Siç tregon edhe vet titullin filmi ‘Filth’ është i mbushur me fëlliqësira. Ka nga të gjithat, skena për të rritur, narkotikë, alkool, dhunë, e deri tek halucinacionet e pështira të Robos dhe të gjitha vijnë me një dozë të shtuar të fëlliqësisë.
Megjithatë të gjitha këto ia vlen të durohen për aktrimin të mrekullueshëm të James McAvoy. Aktorin skocez e kemi parë në tituj si ‘Last King of Scotland’, ‘Wanted’ e deri tek filmi i fundit ‘Trance’. Në fakt me këtë të fundit mund të hedhim disa paralele që i bëjnë të ngjashëm, por ka mjaft shumë gjëra për ti dalluar.
Filmi tregon storien e një detektivi të obsesionuar me promovimin në detyrë. Për të arritur këtë qëllim ai është i gatshëm të bëj gjithçka që ekziston, pa kurrfarë kufiri moral. Dhe shumica nga këto vijnë në formë komike për neve si shikues dhe karakterin kryesor të Robos. Kjo krijon një lidhje ndërmjet neve si shikues dhe karakterit, lidhje që del në pah në pjesën e dytë të filmit, kur karakteri futet në vështirësi që as vet nuk mund ti kontrolloj më.
James McAvoy vjen në rolin kryesor. Ai shkëlqen gati si asnjëherë më parë. Është ndoshta filmi që më së shumti përqendrohet rreth karakterit të tij, gjë që i ndihmo atij të hedh në pah të gjithë aftësitë artistike që ka. Vet karakteri i tij kalon nëpër disa faza të ndryshme gjatë filmit, siç përmenda më lart duke rënë nga karakteri që ka të gjithë në gisht, në karakterin që pëson në fund. Pos këtyre dy pozitave të kundërta, kemi edhe një skenë që shfaq karakterin e tij të butë, kur tenton të shpëtoj jetën e një qytetari të thjeshtë. Kjo dhe tregimi rrjedhës nga kjo skenë që vijnë si në ‘prapaskenë’ të tregimit kryesor kanë një ndikim më të madh se kaq, nëse dëshirojmë të analizojmë.
Tregimi mirë është i shtjelluar. Karakteret dytësore kanë një punë dytësore, ndihmëse në zhvillimin e tregimit të Robos. Këta aktorë si Imogen Poots, Jamie Bell, Eddie Marsan, e deri tek Jim Broadbent kontribuojnë shumë mirë në shpërndarjen e tregimit. Por, gjithçka mbetet nën hijen e paraqitjes të mrekullueshme të James McAvoy. Për mendimin tim ai shfaq aktrimin më të mirë të karrierës në këtë film.
E Jon S. Baird që duket se ka bërë filma huliganësh deri tani, tek ‘Filth’ bën një punë të mirë, që përsëri mbetet në hije të McAvoy. Por, ky film nuk pritet të jetë ai që do ta nxjerr në dritën e famës. Së paku jo për momentin.
Nota personale 8/10 – filmi i kënaqshëm, komedi, e përzier me dramë në pjesën e dytë. James McAvoy i mahnitshëm.
Luan Morina
Kritik filmi
You must be logged in to post a comment.