Categories
Sport

EuroXhunglla D15 – E hëna më e mirë e vitit

Azpilicueta

Në dy ndeshjet e fundit, Spanja ka shënuar më shumë gola se sa në të gjitha ndeshjet e Kupës së Botës në vitin 2010, të cilën e kishin fituar. Prandaj, kur them që kjo Spanjë është më atraktive se ajo Spanjë, mendoj në ndeshjen e djeshme, që prapë është një ndeshje atraktive më shumë për Spanjën në Euro2021, se sa në Kupën e Botës në fjalë.

Luis Enrique ka pasur kritika të mëdha për përzgjedhjen e tij, për menaxhimin e situatës me ish-zëvendësin e tij, dhe të gjitha këto pas një tragjedie që nuk duhet ta përjetojë asnjë prind. Ky sukses, kjo Spanjë, është një shpagim deri diku për të gjitha ato kohë.

Sigurisht që Spanja ishte pak çaste para debaklit, dhe shumë ekipe, me mentalitet ballkanas, do të ishin rrënuar pas atij autogoli, që tregon edhe një herë se sa të panevojshme e të budallafta janë pasimet nga mesfusha tek portieri – siç sugjeronte një trajner i imi dy dekada më parë.

Por, më së shumti dje, personalisht, më gëzoi goli i Cesar Azpilicuetas, njërit nga djemtë më të mirë në futboll, i cili vazhdimisht është prezent tek Chelsea, ku çdo sezon luan nga 50 ndeshje, derisa nuk vërehet shumë, sidomos pas fillimit jo të këndshëm të këtij sezoni.

Nënkampionët e botës e përfundojnë këtë kampionat evropian me sulmuesit ende në agjërim. Budimir është i fundit sulmues që ka shënuar, 12 ndeshje më parë. Por, nuk është vetëm ky problem për kroatë. Mbrojtja, sidomos Gvardiol nuk dukej rehat në pozitën ku luante, derisa mesfusha nuk e kishte magjinë e dy viteve më parë.

Rodriguez

Dëshira e kolumnës së djeshme mu realizua. Dëshira e dytë – rënia e Francës dhe ekipeve të mëdha që luajnë me maturi!

Pa pikë nevoje, Deschamps manovroi me formacion duke e kthyer mbrojtjen treshe, që nuk është problemi kryesor i ndeshjes së djeshme. Vendosja, në fakt thirrja e Clement Lenglet, dikujt që kurrë nuk ka qenë qendërmbrojtës stabil, pas performancës së kënaqshme të Kounde, dhe duke pasur Zouman në bankë rezervë, ishte gabimi i parë, fatal.

I dyti gabim ishte vendosja e Rabiot në krah të majtë, që dëshmon atë ‘frikën’ e të mëdhenjve për të sulmuar. Rabiot as nuk u mbrojt, as nuk u zhvendos për të ndihmuar mesfushën qëndrore, as gjë… Coman, Thuram, e Lemar do të mund të luanin lirshëm si krah i majtë që do të ishte më ofensiv, duke i mundësuar Deschamps kthimin eventual të Pavard në krah të djathtë për të mbuluar Zuberin fantastik, ndonëse do të ishte problem kjo gjë.

As sulmi nuk ishin në formë, duke mos arritur të krijonin lidhje për një lojë të bukur e efektive. Merituan humbjen, ndonëse në fund Benzema, Mbappe, e Pogba bën ato çfarë u kërkohej.

Këndellja e Francës u nxit nga ai humbja e penalltisë së Rodriguez. Kolegu i Mërgim Vojvodës gjithnjë ka gjuajtur penalltitë tek Zvicra, por ka dy vite që nuk ka shënuar nga pika e bardhë. Dhe kjo ishte penalltia e tretë që humb gjatë kësaj kohe, prandaj, do të ishte mirë sikur Petkovic të mendonte dikë tjetër për penallti, e të mos i shtonte edhe më shumë presionin atij.

Pastaj Zuber, katër asistime në dy lojë, dhe çmontoi mbrojtjen franceze me depërtimet e tij. Pastaj ai asistimi i Xhakës për tek Gavranovic. Kur jemi tek lojtari i Dinamos të Zagrebit, po të kishte shënuar të gjithë ata golat që ishte zënë në ofsajd në këtë Euro2020, Gavranovic do të ishte në krye të listës së shënuesve. Ndoshta Cedric Itten a Albian Ajeti do të kishin qenë një rezervë e mirë për Zvicrën në këtë kampionat.

Zvicra, mbi të gjitha shfaqi mentalitet të fortë, duke mos u kthyer nga ai dorëzim për vdekje që erdhi në 5 minutat pas penalltisë së humbur, e edhe pas atij super-goli të Pogbës, i cili sikur u vetëkënaq aq shumë sa që mbante topin pa nevojë, duke ‘asistuar’ në golin e barazimit në fund.

Nga e hëna më e mirë e vitit, pos tërë asaj kënaqësie futbollistike, mund të marrim edhe dy mësime të durimit dhe mosdorëzimit, të fuqisë psikologjike në sport. Kjo na nevojitet.

E marta

Suedia e Ukraina mund të them që janë ndër ekipet me futbollin më të kotë që kanë shfaqur në fazën grupore e që takohen ndërmjet vete në këtë rundë. Edhe më shumë më shqetëson fakti që më e kotë mund të jetë ndeshja e shumëpritur e mbrëmjes ndërmjet dy shtyllave të futbollit botëror.

Nëse Gjermania vendos të marrë topin në posedim, diçka që do të ishte e gatshme Anglia e Southgate të bënte, atëherë, mund t’ia bëjnë anglezëve më keq se Portugalisë. Dhe nëse fitojnë këtë ndeshje me lojë bindëse, atëherë Gjermaninë nuk ka kush që e ndalë. As Italia!