Dokumentarët kryesisht po vijnë nga shtëpi si HBO dhe Netflix. Kjo e dyta në tri vitet e fundit ka bërë një shtytje të madhe drejt prodhimit të dokumentarëve duke arritur të jetë vazhdimisht në mesin e të nominuarve me më shumë se një titull. Shërbime të këtilla SVOD po ndihmojnë në realizimin më të lehtë të këtij zhanri të filmave që është jashtëzakonisht i nevojshëm për kinematografinë.
Për të fituar Oskarin e sivjetmë në kategorinë e dokumentarëve, personalisht kam dy favoritë. I pari është filmi ‘Amy’ për të cilin kam folur disa numra më parë. I dyti është ‘Scientology: Going Clear…’ nga HBO.
Ky i fundit shihet në mesin e favoritë përkundër që ka debutuar moti kohë, dhe atë direkt në televizion. Dokumentari sjell një këndvështrim ndryshe, kontrovers mbi shkencën e ‘sajentologjisë’. Portretizon në mënyrë të shkëlqyeshme krijimin e bindjeve nga asgjë në diçka hyjnore, si dhe nevojën e një lideri – fytyrë publike për të udhëhequr lëvizjen e re. Pos që shtjellon një temë pak të debatuar në detaje të këtilla, dokumentari është i përgatitur shkëlqyeshëm edhe teknikisht. Besoj që do të jetë në mesin e të nominuarve sigurisht, por për Oskar ka një konkurrencë jo të lehtë.
Konkurrent tjetër për Oskar është ‘Cartel Land’ që sjell një tregim revolucionar të banorëve lokal në një vendbanim në Meksikë kundër karteleve. Edhe ky si temën edhe realizimin e ka në nivelin më të lartë, dhe mund të jetë si një autsajder që lehtë mund të fitoj Oskarin.
‘What Happened Miss Simone’ e ‘Listen to Me Marlon’ janë dy dokumentarë që sjellin dy nga yjet e shekullit të kaluar në një pamje ndryshe, më intime. ‘Meru’ është shumë, shumë më i mirë se ‘Everest’. Derisa ‘The Wolfpack’ nuk më ka pëlqyer dhe s’do të prisja të jetë në mesin e të nominuarve. Për mua, ‘Amy’, ‘Scientology: Going Clear…’ dhe ‘Cartel Land’ janë dokumentarët më të mirë të vitit. Kanë mbetur edhe pak tituj, por nuk besoj që do të mund të ndryshonin këtë treshe.
Ndërkohë pas javës së gjashtë filmat më të mirë për mua janë: Inside Out, Youth, dhe Me and Earl and the Dying Girl.
Nuk ndryshojnë Top 3 filmat më favorit për Oskar – The Revenant, Spotlight, Steve Jobs.