Fëmija më i vogël në familje zakonisht është më i zëshëm. Nevoja për të qenë në plan të parë e bën të vetën, për të kërkuar kujdesin më të madh të prindërve. Dhe ky qëndrim nuk humbet as me kalimin e viteve. Ama jo tek ajo.

Flet qetë. Dëgjon. Shpesh kërkon ti përsëritësh pyetjen. Jo që nuk e ka mendjen aty. Jo që nuk dëgjon. Dëshiron të mos flas pa nevojë. Të jetë e sigurt në atë që thotë. Flet ngadalë.

Ngrit vetullat, dhe me gojën mbyllur derisa përtyp ushqimin lëshon një pasthirrmë pyetëse. Më së shpeshti. Derisa përpunon ushqimin, përgatit edhe përgjigjen. Të shkurtër, të thjeshtë. E flet me zë të ulët. Për atë preferon vendet e qeta. Pa zhurmë. Vende ku vlerësohet muhabeti.

Buzët nuk i ka të lyera sot. As hijen nuk ka përdorur nën sy. Duket si e përgjumur. Ka krehur flokët. Ashtu ka lëshuar poshtë si bishtalec sa që i mbulon unazat e epërme të boshtit. Disa flokë i kanë ikur asaj kapjeje jo aq të shtrënguar. I qëndrojnë bukur mbas veshëve. Është veshur thjeshtë. Si zakonisht diçka të mbylltë. Një këmishë me krahë të përvjelë, fanella i duket brenda nën fyt. Një palë pantallona që ngjasojnë me rroba sportive. Patika.

Duket thjeshtë. Ashtu siç qëndron çdo ditë vikendi në shtëpi. Edhe fytyrën e ka të braktisur nga makijazhi. Ashtu siç do të doja ta shihja çdo mëngjes të mbetur të jetës time, kur dielli i pranverës do ti prekte hundën dhe faqen e majtë para se ti pushtonte syrin. Do kthente kokën në anën e majtë për të vjedhur edhe disa çaste nga mëngjesi që vjen më herët se që duhet. Do kthente kokën nga unë. Një falënderim në heshtje do i dërgoja diellit, ashtu siç bën Bouli me hënën. Falënderim që më le të nis ditën me këtë portret engjëllor.

Nuk është hera e parë që humbëm në bisedë. Mendon që e injoron ndoshta, por e di sa ëndërrimtar që jam. E di që imagjinatë më ikën shpesh. Ngjashëm si në këtë seri shkrimesh gjersa shkruaj për dikë e diçka abstrakte, ndoshta.

Janë të pakta ato fjalë, por janë të arta. Janë muhabete me tema që zgjasin me orë të tëra dhe të duken si disa çaste. Sa pi një gotë me pika të kuqe e vija të gjelbra të çajit me limon. E dëgjoj. Rrallëherë flet gjatë, më shumë se tri fjali. Por, tani është duke folur për gjënë që preferon më së shumti. Gjënë për të cilën flet pak e rrallë. Gjënë e cila sa më pak flitet aq më shumë ndjehet. Për dashurinë.

p.s. kjo n’foto osht Alicia Vikander, kjo seri prej tri shkrimeve që osht kry me këtë shkrim (s)osht e shkrume për to; Bouli osht film vizatimor francez i viteve 1990ta t’cilin mundeni me gjet komplet n’YouTube ne frëngjisht