ekip që fiton sot ndeshjen e orës 6, ndeshja çerekfinale s’do të jetë fare e lehtë kundër Danimarkës.

Çekia e Agim Çekut

Një tweet, ‘Arnautoviç është shqiptar aq sa Agim Çeku është çek’, më pëlqeu. Më pëlqeu sepse në një mënyrë godiste egon tonë që gjithçka, edhe hënat e Jupiterit, sidomos Ganimeda edhe Ersa, kanë lidhje me pellazgo-shqiptarët!

Nga Çekia kam pritur më shumë. Besoj që nëse nuk ndryshon ndonjë gjë në lojën e çekëve, me formën aktuale të Holandës, sot do të jetë vështirë të presin diçka pozitive.

Ndërsa, me Cristianon dhe Lukakun përballë, mbrojtjet jo aq stabile, duhej të prisnim 8-9 gola në mbrëmje. Do të ishte mëkat nëse të dy trajnerët do të taktizonin dhe të shkonim sikur ajo e mbrëmshmja, pa gola deri gati në penallti.

Nime, ku është Agim Çeku?