Disa prej kujtimeve ma të këqija burojnë nga disa prej familjarëve më “të afërt.

Edhe, për me ruajt traditën, gjuhën, zakonet, e bërllogjet tjera kombëtare e fetare, afërsia familjare shihet si imperativ në jetët tona të përditshme.

Akoma pritet të jemi prezent në varrime a dasma të nipave të çikës së hallës së prindit të vdekur.

Edhe pse?

Që të duken më shumë veta në ato ceremoni, e që në mënyrë banale do të duhej të përkthehej në dashurinë që kanë shoqëria për atë të ndjerë, apo për atë çift që po martohet.

Ngjashëm, përvjetorët e fakultetit, gjimnazit, fillores, fillores së ultë a si po i quajnë tash, bashkë me mësimdhënësit, organizohen që të qëndrojmë së bashku, në kontakt.

Apo mos ndoshta për të krahasuar njëri-tjetrin, xhelozuar më shumë, a çka po di?

Derisa, janë disa nga po ata “shokë e shoqe, e mësimdhënës”, që na kanë terrorizuar në momentet më të ndjeshme të jetës sonë.

Dhe pse i pranojmë këto?

Pse dorëzohemi para këtyre sfidave që na nxjerrin vetëm më të këqijat nga e kaluara jonë?

“Keeping Up Appearances”…

Që mos të dukemi të përjashtuar, të ndarë, dele e zezë?

Renditemi në hekurudhën që na drejton për në pikën që na rikujton torturat.

Sakrifikojmë shëndetin tonë mendor për këto, thuajse nuk kemi bërë mjaft sakrifica gjatë tërë jetës.

“Jo” është fjala më e fuqishme në fjalor!

Edhe sa ma shumë e përdorim, aq më të fuqishëm ndjehemi. Sidomos kur e themi karshi gjërave që na mundojnë, e na turbullojnë barkun e mendjen.

Jo…

Sepse lidhjet familjare, shoqërore, janë të “mbivlerësuara” edhe jo medoemos duhet të zgjasin përjetësisht.

Në gjithë ata njerëz në botë, sigurisht që ka edhe të atillë që na kuptojnë, na përkrahin, e na duan.

Janë të tillët, shumë që kurrë nuk kam takuar, që më kanë përkrahur, më kanë shfaqur dashuri e mirësi, më shumë se disa prej të lartpërmendurve.

Sepse…

Disa prej kujtimeve ma të mira burojnë nga disa prej njerëzve më të largët, pa asnjë lidhje gjaku, apo lokale.

Të këtillët, shpesh kalojnë nocionin klasik të familjes, duke u bërë ajo familje e gjerë që kurrë nuk do të duhej ta kishim.

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: