Categories
lomsh

Filmat turqisht

Lufta ka qenë e rëndë, po para luftës ka pasur gjëra edhe me të rënda.

Videokasetat e filmave turqisht!

Një videokasetë e tillë ka qenë filmi i vitit 1982 i Ibrahim Tatlises. Tema e këtij filmi është më e mirë se realizimi! E keni një video në fund që në katër minuta ju çmonton krejt filmin, por edhe mundet të ju lë trauma nëse jeni fëmijë nën 12 vjeç!

Ibrahimi dashurohet, dhe duke ecur në park me të dashurën, ndalet të blejë akullore. Të dashurën provojnë të ja kidnapojnë dy veta. Ibo vërsulet dhe në mbroje e ther njërin nga ta. Bashkë me të dashurën ia mbathin, por drejtësia nuk vonon dhe Ibrahimi përfundon në burg.

Gjatë kohës në burg derdhën më së shumti lot nga shikuesit – Ibos i vdes nëna e dashura martohet, bile edhe lind fëmijë.

Kur të del Ibrahimi, ka mjekër, ecën rrugëve dhe takon të dashurën. Ajo nuk e njeh, dhe… mbajeni veten… afrohet ia jep një metelik sepse i duket si gjynah Ibo :’(

Pas këtij veprimi, Ibrahimi shkon tek hekurudha, ndërkohë e dashura e mëson që ai endacaku në fakt ishte Ibrahimi i cili kaloi jetën e tij në burg për nderin e saj.

E dashura ia plas vrapit, Ibrahimi ecën nëpër hekurudhë, edhe kur afrohet kjo, bërtet ‘IBRAHIIIIM’…

Ibrahimi kthehet, edhe vjen treni, BAM… Ibrahimi në tokë…

Menjëherë, aty për aty shfaqen nja 60-70 njerëz të cilët vrapojnë VETËM pasi treni godet Ibrahimin, sikur të ishin Power Rangers.

Ia plasë kënga Yalaann apo e adaptuar në shqip, Unazë e artë e Mentor Kurtishit!

Sinqerisht, neve fëmijëve të 90tave na duhet një pension apo ndihmë psikike marrë parasysh që kemi pas ‘artistë’ si Ibrahimi, Mentori, Zyberi, Xheza <3

Një videokasetë tjetër ka qenë ajo e filmit të vitit 1985, ku Ibrahimi është një shofer autobusi, i cili bën gabimin më të madh që e bëjnë në filmat turq – dashurohet në një vajzë të pasur!

Dhe me krejt peripecitë, Ibrahimi vrapon, e i shqyen dy palë këpucë, gjithnjë duke vozitur autobusin e duke provuar të bëhet i pasur që të bijë në syrin e syve të kaltër të Hylja Avsharit. (rrjedhimisht, edhe sot unë kam frikë prej qikave me sy të kaltër – traumat e filmave janë të rrezikshme, shokeshoqe).

Edhe Ibrahimi dikur vendos ta marrë Hyljan me zor, por nuk ia del. Kthehet e martohet me një vajzë të rangut të tij. Në dasmë, kur tri mëhalla janë afruar të dëshmojnë atë ‘evet’ a ‘hayir’, atëherë e penduar vjen Hylja.

Në këtë çast ia plas ‘Lejlim Lej’ edhe ofiqari ja përsërit pyetjen Ibrahimit. Ibo e sheh Hyljen në turmë, e cila është pranë vajit. E kqyr mirë e mirë edhe thotë…

‘evet’

Nënshkruan Ajshja, nënshkruan Ibo, ia plasin duartrokitjet, kënga buçet në prapavijë.

Çifti i ri po shkon, edhe rrugës, Ibo ndalet e shikon në sy Hyljan dhe me këtë skenë mbyllet ‘Mavi Mavi’.

Ka edhe shumë filma turq të ngjashëm. Por, ka edhe filma të ngjashëm në gjuhë tjera.

Jo nuk jam racist, sepse njeriu nuk mund të jetë racist ndaj dajave të tij, kështu që edhe unë nuk jam racist në këtë moment. Vetëm jam kundër bërlloGut ‘kinematografik’ që na është shërbyer në kohën më të vështirë të jetëve tona!

Për momentin, në Show TV mundeni me pa njërën ndër komeditë ma të mira turke – Tosun Pashën me të madhin Kemal Sunal, mbretin e komedisë turke!

Së fundmi ka edhe shumë filmbërës e aktorë turk – Nuri Bilge Ceylan e Haluk Bilginer në radhë të parë! Edhe shumë seriale të mira transmetohen në Turqi, dhe kanë gjetur audiencë në mbarë botën duke i tejkaluar telenovelat.

Por, fajin për kësi filma të Ibrahimit, e Mehmet Kosovës e ka audienca. Në kapitalizëm, nëse populli dëshiron bërllog, ti bërllog do t’u japësh. Kërkojnë debate, debate do t’u japësh, çdo mbrëmje, nga shtatë!

E mira është që grupi nuk është komercial!

Filmat e këqij e kanë një të përbashkët – janë të këqij. Gjuha nuk ka faj!

Martesa – https://www.youtube.com/watch?v=yDwvHG5HdWE