Categories
Sport

EuroXhunglla D17 – Gjeneza

Enrico Chiesa

Mendoj që Federico Chiesa ishte ndër lojtarët më të nënvlerësuar tek Juventusi sezonin e kaluar. Personalisht, kam pritur të startojë më shumë ndeshje në fillim, por është shumë e kuptueshme të mos startojë para Insgines e Berardit. Në finale duhet të jetë muhabet tjetër.

Jo vetëm me Spanjën Chiesa ka qenë ndër ato pipëzat që ka hapur frymëmarrjen në lojën e Italisë. Dhe kjo ka qenë ajo Italia ‘tjetër’ të cilën e kemi parë në pjesën e dytë kundër Austrisë dhe përgjatë gjithë ndeshjes me Spanjën.

Është gjynah që Spanja nuk arriti në finale pas asaj super-loje kundër Italisë. Dhe kjo lojë do të duhet të kenë hapur sytë Mancinit dhe Southgateit.

Italia kundër Spanjës u kthye në gjenezën e saj – të luajnë pa top, të mbrohen dhe tentojnë kundërsulmet me topa të gjata, eventualisht duke shfrytëzuar pesëshen defensive – gjysma e tyre e plakur, dhe gjysma tjetër e papërvojë me kombëtaret.

Unai Simon disa herë prishi këto plane, dhe ishte me fat që nuk bëri ndonjë gafë tjetër.

E si asnjëherë më parë në këtë kampionat u shfaqën pikat kritike në mbrojtjen italiane e cila pa krahun e majtë, me krah të djathtë të adaptuar në Toloin, me Chiellinin e Bonuccin që disa herë harruan Oyarzabalin e Moratan, shfaqi dobësi. Luis Enrique për mrekulli zgjodhi këtë problem, por fatkeqësisht, s’mund të hynte e të shënonte vet golat.

Morata

Spanja në shumicën e ndeshjeve në këtë Evropian ka pasur problem të shënonte. Pos kundër Sllovakisë kur Dubravka hapi serinë të cilën nuk e patën zor ta vazhdojnë. E kjo seri vazhdoi edhe me Kroacinë, për tu humbur prapë kundër Zvicrës.

Fati nuk ndjekë të gjithë, vazhdimisht, dhe kjo duhet të vlejë edhe për italianët.

Do të jetë interesante të shohim çfarë qasje do të kenë në finale, e në mos kthehen në 343, apo në të preferuarën 352, duke lënë vetëm Insignen pranë Immobiles, ani pse mendoj që është një gjë pak e mundshme të ndodhë.

Edhe më shumë do të varet se si do të rreshtohen anglezët të cilët kanë manovruar disa herë me formacion.

Calvin Klein

Nuk ishin Calvin Klein brekët e Lord Bendtner, në vitin 2012, në ndeshjen e Danimarkës kundër Çekisë, në të cilat kishte reklamuar Paddy Power – një troll account që ndiqet nga fansat e statistikave. Dhe janë të njëjtit që debatojnë për teori konspirative bazuar në media mediokre, duke harruar finalet e Botërorit 2006 e 2010, e shumë gjëra që nuk janë në rregull me kombëtaret e ekipet e këtyre dy fituesve.

Southgate duhet të heqë dorë nga Kalvin Phillips për shkak se mesfusha e Italisë është më agresive se sa ajo e Danimarkës, ndaj të cilës mesfushori i Leeds kishte probleme. Sigurisht që ka opsione për të gjitha pozitat në fushë Southgate, dhe është ai që do të vendosë rezultatin e finales, pa marrë parasysh 22 lojtarët e Mancinin.

Deri tashti, Southgate ka menaxhuar mençur, ndonëse në shumicën e ndeshjeve me ka zhgënjyer me përzgjedhjet e tija.

Por, kundër Gjermanisë, Ukrainës, e Danimarkës, Anglia luajti siç duhet të luajë një ekip fitues. Mençur, sulmues, pa zhagitur lojën me ndërhyrje të rënda, e vonesa të topit në çdo largim të tij nga fusha. Dhe kjo është kultura e futbollit anglez – pa simulime, pa zhagitje loje. Përkundrazi, në 2 minutat e fundit të kohës shtesë mbanë topin duke e lëvizur gati nëpër tërë fushën.

Danezët u dukën të lodhur, dhe në pjesën e dytë u shfaq lodhja fizike, për të pasuar me atë psikiken tek ndërhyrja e dyfishtë në Sterling.

VARi amerikan

NFL ka vite që ka aplikuar llojin e VAR-it, ku fillimisht secili trajner kishte të drejtë së paku dy herë brenda ndeshjes të kërkojë rishikim të aksionit. E njëjta është zgjeruar në NHL e MLB, e së fundmi edhe në NBA.

Përsëri, NFL është pioniere në këtë, dhe më së shumti çka më pëlqen nga kjo është që ‘duhet të ketë mjaft dëshmi që vendimi fillestar i gjyqtari të ndryshohet’ nga ‘VAR’.

Në rastin e Sterlingut, kontakti i dyfishtë ka ekzistuar, dhe po të mos ishte ndalur si penallti nga gjyqtari, VAR s’do të duhej ta përcaktonte si penallti. Por, prapë, nuk ishte penallti e paqenë, pasi kontakti ekzistonte e asnjëri nga të dy lojtarët nuk ishin as afër topit, as duke lëvizur drejt topit sa drejt Sterling.

Por, është e kotë tu shpjegohet atyre që nuk janë objektiv.

Finalja

Në Uemblli, kemi një ekip që me meritë është në finale, dhe një Itali që bazuar në lojën gjysmëfinale, nuk meriton të jetë këtu. Por, bazuar në të gjitha ndeshjet e tashme në Euro2020, të dyja kanë qenë në një nivel, ani pse në fazën eliminatore Anglia ka luajtur futboll më atraktiv.

Por, futbolli atraktiv nuk të fiton tituj medoemos.

Italia ka fituar Botërorin 2006 pas një provokimi të mbrojtësit të tyre që kishte larguar njërin ndër lojtarët më të mirë të Botërorit, derisa kishte arritur aty me një penallti të paqenë kundër Australisë në 1/8 e finales. Anglia kishte fituar titullin e vetëm të Kampionit të Botës me një gol të dyshimtë në finale. Dhe atë Kupë të Botës, e kishin rrethuar konspiracione të shumta, sidomos nga mediat italiane dhe ato të Amerikës Jugore.

Çfarëdo qoftë rezultati, anglezët e kanë shijuar këtë garë, dhe do të shijojnë të gjitha tjerat, e do të këndojnë për të gjitha tjerat, edhe nëse bien në grupe. Do të vazhdojnë të këndojnë e shijojnë futbollin e ekipeve lokale, çdo të shtune pasdite, derisa do të ‘remix’-ojnë këngë të famshme për idhujt e tyre lokal. Humbën a fituan, nuk është fundi i botës për ta. Futbolli është jetë, dhe kjo është një kulturë që fatkeqësisht nuk kuptohet e adaptohet nga vendet tjera. Sepse, edhe të udhëtosh tërë botën, askund nuk gjen ndjenjën që gjen në shtëpi.

p.s. është EuroXhunglla e fundit, njëjtë sikur podcasti për EuroXhungllën… kthehemi me Olimpiadën tek Maniakë të Sportit… ndoshta…