Categories
Milan

Fatkeqësisht ishte Juventusi!

Para disa javëve pata shkruar artikullin Shyqyr që ishte Parma. Aty kishte kritika shumë të ashpra pse po nënçmoja skuadrën tonë, e edhe atë të Parmës. Qysh atëherë thoja se nëse na vjen ndonjë Real apo skuadër më e madhe, Juventus, do të kemi probleme. Javën e kaluar kundër Napolit arritëm të fitojmë me zor e me fat. Nuk ishte me zor sikur manipuluam ndeshjen apo gjyqtarët, por me zor arritëm të përfundonim ndeshjen me epërsi. Ishim me fat që shënuam dy gola dhe të dy falë harkimeve të Odos.

Në rregull Odo, nuk është lojtari që ka qenë më herët. Në fillimt të sezonës unë e kam parë atë si mbrojtësi i djathtë kryesor. Nuk është për mbrojtje, por së paku është për sulm, ndryshe nga zgjedhjet e Allegrit, Bonera e Abate. Dy harkime të tij na sollën dy gola dhe tri pikë ndaj Napolit. Por, ajo ishte të hënën e kaluar, dhe le t’i kthehemi ndeshjes së mbrëmshme.

Nesta dhe Gatuzo ishin të vetmit që shërbyen ndonjë gjë, përfshirë edhe Robinjon deri diku. Të tjerët… E po të tjerët shërbenin për të plotësuar numrin prej 11 vetash sa nevojitet për të filluar një ndeshje.

Abiati ishte hero ndaj Napolit. Ka patur pritje shumë fantastike. Goli ndaj Napolit ishte i ngjashëm me atë të dytin mbrëmë. Huti në mbrojtje. Abiati nuk di, nuk besoj se ka mundur të bëjë më shumë në golat mbrëmë. Ka intervenuar mirë në disa raste, ka qenë solid, pra nuk mund ta fajësojmë Abiatin për dy golat e Juves.

Në mbrojtje kishim vetëm Nestan. Të tjerët nuk shërbenin asgjë. Milani gjithmonë në dekadën e fundit ka sulmuar me dy mbrojtësit anësor. Tani as nuk po sulmojmë as nuk po mbrohemi me ata. Bonera ku ta futësh dështon. E kam thënë edhe më herët, ky lojtar nuk është për Milanin. E as Antonini. Tri vite në Milan, dhe asgjë që të mbahet në mend. Ka dështuar totalisht. Është fajtori kryesor për turpin që pësuam nga Mançester në San Siro sezonin e kaluar. Dhe vazhdon të jetë turpi ynë. Është e vërtetë që nuk kemi mbrojtës të majtë cilësor, por ka në treg. Është absurde që në anën e majtë të luaj një mbrojtës që nuk di të harkojë me këmbën e majtë. Në çdo sulm ai duhet të depërtojë, pastaj të kthehet, pastaj të harkojë, pastaj bie fishkëllima e fundit dhe mbaroj ndeshja. E sa për mbrojtje mos të flasim, Momo Sisoko, që nuk ka lidhje me teknikën e futbollit, depërton, bën tollovi dhe çfarëdo që i bie në mendje në mbrojtjen tonë. Pastaj ne presim të ndalim Realin me Oëzil, Di Maria, e edhe ai djaloshi që mendon se di të luaj futboll, Cristian Ronaldo.

Papas vazhdoj të dështojë. Ndeshja e tretë që starton dhe akoma nuk po tregon formë. Sinqerisht, nuk e di çfarë ka bërë vitin e kaluar në Gjenova, e as nuk e përcjelli shumë kombëtaren e Greqisë. Tre talente kemi sakrifikuar për atë dhe disa milionë euro. Në fillim kam menduar se ai do të angazhohet në anën e djathtë. Është i shkurtër dhe akoma i pa adaptuar në qendër mbrojtjen e Milanit. Papas ka funksionuar në ndeshjet miqësore si i djathtë, sidomos ndaj Arsenalit në Emirates Cup.

Nuk di çka po e mbajmë Onjevun. Onjevu është arsyeja kryesore që nuk besoj në aftësitë e Allegrit. Oguçi i ka të gjitha që i duhen një qendërmbrojtësi. Ndoshta nuk ka teknikë dhe shumë shkathtësi por nuk mund të ecësh si në bahçe të babës kur të jetë ai gjiganti aty. Sa për Abaten. Ju kujtohet Interi vitin e kaluar. Ndeshja e dytë. Abate e filloi, me gabimin e tij, me pasimin e tij tek Milito më duket. Nga asgjë krijuan rast dhe të tjerat që erdhën më pas janë të ngujuar shumë mirë në pjesën më të errët të kujtesës tonë.

Vetëm Nesta funksionoi mbrëmë. Bile depërtonte edhe deri në fushën e tyre për të bërë ndonjë aksion, duke mbuluar divin e përgjumur, “maestron” Andrea, i cili mbrëmë ishte i humbur. Çka bëri Pirlo mbrëmë?! E di që ka shumë njerëz që mendojnë se ai është nuk di diçka i paparë, truri i Milanit! Ju lutem të më tregoni se çfarë kishte të mirë nga ai njeri i harxhuar. Ndoshta nuk përgjigjem në komentetet tuaja, por besomëni që i lexoj të tërat dhe i analizojë.

Gatuzo ishte organizatori ynë mbrëmë. Më duket që kemi pasur së paku pesë kornera kur ka ndodhur kjo ngjarje: edhe Nesta edhe Papas janë futur në zonën kundërshtare, aty ishte edhe Ibra e Pato, por çfarë bënte Pirlo, luante shkurt, pasonte shkurt, pastaj topi shkonte tek Rino që ai të harkonte në qendër ose të mendonte ndonjë lëvizje, ndonjë aksion. Të dy ata i kanë më shumë se 8 vite që luajnë së bashku, dhe nuk i dijnë aftësitë e tjetrit?! Të gjithë jemi të njoftuar me aftësitë teknike të Rinos. Pirlo është ai që duhet të organizojë aksione, të bëj lojë, të jetë arkitekti. Por, nuk ishte në qejf dhe ai vendoste të barte barrën tek Rino. E ai sillej si i trullosur në mesfushë, duke mos bërë asgjë pozitive për skuadrën tonë. Boateng nuk e pati ditën, nuk ishte ndonjë gjë që mund të bënte më shumë. Faji për mesfushë i bie Pirlos. Rino ishte mbi aftësitë e veta, Boateng ishte nën formën e tij të zakonshme. Pirlo nuk ishte kërkah.

Në sulm patëm shumë raste në fillim. Sulmuam, qëlluam shtylla, patëm raste, nuk realizuam. Faji bie edhe në sulmin, por jo aq sa në mbrojtje. Pato kundër skuadrave të mëdha nuk po mund të bëj asgjë. Edhe akoma është ai djaloshi vetjak. Bëri mirë që e nxori edhe pse ishte në fund, por më mirë të futej Jepes në sulm. Ibrahimoviç nuk pati shumë raste. Nëse nuk punon dikush për Ibrën ai nuk është i frytshëm. Robinjo luante më i tërhequr mbrëmë. Ishte ai që duhej të krijonte raste, ishte ai që duhej të ishte truri. Bëri aq sa mundi. Ishte ndoshta lojtari më i mirë i tretë në skuadër pas Nestas dhe Rinos. Robinjo është duke më pëlqyer kohëve të fundit, dhe ndaj Realit për mua do të ishte startues në vend të Patos. Le të denohet Pato, le të shitet, sa nuk ka hyrë në fuqi rregullorja që do të kufizojë harxhimet. Nuk është një lider për të ardhmen në skuadrën tonë. Ose le të jetë bashkëpunues në fushë, ose le të gjejë ndonjë skuadër ku konsiderohet mbret, ashtu siç ka qejf ai.

Por, kryefajtori është Allegri. Është mëkat për të gjithë neve tifozëve të Milanit që kryesia luan me ndjenjat tona. Marrim trajnerë amator që të fillojnë karrierën e tyre në skuadrën e Milanit. Vitin e kaluar ishte Leonardo, sivjet Allegri. Kam menduar shumë pozitivisht për Allegrin. E kam përmendur në artikujt e mëhershëm se ai mund të jetë lideri ynë i ri. Por, jam gabuar. Duhet një trajner trim, që nuk frikësohet të marr veprime radikale, të largoj axhën Sedorf, dhe pleqtë tjerë. Kur do të luaj Merkel në skuadrën e parë. Kur ti bëj 27 vjet? Pasi të kaloj vitet më të mira të jetës së tij profesioniste në skuadra si Foxha, Padova, e Kremoneze?

Më vjen mirë që po na kthehen këto goditje dhe atë nga pleqtë e skuadrës si Pipo, Sedorf, Pirlo, etj. Ata akoma vazhdojnë të besojnë në këta lojtarë. Unë jo. Moti kohë e kam kuptuar se këta lojtarë janë të lodhur, të harxhuar, të mbaruar, dhe jo për një skuadër si Milani. Shumë falemnderit për punën që keni bërë, ja dera, mirupafshim! Nuk ju kemi borxh asgjë. Kanë luajtur janë paguar, kanë bërë emër, janë histori.

Përsëris fjalinë e fundit nga kolumna e kaluar.

“Shpresoj të mos turpërohemi në San Siro pas dy jave, sepse kjo humbje nuk është gjë, në krahasim me atë që mund të ndodh në Milan!”