Categories
TV Reviews

Fargo – Sezoni 4 (pa spoilera)

Jeta s’është asgjë tjetër pos një garë që të bëhesh kriminel e jo viktimë.

Kanzas Siti, shteti i Mizurit, viti 1950.

Këtu zhvendoset sezoni i katërt i Fargos, që si një seri antologjike – që ndërron temën dhe ansamblin çdo sezon – është ndër veprat më artistike në televizion aktualisht.

Si çdo sezon paraprak, edhe ky i fundit është i bazuar në ngjarje të vërtetë, të ndërlidhur qoftë edhe në mënyrë minimale me sezonet tjera. Dhe si çdo sezon paraprak, edhe ky sezon kryqëzon shumë karaktere me histori të ndryshme në një ngjarje në të cilën disa prej karaktereve që marrin më shumë hapësirë se ndikimi direkt që kanë në rëndësinë e zhvillimit të historisë, e mbi të gjitha, nevojitet kohë për të shpalosur historinë e njohur karakteret.

Historia në sezonin e katërt nis 30 vite para ngjarjeve të vitit 1950 në Kanzas Siti të Misurit. Dy familje që sundojnë nëntokën, irlandezët dhe çifutët, shkëmbejnë të bijtë e shefave si ‘hipotekë’ sigurimi. Pasi shfarosin çifutët, irlandezët shfarosen nga italianët. Dhe tani, italianët lidhin të njëjtën ‘besë’ me familjen e të përndjekurve nga Jugu racist, të udhëhequr nga afrikano-amerikanët, Cannon Limited.

Lideri i kësaj familjeje është karakteri i Chris Rock, i cili lidh marrëveshje të ngjashme me italianët, dhe që nga ai moment ‘hyn në fuqi’ edhe thënia në fillim të këtij recensimi.

Aktrimi i Chris Rock është tejet ‘serioz’, diçka që bën për merak. Më komike janë ngjarjet që ndërlidhen me partnerin e tij biznesor nga familja italiane, Jason Schwartzman i cili nuk ka dukje shefi nëntoke, por pasi që është vëllai i madh, kërkon me çdo kusht respektin nga vëllai i tij i vogël Gaetano Fada (Salvatore Esposito). Zënka ndërmjet vëllezërve Gaetano e Zhosto vjen pasi babai i tyre vdes në spital ku përfundon pas një aksidenti që pandehet për një lloj atentati. Kjo bindje shtohet kur ai vdes në mënyrë të mistershme në spital pas ‘kujdesit’ të infermieres Oreta Mjefllauer.

Jesse Buckley është e mahnitshme në rolin e infermieres, si një karakter ekscentrik që bën lëmsh jetën e të gjithëve. Edhe më madhështor është Timothy Olyphant i cili vjen në qytet në kërkim të dy të arratisurave nga Juta (kampionët e ardhshëm të NBA-së #goJazz). Gjatë këtij kërkimi, ai ka nevojë për ndihmën e oficerit të policisë, Odis Vef, i zhytur në korrupsion, kryesisht për shkak të problemeve të tija nervore.

Dhe ngjarja vazhdon e lidhet e lidhet, si një orkestër e thurur në detaje minimale që mund të shtjellohen veçmas secila, dhe të na mrekullojnë me artin që mbajnë në vete.

Nuk guxoj ta krahasoj me sezonin e parë të ‘Fargo’, por sfidon sezonet e tjera lirshëm. Art. Nota personale: 5/5