Categories
Sport

EuroXhunglla – Dita 5

CR7kordmeni, F-ja, dhe shapi e sheqeri

Numrat e Cristianos

Në gjashtë ndeshje të Kupës së Botës të vitit 1958, Just Fontaine ka shënuar 13 gola për Francën. Atëbotë 25 vjeçar, Fontaine kishte shënuar 4 gola në ndeshjen për pozitën e tretë, derisa Pele pas het-trikut kundër Francës në gjysmëfinale (5-2), kishte shënuar edhe nja dy në finalen e famshme kundër Suedisë.

Fontaine e njohim vetëm ne hutat e futbollit, e Pele…

Cristiano Ronaldo u bë futbollisti me më së shumti gola në kampionate evropiane, duke tejkaluar rekordin e presidentit famëkeq Platini, i cili të gjithë golat kishte shënuar në vitin 1984, përfshirë edhe atë në njërën prej finaleve më të mërzitshme të kampionateve evropiane.

Cristiano, me apo pa këtë rekord do të mbetet në histori si njëri ndër më të mirët që ka luajtur këtë sport, dhe që ka qenë pjesëmarrës në këtë garë qe 16 vite duke shënuar në të gjitha edicionet.

Në fund të fundit, rekordet e statistikat u mbeten vetëm pasardhësve dhe hutave të futbollit, por mbi të gjitha, atyre që nuk dinë ta përshkruajnë futbollin ndryshe! E magjia në fushë, vetëm atyre që e përjetojnë futbollin!

Nënçmimi i F-së

Në grupin F kemi dy kampionët e fundit të botës, dhe kampionin e fundit të Evropës. Pra, në këtë grup kemi tri kombëtaret që kanë fituar tri garat më të mëdha në futboll në 7 vitet e fundit. Disi nuk po e përmendim këtë fakt mjaftueshëm, ndoshta për shkak të madhështisë së Francës.

Franca pati dy gola të anuluar, me të drejtë, dhe një rast që Mbappe kaloi gjysmën e fushës për tu ndalur përsëri nga Hummels.

Rrjedhimisht, ky aksion i Mbappes, mbetet sikur çdo aksion tjetër që nuk sjellë rezultate. Ngjashëm edhe këto gara – nuk mjafton të luajnë një ndeshje apo të shënojnë një gol, nëse në fund nuk arrihet qëllimi për të cilin kanë ardhur ekipet e lojtarët.

Lojtarët e Francës ishin nën pritjet e mija, dhe të shumicës besoj. Rezultati prej 1-0 nuk dëshmon si qëndruan punët në fushë – gjithçka zhvillohej me diktimin e francezëve, e të cilët në fund nuk dolën të jenë aq bindës.

Gjermania ishte ekip që kishte pranuar faktin që janë më të dobët se Franca. Ngjanin në Turqinë e Hungarinë, për të keq! Sigurisht që ndeshjet në vijim do të jenë më të “lehta”, por edhe kjo Francë nuk ishte ndër më të “fortat”.

Ndoshta edhe po e mbivlerësojmë Francën. Mund të jenë 46 lojtarë të denjë për Evropian, por në fund të fundit vetëm 10 janë në fushë, dhe varet se çfarë harmonie kanë ndërmjet vete.

Kripë minerale që të rrudh gojën

Ky është definicioni i shapit, të cilin në popull e përdorim vetëm për të definuar zotësinë e dikujt për të ndarë dy gjëra të ngjashme, në këtë rast “shapi prej sheqerit”.

Rrethi i dytë është ky moment kur do të shohim sot se sa të fortë janë rusët – qasja e të cilëve më ka pëlqyer, bashkë me ukrainasit, që nuk hezituan të sulmonin në rrethin e parë kundër rivalëve më të mëdhenj; sa do të mund të mbrohet Finlanda; a do të dinë të sulmojnë turqit, dhe njëmend sa të mirë ishin italianët në rrethin e parë.