Dorëzimi turk, receta Spinazzola, dhe një e shtune e qetë
Gabimet e Shenollit
Në pjesën e parë turqit kishin vendosur të mbroheshin. Dhe u mbrojtën, deri diku. Prapë, kishte një moment kur e ‘harruan’ Insignen; dhe një tjetër kur e harruan Chiellinin.
Nuk ishin të interesuar të sulmonin, linin Burakun të merrej me bashkëmoshatarët e tij, me ndonjë ndihmë eventuale në presing nga Yusufi.
Në pjesën e dytë, Senol Gunes, mori zemër dhe futi Cengiz Under, në krahun e djathtë, që të shfrytëzonte hapësirën që linte Spinazzola kur dilte në sulm. Jo që nuk shfrytëzuan hapësirën e lënë nga Spinazzola, por harruan Spinazzolan.
Mbrojtja e Turqisë nuk u kthye në pjesën e dytë. E harruan edhe Immobilen tek goli i dytë ku çuditërisht, kërkonin ofsajd, ani pse Immobile pati 4 lojtarë turq para tij (përfshirë portierin).
Pas golit të parë, Gunes vendosi të inkuadrojë edhe dy mesfushorë defensiv (Kaan luan më shumë qendërmbrojtës), dhe pësoi golin e dytë falë pështjelljes në formacion. Pas golit të dytë, vendosi të angazhoj edhe një sulmues të vetëm në vend të Burakut, para se në minutën e 80të të bien edhe psiqikisht nga loja.
Spinazzola
Siç e përmenda në podcast dje, çelësat e suksesit të Italisë janë Berardi dhe Insigne. Varësisht prej hapësirës që kanë këta dy lehtësohet dyfishimi në krahë, që më së miri u vërejt nga depërtimet e Spinazzolas, që ishte me meritë lojtari i ndeshjes.
Barrella ishte pika kyçe që ndihmonte Immobile në presing të lartë duke detyruar turqit të kthejnë topin mbrapa, e edhe të gabojnë në pasime në vijën e mbrojtjes. Mesfushorët kreativ falë mbulimit italian nuk patën asnjë prekje të duhur të topit për ta distribuuar tek Buraku.
Gjatë presingut, Italia kthehej në 4-4-1-1, duke kthyer Berardin e Insignen për të mbyllur krahët. Por, kjo ndodhi për pak kohë, pasi topi ishte i italianëve përgjatë pjesës më të madhe të ndeshjes.
Të huaj
Turqit ishin të huaj, iu nënshtruan italianëve, dhe luanin për një pikë apo ndonjë kundërsulm eventual. U nevojitet qasje tjetër ndaj Zvicrës e Uellsit, por për shkak që të dyja dinë të luajnë me 3-5-2, mund të kenë edhe më shumë probleme.
Italianët e bënë punën e tyre siç duhet. Varet nga rotacioni i Mancinit si do të kalojnë në dy ndeshjet e mbetura në grup. E rotacioni i nevojitet për të mbajtur të freskët e të çlodhur lojtarët për fazën finale, ku kundërshtarët duhet të jenë shumë më të fortë se turqit.
E shtunë e qetë
Ndeshja e parë e ditës, ndërmjet Uellsit e Zvicrës mund të jetë më e mira e ditës, për shkak që të dy ekipet do të kërkojnë të përfitojnë nga humbja e thellë e Turqisë. Humbje të thellë duhet të pësojë edhe Finlanda, varësisht se sa seriozisht nuk e marrin këtë garë. Rusia mund të dalë arrë e fortë për Belgjikën.
Për më shumë në podcastin e sotëm – https://open.spotify.com/episode/7GvJbR8wEaUXMuuqa1vMR2?si=b2a68f18876b4b51