Categories
Filma

First Man (2018) – Recensim

E dini që janë bërë gati gjysmë shekulli që këmba e njeriut nuk ka shkelur në Hënë? Që nuk ka kaluar as atmosferën e ultë të Tokës? A e dini pse? Do të ju tregoj, mirëpo një herë për filmin.

E filmi ka të bëjë me njeriun e parë që ka shkelur në Hënë! I bazuar në librin autobiografik të Neill Armstrong, ‘First Man’ në regji të Damien Chazelle, është gati në tërësi i lidhur me ngjarjet e vërteta që kanë ndodhur gjatë misionit më të madh jashtë atmosferës së Tokës me njeriun si pasagjer kryesor.

‘First Man’ nis me një tentim të shpërthimit të mbështjellësit të ultë atmosferik nga vet Neil Armstrong, për të vazhduar trajektoren e cila mbërthen jetën personale dhe profesionale të Armstrongut. Gjatë përgatitjeve për misionin e parë në Hënë, Armstrong humb të bijën e tij dy vjeçare nga kanceri në tru. Si një goditje emocionale për një njeri fjalë-pak, introvert, skenat e Armstrongut nuk përfshijnë dialogë të gjatë e të mbushur. Rasti më i mirë i një dialogu të tillë kemi me kthimin e tij në Tokë dhe takimin e parë me gruan e tij.

Gruaja e Armstrongut, Janet, nuk vjen në atë stilin klishe – pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua e fortë! Ngjashëm si Neil, edhe Janet është një karakter i qetë, fjalë-pak, por sikur bashkëshorti i saj, edhe ajo ka momente, ndonëse më të mëdha, shpërthyese.

Të dy karakteret kryesore janë aktruar për mrekulli nga Ryan Gosling e Claire Foy. Për Goslingun, portretizimi i një karakteri kaq të rëndësishëm në historinë e species tonë, duhet të ketë qenë goxha presion. Ky presion nuk vërehet të kaplojë atë gjatë skenave, skena në të cilat shkëlqen nga fillimi deri në fund, ndonëse karakteri i tij kalon nëpër periudha të cilat do të ishin zor të përballueshme për një njeri mesatar. Sidomos kur bëhet fjalë për një film të bazuar në ngjarje të vërtetë.

Harmonia skenike si me Claire Foy, si me Corey Stoll i cili sjell Buzz Aldrinin në një karakter krejt ndryshe nga ai i Neil, është goxha e mirë. Ky i fundit kryen një punë të mirë si karakter ndihmës, derisa në mesin e karaktereve tjera me më pak hapësirë skenike Jason Clarke, Kyle Chandler, e Olivia Hamilton.

Ajo çka e bën këtë film madhështor është zanati i Damien Chazelle i cili bën një rrugëtim më shumë personal se teknologjik të karakterit. Nuk kemi të bëjmë shumë me ekuacione e aspektin teknologjik të udhëtim sa me përvojën humane të karaktereve kryesore. E regjia, sidomos në disa raste kulmore, shkëlqen me kapjen e skenave. Skenari është mirë i shtrirë, dialogët janë të këndshëm, pa provuar të prishin një qetësi dominuese gjatë tërë filmit. Kjo qetësi shoqërohet nga një kolonë zanore me një ndërlidhje të mahnitshme, emocionale, fund e krye. E fotografia është magjepsëse.

Është edhe një kryevepër e Damien Chazelle, me një ansambël të shkëlqyeshëm. Një përshkrim fenomenal i udhëtimit më të madh në historinë e njeriut. Një udhëtim, pjesa finale e të cilit na bën të mishërojmë karakterin e Goslingut, falë mjeshtërie të pakrahasueshme të Chazelle. Një udhëtim që nuk po merret ka 45 vite! E pse nuk po merret?

Janë tri arsye të veçanta që do i përmendja. E para – qëllimi i udhëtimit ka qenë fitorja në Luftën e Ftohtë, lufta ndërmjet kapitalizmit dhe komunizmit; dhe tani mungesa e një fuqie të dytë hapësinore, një lufte tjetër të tillë. E dyta – kostoja e lartë teknologjike që megjithatë kushton shumë më pak se ‘lufta kundër terrorit’, dhe përqendrimi tek Marsi.

‘First Man’ është një film fenomenal, që shkëlqen në çdo aspekt, dhe deri tani, për mua – filmi më i mirë i vitit 2018. Nota personale: 5/5

p.s. arsyen e tretë e gjeni tek ‘Ancient Aliens’ :O