Categories
Sport

EurXhunglla 16 – Shën Thomasi i Oberbajernit

Gjërat që i duam na tregojnë çfarë jemi

Pas përfundimit të garës së parë të madhe në futboll, dhe penalltisë së humbur të Roberto Baggios, fëmijët e lagjes tregonin si e kishin vrarë futbollistin me bishtalec për shkak se kishte humbur penalltinë vendimtare.

Dikujt të pjekur do i ishte dukur e pakuptimtë, por për fëmijët ishte gjithçka e mundur.

Në fakt ishte vrarë dikush, por nuk ishte Roberto Baggio. Historinë e të vrarit dhe vrasjes mund ta mësoni në dokumentarin e ESPN, ‘The Two Escobars’.

Katër vite më vonë, Luigi Di Biaggio do të humbte penalltinë vendimtare për Italinë, shumë më herët se finalja. Por, këtë nuk e mbajmë në mend. As Luigi Di Biaggion (paraardhësin e Mancinit), e periudhën e tij në krye të Italisë U21, nga e cila periudhë sot janë gjysma e ekipit italian në Euro2020.

Këtë kampionat kemi pasur nëntë autogola – më shumë se të gjithë autogolat në kampionatet evropiane që nga viti 1960 deri në Francë. Penallti të humbura, shtylla në kohën shtesë, e raste të qarta të humbura.

Janë gjëra që ndodhin, edhe në jetën e më të mirëve, në momentet më të rëndësishme të jetës. Por, shumica shpaguajnë veten dhe shkojnë e bëjnë gjëra edhe më të mira.

Kujdes nga njeriu me vetëm një libër (të lexuar)

Futbolli është loja më e bukur, ani pse patinazhi artistik e gjimnastika janë gërshetim i sportit me artin, e atletika është vet definicioni i sportit. Nuk e përjashtojnë njëra tjetrën si sporte për mua.

Ngjashëm nuk duhet të përjashtojnë garat, ekipet, apo ligat njëra-tjetrën. Ne përqendrohemi në vetëm një ekip, vetëm një lojtar, apo qysh e kemi adet – vetëm një kombëtare – me idenë që nëse i dedikohemi vetëm një gjëje, jemi më besnik ndaj asaj gjëje. Ka shumë veta që e bëjnë një lojtar a një ekip zot me këtë lloj adhurimi. Dhe nuk është problem nëse ashtu ndjehen.

Problemi është që nëse dedikohemi vetëm në një ekip, vetëm në një lojtar, humbim shumë nga futbolli, nga sportet tjera, nga filozofia, nga jeta.

Për atë që ka besim, nuk ka nevojë për shpjegim. Për atë që nuk ka besim, asnjë shpjegim nuk kryen punë.

Futbolli është subjektiv, i pashpjegueshëm, i paarsyeshëm, pa lidhje.

Nuk mundemi të shpjegojmë pse ndodhin disa gjëra në futboll, pse Coman godet shtyllën në fund të vazhdimeve e Mbappe humb penalltinë, kush i helmoi italianët në pushim ndërmjet pjesëve ndaj Austrisë, pse Xhaka i ngjyrosi flokët, pse na ka zënë gjumi në fillim të pjesës së parë ndërmjet Suedisë e Ukrainës, pse Turqia është aq e kotë. Nejse, këtë të fundit e shpjegojmë, bile e kam shpjeguar.

Kur shohim futboll, kënaqemi, kapemi për flokë… nejse, kapeni për flokë, bërtasim, ofshajmë, na skuqen sytë, djersitemi, pimë çaj përkundër djersitjes, hamë stresin derisa shtojmë peshë, dhe në fund mbesim të lumtur a të dëshpëruar, varësisht se çfarë ekipi duam. Është kjo ‘rollercoaster’ emocionesh që definon futbollin dhe dashurinë për të.

E këtë dashuri nuk mundemi ta shpjegojmë me statistika të kota!

Shpesh kundërshtojnë njëri tjetrin me statistikat që nuk kanë kurrfarë vlere nëse nuk jeni një skaut, apo nëse nuk luani në fantasy. Bile, as në fantasy nuk ju japin pikë përqindja e pasimeve të sakta, mbajtja e topit, kqyrja e shtremtë ndaj kundërshtarit. Janë ndoshta metoda për të arritur te fitorja, por badihava statistikat e Francës, Gjermanisë, Holandës, e Portugalisë. Ato mund të mbledhin tash statistika e të analizojnë sa të duan për 20 orët e mbetura të ditës. Në katër orët tjera mund të shohin futboll.

Nuk ia vlen të hallakasim numra që ta bindim dikë që lojtari ynë apo ekipi i tij, janë më të mirë, apo të arsyetojmë pse ka ardhur ai apo ky rezultat. Është e kotë.

Raheem Sterling

Pas një goli tepër të bukur, Pogba u kthye në rolin e dëmtuesit duke humbur topin që shpiu tek goli i Gavranoviçit. Njëjtë dje, Sterling humbi topin në mesfushë, të cilin top Kai Havertz – i shkëlqyeshëm dje – e dërgoi tek Thomas Muller, i cili në dhjetë nga dhjetë raste të tilla shënon. Pos dje.

Muller mbetet njëri ndër lojtarët më të mirë gjerman të dekadës së fundit, të erës së Low. Nuk do të mund të fajësojmë atë rast për dështimin gjerman në këtë kampionat, kur kanë qenë nën nivelin e tyre në çdo ndeshje, pos ndaj Portugalisë. Për Zotin, Hungaria qe afër t’i eliminonte.

Por, një moment të ndryshon mbiemrin që do të marrësh në fund të ndeshjes, ashtu siç ndodhi me Rodriguezin kundër Francës.

Shtypi britanik është i pamëshirshëm, sidomos pjesa dërrmuese që kontrollohet nga Rupert Murdoch. Po të humbiste Anglia, që e ka ‘egjel’ Gjermaninë, nga ai gol i Mullerit, Sterling do të gozhdohej i gjallë, para se të kalohej tek Southgate, Kane, e me radhë. E njëjta nuk ndodh në Gjermani. Gjermanët kanë jetë edhe jashtë futbollit, ashtu siç duhet të kemi të gjithë.

Më bëhet qejfi për anglezët, të cilët më në fund e kalojnë atë pengesën psikologjike të quajtur Gjermani. Nuk është e thënë që do të kalojnë Ukrainën, por Southgate dje dëshmoi që vërtet ka diçka në mendje. Dhe presioni tashti veç sa vjen e rritet sepse deri në finale nuk kanë kundërshtarë që do ta konsideronin më të fortë se ta. Por, kush po të pyet sa je i fortë?

Shën Thomas Aquinas

Thomas Aquinas-in, ndonëse ka jetuar në fund të Mesjetës, do e konsideroja si katalizator kryesor të Renesancës. Nëntitujt janë citate të tija, derisa njihet si ndër filozofët më të mëdhenj në histori të njerëzimit, dhe i pari që nisi të digjte murin ndërmjet filozofisë dhe fesë.

Sot ma shumë filozofi, e për futboll, në podcastin para çerekfinales.