Categories
Filma

Ferdinand (2017) – Recensim

Varësisht prej moshës që keni, mund të keni parë një film vizatimor njëkohësisht me tregimet e ‘vitez Koja’, për një dem të butë i cili në një arenë të luftërave me dema, mashtrohet nga një trëndafil të cilin e shijon më shumë se gjithçka tjetër.

Tashti, ky tregim pak a shumë është adaptuar në një film të gjatë, për të gjithë ata që nuk e mbajnë në mend atë filmin e shkurtër vizatimor.

Është temë paksa e kotë për Ferdinandin, demi në fjalë, i cili si zakonisht nëpër filmat e animuar, si karakter kryesor është pozitiv për njerëzimin dhe të gjithë që e rrethojnë, përfshirë edhe llojin e tij. Por, pahiri merret si dem i çmendur dhe nis rrugën për në arenën e demave, që në fakt është gjëra më e pështirë që mund të shijoj njeriu e që ende nuk është ilegale. Sikur boksi!

Filmi ecën bajagi ngadalë deri tek shfaqja e karakterit të dhisë që vjen në zërin e Kate McKinnon. Fansat e SNL, e njohin punën e saj të çmendur sa i përket komedisë. Ky karakter përshtatet me karakteret e shumta që portretizon Kate McKinnon, sidomos në skeçet e Saturday Night Live.

Zëri i Ferdinand vjen nga John Cena, e zëri i armikut të tij kryesor është zëri i Bobby Canavales.

Regjia është realizuar nga regjisori që tashmë njihet në botën e kinematografisë së animuar, Carlos Saldanha. Ky ka realizuar tre filmat e parë të ‘Ice Age’ dhe dy filmat e ‘Rio’-s. Skenari vjen nga hiq më pak se gjashtë veta që adaptojnë për filmin librin e dy vetave.

Filmi provon të sjell një pikëpamje mbi sportin e përgjakshëm me dema. Arrin të dal i përshtatshëm për fëmijë, por është larg një suksesi që do ta kthente në titull të njohur. Askush s’do të dëshiroj ta shoh për herë të dytë, nëse ia del ta përfundoj për herë të parë. Nota personale: 2/5