Uemblli, nana shqiptare, dhe kthimi i futbollit
Shpija
Futbolli u kthye, por jo ‘në shtëpi’. Anglezët, ashtu siç prisja, luajtën larg asaj që pretendojnë e duan futbolldashësit anglez. Futboll me shumë taktizime, i bazuar në depërtime nga krahët, duke lënë futbollist kryesor një mesfushor defensiv. Kalvin Phillips ishte i shkëlqyeshëm në një ndeshje që në rrethana ‘normale’ s’do të niste (Henderson). Mbrojtja nuk pati shumë punë, dhe me këtë do të krenohen anglezët, deri në ndeshjen e radhës.
Kroatët nuk janë as afër formës së Rusia2018, dhe kjo ka qenë e pritshme. Me një qasje të ngjashme, shumë lehtë mund të kthehen në shtëpi pas fazës së grupeve, nëse nuk i përcjell fati kësaj radhe.
Strumica
Ndonëse shumë gjëra kanë ndryshuar që nga paslufta, stili i një komentatori të njohur, i cili gjithmonë na e kujtonte evolucionin e Goran Pandevit nga Strumica në Lazio e Internazionale, mbetet i njëjtë.
Goli i Pandevit, goli i Maqedonisë, ndeshja e parë në Evropian, përmbyllën misionin e tyre. Edhe më i lumtur jam për paraqitjet e Enis Bardhit (i cili ka pasur disa sezone të shkëlqyeshme në La Liga), Alioskit, Musliut, bashkëkombësve tjerë në ekipin e Maqedonisë.
Paraqitja e tyre, angazhimi i tyre dje, mos hezitimi të sulmojnë e luajnë futbollin e tyre është diçka që do të duhej t’i bënte krenar ata. E sidomos nënat e secilit futbollist! Një nënë që duhet të turpërohet është ajo e Arnautoviçit!
Kthimi
Futbolli u kthye në shtëpi, dhe atë në shtëpinë më të bukur – në Holandë!
Papritmas, Holanda tregonte hijen e së kaluarës, futbollin e tyre të bukur e kreativ. Jo që ishin dominues, jo që shfaqnin potencial kampioni, por dhanë më të mirën, njashtu si shikuesit.
Gjysma e kësaj merite i takon ukrainasve të cilët nuk hezituan të sulmonin e luanin lojën e tyre, edhe pse kjo u kushtoi me tre gola, kryesisht nga lëshimet e tyre në mbrojtje.
Ishte një përplasje e dy formacioneve, dy shtrirjeve, dy filozofive të ndryshme, dhe kjo prodhoi një ndeshje fantastike për pjesën më të madhe. Mos të harrojmë që një pjesë të madhe në madhështinë e kësaj ndeshjeje na kanë dhënë tifozët, të cilët nuk jemi mësuar t’i shohim aq shumë në numër e aq të zëshëm me kohë.
Futbolli u kthye!
E hëna e përzier
Duhet të kemi një Skoci me më shumë shpirt në tribuna se sa në lojë, pastaj një përballje të kotë të Evropës Qendrore, dhe në fund dy kultura të ndryshme futbolli, në dy stade të kundërta të zhvillimit.