Categories
Sport

EuroXhunglla – Dita 7

Lukaku, Romelu Lukaku

Fituesit e humbjes

Në futboll, asgjë nuk ka rëndësi nëse në fund nuk shënon fitore.

Megjithatë, në shumicën e rasteve, vetëm njëri ekip mund të fitojë, derisa tjetri duhet të mbledhë atë çfarë i mbetet. E Maqedonia Veriore ka qenë fituesja më e mirë e këtij kampionati, ani pse nuk kanë shënuar asnjë fitore. Për mua, mbetet debutuesja më e mirë, ndonëse Finlanda ka një fitore.

Edhe dje, maqedonasit nuk u përmbajtën. Vrapuan, lëvizën me e pa top, sulmuan, shënuan gola, njëri ofsajd e tjetri pas penalltisë së humbur, dhe nuk u ndalën deri në fund. Edhe Pandevi 37 vjeçar vraponte më shumë se disa futbollistë tanë, yje të instagramit.

Kam vërejtur që ekziston njëfarë inati ndaj Maqedonisë Veriore, dhe faktit që janë kualifikuar në Evropian. Kjo është “bullshit”!

Kanë bërë me hile maqedonasit?

I ka ndihmuar gjyqtari?

Thjesht kanë qenë më të mirë se ne, dhe në këtë kampionat evropian po shfaqin ndeshje më të mira se që do të shfaqte Kosova, bazuar në formën e fundit! Nejse, dikush luan me Austrinë e Holandën, dikush zgjedh të mat forcat me San Marinon e Maltën! #FFKOut

Pjesa e dytë

Witsel, De Bruyne, Eden Hazard, gjetën më shumë kohë në fushë, dhe në ndeshjen më të rëndësishme të Belgjikës në fazën grupore shkëlqyen!

Çfarë gola, çfarë futbolli!

Dhe atë pas një pjese të parë anemike të Belgjikës!

Fitorja erdhi, por Belgjika nuk është ende duke treguar një formë kampioni. Mbrojtja ende ka problemet e saja, dhe kishte raste kur Denayer – qendërmbrojtësi kryesor ndiqte Delaneynin, mesfushorin qendror danez deri në kënd të zonës, afër kornerit! Ide e mirë e Martinez që të testojë të gjitha opsionet e kombinimet e mundshme, për të cilën gjë do të ketë edhe një ndeshje në dispozicion, të cilën assesi nuk do të guxojë ta humbë.

Më së shumti më pëlqeu fakti që Romelu Lukaku nuk u la në hije nga ‘ekspertët e livescore’.

Në letra, në statistika, Lukaku s’do të duket që ka bërë asgjë të veçantë. Por të dy golat lindën nga Lukaku, i cili ende është ndër Top9shat në botë, e me shumë gjasë më i miri për momentin!

Denzel Amsterdam

Denzel Dumfries përsëri shënoi, në atë që ishte edhe një fitore e Holandës, ndaj një rivali edhe më të dobët, por i cili rrezikoi goxha shumë gjatë pjesës së dytë. Holanda me këtë ka siguruar pozitën e parë në grupin C, e cila në rrethin e dytë i dërgon në Budapest ku presin të tretën nga grupi F – Portugalia, Gjermania, Franca, ose Hungaria! Nejse, të jemi të sinqertë – njërën nga tri të parat, por edhe po të arrijë të kualifikohet Hungaria, para atyre fansave, mund ta mposhtë Holandën.

Holandezët patën probleme me Ukrainën, e edhe me Austrinë mbrëmë. Dhe atë para një arene të mbushur në Amsterdam. Humbën disa raste, dhe nuk duket që kanë ndonjë ide si të maten me një ekip që sulmon pas rënies në disavantazh, e lëre më kundër një ekipi superior që do të dominojë ndeshjen kundër tyre.

Holanda janë të mirë, edhe për një ndeshje të fundit. Shpartallimi vjen në rrethin e parë eliminator. Por, nëse kalojnë atë rreth, atëherë gjysmëfinalja është e sigurt!

Lufta britanike Përballja e mbrëmjes do të jetë më shumë se sa një ndeshje futbolli. Besoj që skocezët do të mundësojnë një lojë më të hapur, me më pak taktizime se sa që bënë kroatët. Tri orë më herët, kroatët duhet të shfaqin një tjetër fytyrë nga ajo e Uembllit kundër Çekisë. Ndeshja e parë, janë sllovakët me suedezët, dhe nuk e kam idenë se çfarë mund të ndodhë