Categories
Filma

First They Killed My Father (2017) – Recensim

Kur të nis lufta, armiqtë së pari në familje vrasin babanë!

Bazuar në titullin, e dimë që babai i familjes në fjalë në këtë film do të vritet. Dhe skenari është i bazuar në ngjarjen e vërtetë të autores kamboxhiane Loung Ung, gjatë pushtimit të vendit të saj nga Kmeri i Kuq – një lëvizje komuniste kriminale në Azinë Jug-lindore. Në pjesën e dytë të shekullit të kaluar, Lufta e Ftohtë ka qenë goxha e nxehtë në këtë pjesë të Azisë, për t’u zhvendosur kah fundi i shekullit në Ballkan, e për të vazhduar këto vitet e fundit në Lindjen e Mesme!

E rrëfyer nga sytë e autores në fjalë, pa narracion, filmi sjell rrugëtimin e familjes së Ung, babai i së cilës është një epror ushtarak i cili me kapjen e pushtetit nga forcat e Kmerit të Kuq (nuk është individ), përzihet me popullatën e thjeshtë! Lëshojnë shtëpitë dhe nisen në vendet fqinje për të kërkuar azil. Ndërkohë, sipas keqinterpretimit të komunizmit të Marksit, popullata angazhohen në punë kolektive për Kmerin, për rendin e ri shoqëror. Mund të duket si ndonjë film fantastiko-shkencor, por është biografi reale.

Filmi ka shumë pak dialog. Por, kjo mbulohet nga një fotografi e jashtëzakonshme me pamje nga të gjitha këndet e mundshme. Zgjatet panevojshëm në mbi dy orë, ndonëse ka mundur të mbyllet me 105-110 minuta. Nuk ka lidhje të kënaqshme ndërmjet skenave, dhe lidhja me karakteret kryesore disi mbetet jo e fortë. Dhe për të gjitha këto nuk ka fajtor tjetër por Angelina Jolie e cila bën regjinë dhe ndihmon në skenar. Megjithatë, duhet të përmendim vendosmërinë e Joliet pë të sjell tema të këtilla në film, pas ‘In the Land of Blood and Honey’. Ndonëse nuk po është një punë e bërë me sukses, është më mirë se veprat tjera ku ka qenë regjisore – Unbroken e By the Sea. Nota personale: 3/5