Categories
Filma

Fighting with my Family (2019) – Recensim

Kush prej juve është rreh me të shtëpisë? Sa prej juve kanë imituar ‘wrestling’ me të shtëpisë?

The Rock, që tashti është ‘prishur’ edhe është kthyer në aktor ka qenë inspirim për fëmijët e ‘90tave të cilët pos Takeshi’s Castle, American Gladiators, sporteve me sharra e sëpata, kanë ndjekur edhe wrestling në DSF (gjatë reklamave të papërshtatshme, kemi kaluar tek MTV edhe Celebrity Deathmatch, që nuk ka qenë më e përshtatshme, por…)

Fighting with My Family më ktheu nja 15 vite mbrapa kur wrestling ka qenë një argëtim interesant për një adoleshent. Vazhdon të jetë njëjtë për atë grup-moshë, por jo në suaza sa ka qenë atëherë, kam përshtypjen. Filmi ka të bëjë me sportin e wrestlingut amator në Britaninë e Madhe ku një çift pos vetvetes angazhon edhe fëmijët e tyre në këtë formë të argëtimit, gjithnjë me shpresën se do t’ia dalin të jenë pjesë e WWE-së.

Stephen Merchant, të cilin keni mundur ta shihni në role episodike nëpër seriale të ndryshme britanike, e më së shumti tek Hello Ladies, bën një punë të mrekullueshme si në regji ashtu edhe në skenar, duke ia dalë qëllimit të filmit. Nuk është film i veçantë në asnjë aspekt, por është film i përkryer për ata që kanë sado pak lidhje me sportin e WWE-së. E mbi të gjitha i mbush të gjitha kriteret për një biografi të lezetshme, për karakterin kryesor në film.

Florence Pugh bën një punë të shkëlqyeshme si pjesë e ansamblit të familjes së saj me Lena Headey, Nick Frost, e Jack Lowden. ‘I prishuri’ Dwayne Johnson e Vince Vaughn vinë në rolet tjera dytësore, në një projekt mirë të realizuar që nuk lë mangët asgjë sa i përket aktrimit, ngjashëm si aspekteve tjera.

‘Fighting with My Family’ është një tregim i këndshëm familjar, sigurisht më i mirë se ‘mu rreh me t’shpisë wrestling’. Nota personale: 5/5

p.s. për çështje ligjore, pikëpamjet e mija në këtë recensim nuk pohojnë në asnjë mënyrë që në një kohë të shkuar kemi bërë wrestling me të shpisë, kojshitë, apo familjarë të ndryshëm 😉