Çfarë do të bënit për familjen tuaj? A do të ndërtonit gardhin vetëm për të mbajtur të keqen dhe të tjerët jashtë, apo do të ju nevojitej edhe për të mbajtur familjarët brenda? Bazuar në thënien kryesore ndoshta të këtij filmi që thotë se ‘dikush ndërton gardhin për të mbajtur njerëzit jashtë, e dikush për të mbajtur njerëzit brenda,’ filmi i bazuar në shfaqjen e të ndjerit August Wilson sjell një orë klasike të edukimit familjar me Denzel Washington në krye.

Troy Maxson është një baba afrikano-amerikan i klasës punëtore në vitet 1950ta. Ai punon një punë të thjeshtë që i siguron bukën në sofër, ka një grua që kujdeset për fëmijët tashmë të rritur, dhe një komshi të cilin do ta lakmonim të gjithë. Ky komshiu që vjen në karakterin e portretizuar nga Stephen Henderson shërben si bashkë-udhëtar në rrëfimin e tregimit autobiografik të Troyit.

Denzel Washington nis monologun e tij që jep një leksion mbi jetën e zhveshur nga ëndrrat utopike që ushqehen nga ‘njerëzit me kravata të Mad Men’. Është një monolog aq i pastër, aq real, sa që pasqyron diçka nga jetët e të gjithë neve, sadopak qoftë ajo. Ky monolog në shumicën e rasteve merr ngjyra poetike, ëndërrimtare, të cilat mund ti vërejmë në vet sytë e Denzelit i cili aq mirë mëshiron karakterin e Troyit sa duket se po flet për vetveten e tij.

Shpeshherë si komshiu i tij, si i biri më i madh ndërhyn në monologun e Troyit si nxitje për ti dhënë kah tjetër, detaje të cilat na zhgroposen nga e kaluara e tij duke u shndërruar në mësime që kanë krijuar një filozofi të tij për jetën. Është një filozofi e veçantë për jetën e një babai, bashkëshorti, komshiu, e mbi të gjitha një njeriu të mirë. Njeriu të cilin aspiron të jetë, por…

Me kalimin e kohës kemi një dialog me Viola Davis. I gjithë tregimi përqendrohet tek këta dy dhe i biri i tij i vogël i cili ëndërron të bëhet futbollist amerikan. Por, e dini si baballarët na fikin ëndrrat për inati?! Nuk e dini sepse jemi gjeneratë e ‘dhive’ (së shpejti tek Borozani). Për neve gjithçka është e mundshme, së paku kështu na thonë. Epo jo për Troyin!

Asnjëri nuk na nevojitet për të dëshmuar aftësitë e tyre në këtë film. Që të gjithë janë emra të njohur në kinematografi. Emra të respektuar, të besueshëm në profesionin e tyre. Edhe këtu japin maksimumin, dhe kemi ndër paraqitjet më të mira të Denzel Washingtonit, bashkë me Viola Davis. Janë një çift me harmoni të përkryer në skenë. Shkrimi e puna pas kamerave të cilën e bën Denzeli nuk mbetet asnjë çikë mbrapa aktrimit që bën në këtë film kryevepër. Nota personale: 5/5