Për shumëkënd Audrey Hepburn është ikonë e një zonje me klasë, një mbërthim i bukurisë dhe çiltërsisë. Por, tek filmi ‘My Fair Lady’ ajo vjen në një luleshitëse që flet një anglishte rrugore. Në luftë për të mbijetuar derisa bën këtë zeje, këtë anë të saj arrin ta shfrytëzoj një gjuhëtar, profesor fonetike i cili është në hulumtim të dialekteve të ndryshme. I pandehur në plan të parë si një polic i fshehtë që heton ilegalitetin, ai ndeshet me luleshitësen Eliza Doolittle.
Në zënkën e këtyre dyve, derisa Eliza merr qortime dhe nënçmime nga më të ndryshmet nga Profesori Henry Higgins, ndërhyn koloneli Hugh Pickering. Befas këta dy mësojnë që ndajnë të njëjtin interesim – dashurinë e veçantë për njohuritë shtesë të dialekteve dhe gjuhëve në planetin tonë. Gjërat ecin me nxitim dhe këta dy bëjnë një bast që Profesori Higgins mund të bëj një zonjë të rëndë nga Eliza, duke kamufluar prejardhjen e saj të vërtetë.
Rex Harrison, Wilfried Hyde-White e Stanley Holloway vijnë në rolet e karrierës. Dy të parët vijnë në rolet e profesorit Higgins dhe kolonelit Pickerinh, derisa Holloway luan rolin e babait të Elizës. Së bashku me Harrisonin, Holloway ka qenë i nominuar për Oskar. Për të njëjtin çmim ka konkurruar edhe Gladys Cooper që në film sjell nënën e profesorit, e njohur për mbledhjet e saja snobiste.
Babai i Elizës është një pijanec i cili këtë gjendje e sheh si një shpëtim nga jeta e zakonshme me plot brenga e obligime. Nuk punon, vetëm pi, këndon e vallëzon. Niset tek profesori për të marr para, veç aq sa kërkon, as më shumë as më pak që të vazhdoj qejfin e tij. Ndërkohë Eliza nis misionin e saj të vështirë për të treguar për shirat në Spanjë, e uraganet në Hereford.
Është film muzikal. Nuk mbetet karakter pa kënduar, përfshirë edhe babanë e Elizës i cili ka nja dy-tri pjesë shumë komike gjersa këndon. Harmonitë e dueteve e koreve kur këndojnë janë të shkëlqyeshme, mbresëlënëse që të mbeten ushqim për veshët për një kohë jo edhe të shkurtër pas përfundimit të filmit. Fjalë-shpeshtat janë pjesë kyçe e këngëve, por pa përjashtuar dialogët të cilët janë mirë të përpunuar.
Filmi nuk ka hapësirë boshe, momente rikujtimesh me muzikën në sfond derisa në plan të parë qëndron pothuajse një kornizë natyre të vdekur. Ka lëvizje në botën imagjinare të karaktereve, Elizës kuptohet. Por, mbi të gjitha arrin të sjell të gjitha ngjyrimet e emocioneve të karaktereve, tranzicionin e tyre, të gjitha këto të pasqyruara me anë të strofave bukur të shkruara.
‘My Fair Lady’ është shpërblyer me tetë Oskar. Muzika dhe zëri më i mirë nuk mbesin aspak mbrapa aktrimit të Rex Harrisonit i cili bën punën e karrierës, njëjtë si pjesa tjetër e kastit. Ndërkohë për George Cukor është vepra që kurorëzon një karrierë të suksesshme pas katër nominimeve të mëhershme. Për mua, që më pëlqejnë ky zhanër i filmave i prodhuar në këtë periudhë kohore sidomos, është një film i shkëlqyeshëm. I përkryer. Nota personale: 5/5