Njëjtë sikur me italianët, edhe me holandezët ndodhi e njëjta – kundërshtari ishte i mbyllur dhe priste që pasi të tërhiqte mirë kundërshtarin të befasonte me ndonjë kundërsulm. Dallimi i vetëm ishte që Austria bënte presing të lartë dhe të ashpër duke ndërprerë qysh në fillim çdo tentim për të hapur lojën me topa të gjatë në kënde. Prandaj, mund të fajësojmë përgjumjen e Berardit.

Për të shmangur një kundërsulm të tillë, ndoshta, italianët u tërhoqën në pjesën e dytë të lojës, duke mos rënë në kurth të austriakëve. E holandezët ranë në kurth, kryesisht nga papërvoja në mbrojtje.

Intervenimi me dorë i De Ligt dukej të ishte i qëllimshëm, duke i mohuar çekëve një rast të madh për shënim, dhe rrjedhimisht edhe kartoni i kuq ishte i drejtë, mendoj. Pas këtij incidenti, fajin mund t’ia kalojmë selektorit dhe përzgjedhjeve të tija të gabuara, por ndoshta, gabimi i parë i tij ishte vendosja të sulmonte me vetëm dy gjysmë-sulmues (as Malen, as Depay, nuk më duken 9she klasike, sikur Schick psh.).

Në pjesën e parë, kishim raste kur Malen dhe Depay bllokoheshin ndërmjet katër mbrojtësve dhe pesë mesfushorëve, derisa ndihma nga mesfusha holandeze mungonte, e krahët nuk mund të çanin as murin e parë çek, e lëre më të depërtonin për të shënuar.

Nuk mund të fitosh me kundërsulme kundër një ekipi që hyn për tu mbrojtur!

Dëshpërimi II

Për pesëmbëdhjetë minutat e parë të ndeshjes më interesante të rrethit të dytë do të mund të dremitnim. Edhe për pesëmbëdhjetë minutat ep arë të pjesës së dytë, ndoshta.

Dy ekipe, me sulmuesit më të mirë në kampionat, vendosën të luanin ‘mençur’ të sillnin topin lart e poshtë, të ishin, siç ia bën ‘legjenda’ Gareth Southgate, “pragmatik”.

Belgët fituan me një gjuajtje në portë.

Dhe për këtë, përsëri, e fajësoj Bernardo Silvan, i cili ndonëse pati disa raste kur ishte aktiv në mbrojtje, Thorganin e la të shëtiste i lirë para se të shënonte. Dhe nuk është hera e parë që Bernardo Silva dëshpëron në mbrojtje kundër ekipeve me krahë mesfushe. Robin Gosens!

Pastaj, sulmi i portugezëve ishte i qartë – harkime tek Cristiano, i vetëm me tre mbrojtës shtatlartë belg. Krahët ishin të fjetur, mesfusha që nga fillimi ishte e destinuar të mbrohej. Edhe pasi u aktivizua Bruno Fernandes, nuk kishin ide të sulmonin, të çanin Belgjikën, e cila u mbrojt. Thjesht, ishin të vendosur t’ia linin punën e sulmit, e luajtjes futboll, Portugalisë, kampionëve në fuqi.

Ndoshta, më së shumti nga kjo ndeshje përfitoi Italia.

Lëndimet e Edenit dhe KDB, janë nokaut i madh për belgët në misionin e tyre për të çarë mbrojtjen italiane. Luajtën, kështu të dëmtuar, apo nuk luajtën, Martinez duhet të mendojë diçka tjetër për Italinë. Italianët, krahët e sulmit, nuk janë si Bernardo e Jota. Italianët e kanë në shpirt mbrojtjen, dhe Belgjika duhet të dëshmojë që mund të çajë mbrojtje të ngjeshura, ani pse ka vuajtur shumë në grupe, ndaj ekipeve shumë më të dobëta.

Edhe më shumë shah?

Mbrojtje të ngjeshur do të duhej të vendoste edhe Zvicra, kundër Francës, por kjo nuk i ka ecur mirë deri më tani. Kampionët e botës duhet të sulmojnë, pa shumë taktizime. Maturia për pak sa nuk i kushtoi Italisë kundër Austrisë. Është e gërditshme të shohim ekipet favorite të frikësohen nga sulmi. Dhe do të kënaqesha sikur dikush nga këto të mëdhatë, me qasje të këtillë, të eliminohej. Sidomos Franca!

Dy ekipe më të barabarta në kualitet, do të duhej të matnin forcat, e të sulmonin, pa shumë taktizime. Humbja e cilësdo do të ishte dështim, por deri tashti, Spanja ka treguar më shumë nga loja, dhe ka një ekip më atraktiv.