Deutschland Uber Alles
Himnet
Disa e preferojnë himnin italian, supozoj për shkak të ritmit e melodisë, por nëse shohim tekstin, janë dy fjalë që bien në vesh – Italia dhe morte (vdekja). Nëse lexoni himnin italian, e shihni një gatishmëri të paparë për të vdekur.
Në anën tjetër, nëse shkojmë për shembull te himni gjerman, shohim një krenari për vendin, për bukurinë, besnikërinë, bashkimin – “blühe, deutsches Vaterland”.
Mendoj që himnet janë një pasqyrë e popullit, vendit, dhe shumëçka mund të mësojmë për vendin e popullin në fjalë. Dhe ashiqare, gjermanët dalin të jenë popull që nuk mendojnë vetëm për vdekjen, jo shumë emocional, por punëtorë dhe të përmbajtur. Njashtu e shohin edhe futbollistët lojën.
Nëse e gjejnë një metodë për të qenë më efektiv, e shfrytëzojnë, deri kur të mbinë ajo ndjenja e dhembshurisë sikur ishte rasti me Brazilin shtatë vite më parë.
Mbrojtja portugeze
E kam përmend në fillim të kampionatit që mbrojtja portugeze është pika më e dobët e tyre, dhe kjo dje u shpërfaqë nga gjermanët më së miri.
Dy autogola për pesë minuta sigurisht që do të lëndojnë psiqikisht. Dhe gjermanët, po të mbështeteshin në principet e tyre, do të duhej të shënonin edhe nja 4-5 gola deri në fund.
Gosens pati ndeshjen e karrierës dhe më në fund po vërehen aftësitë e tija të vërteta, e me Kimmich të gjithë jemi të njoftuar vite më parë. Që të ishin të lirë në kundërsulme, pa u mbuluar nga askush, dhe do të ishin edhe më të rrezikshëm po të kishin një 9sh klasik si Mario Gomez në qendër të sulmit, në vend të Gnabryt dje. Edhe më mirë ishte vendosja e Havertz e Muller, të cilët në pozita ndihmëse shpesh përzinin vijën e mesfushës portugeze.
Promaja
Kanë qenë disa momente kur përballë katërshes së fundit portugeze kanë qenë 5-6 gjermanë. Ndërkohë, vija e mesit, ajo që do të duhej të ndalte depërtimet gjermane, vetëm i shikonte nga mbrapa.
Ishte e qartë që nga fillimi që gjermanët do të sulmonin nga krahët duke hapur lojën, e për të mbyllur këtë, Jota e Bernarndo Silva do të duhej të ishin shumë më aktiv në mbrojtje se sa në sulme. Asnjëri nga ta nuk mund ta bëjë këtë për momentin. Jota ka luajtur qendërsulmues në shumë raste, derisa Bernardo Silva edhe 10sh.
Më kujtohet kur dy-tri vite më parë, ‘fansat’ e Cityt (po i njihni ju nga kanë ardhur e për çfarë arsye), e konsideronin Bernardo Silvan si më i miri portugez, duke provuar të nënçmonin Cristiano Ronaldo. Ah, kohë të arta, kohë të dhimbshme!
Ndoshta edhe ishte faji i trajnerit që provonte të mos u nënshtrohej gjermanëve duke i mbajtur në pozitat e tyre sulmuese Jotan dhe Bernardon, edhe në pjesën e dytë të lojës. Por, gjermanët nuk ranë pre e frikës eventuale ndaj kundërsulmeve, dhe vazhduan punën e tyre.
Pra, ishte një lojë shahu ndërmjet dy trajnerëve, dhe mungesa e respektit gjerman ndaj portugezëve i shpërbleu në fund. Sigurisht, ka pasur rreziqet e veta kjo qasje, por nëse nuk rrezikon në Evropian, për çfarë luan futboll?
Për dy ndeshjet e tjera që përfunduan baras, 1-1, nuk ia vlen të humbet kohë kur kishte një ndeshje futbolli atraktiv me gjashtë gola.
Fillimi i fundit dhe fundi i fillimit
Italia dhe Uellsi duhet të bëjnë rotacion aq sa u mjafton të mbesin baras. Ky rezultat do të vendoste Italinë kundër Austrisë apo Ukrainës, dhe Uellsin kundër Rusisë, Finlandës, apo Danimarkës. Të pesë këto ekipet janë të një kalibri, dhe tekefundit s’do të ishte ndonjë punë e madhe edhe do të kishte rezultat tjetër pos barazimit. Por, ju nevojitet rotacioni para fazës finale.
Tek Zvicra dhe Turqia, pres mos dikush tjetër i ka lyer flokët, me shumë gjasë ndonjë turk me të kuqe për të shfaqur patriotizmin, sepse gjë tjetër nuk kanë!