Nganjëherë është shumë e rëndësishme mu kthy mbrapa edhe me gjet momentin, pikën e kthesës, kur jeta, ka marrë një drejtim tjetër nga ajo që ka mund të ishte sot.

Me gjet atë momentin kur në vend të opsionit të parë ke zgjedh opsionin B, edhe me ndjekë rrugën nëpër B që ta ka pru deri sot, në këtë moment, kur dikush po e lexon këtë.

Por, një pjesë e madhe i frikësohen kësaj, nga frika e depresionit dhe pishmanllëkut që do t’i kaplonte, sepse nuk ka pyetje ma të frikshme se “çka nëse…”

Rrjedhimisht, kqyrin para, shkelin mbi gjithçka tu provu me ikë nga kjo pyetje, dhe krejt ato çfarë do të vinin nga një analizë e tillë. Shkelin parimet, idetë, qëllimet, gjithçka për të cilën kanë luftu e janë krenu një kohë.

Dhe kjo veç vazhdon e shumohet, zgjerohet, rritet, derisa të vjen si një buldozer nga mbrapa që të tëhollon mirë e mirë, dhe mbetesh i humbur, në greminë, veç e veç që nuk ke guxu mu përball me një pyetje të thjeshtë, përqafimin e vendimeve të gabuara, edhe mbi të gjitha, me ndryshu për të mirë.

Ai momenti kur flutura i ka përplas krahët, edhe ti ke zgjedh opsionin që ke zgjedh para alternativave, në mos sot, nesër do ta sjellë uraganin, buldozerin që do ta shqyen shpirtin e një njeriu të mirë.

Nesër, ti nuk do të jesh asgjë ma shumë se një shpirt i shitur, me kamatë, te djalli, një skllav tjetër që nuk guxon të bëzash, dhe kështu do të vazhdojë deri në frymën e fundit, kur do të jesh një “njeri i mirë” si krejt të vdekurit, por që do të pasojë me një “por, ma mirë s’po foli se gjynah me fol për ata që s’janë më”.

E para pikës kur nuk do të jemi më, peshorja do të barazojë dy anët e jetës, sepse dheu nuk do të tretë pa shpaguar borxhet e kësaj jete.

E borxhi më i madh është borxhi kolektiv, ndaj shoqërisë, jo ndaj individit!

Një përplasje krahësh e një fluture, mund tu ndreq, apo tu prish, në mënyrë indirekte, pas shumë kohësh, kushedi sa njerëzve jetën. Dhe krejt kjo barrë bie mbi një zgjedhje që duket e thjeshtë si një flutur, por pasojat janë të një uragani!

Dhe krejt kjo, për faktin se gjatë rrugës, nuk guxojmë të ndalemi e të shohim mbrapa, të ballafaqohemi me gabimet tona.

Por, shumëkush nuk lexon këtë, nuk dëgjon atë zërin kritikues, e as nuk e mendon anatominë e fluturës, e lëre më filozofinë pas efektit të fluturës.

Sepse shumica janë qyqarë.

A po e ‘overthink’-i krejt këto?

Sigurisht që po!

A jam pishman për ndonjë gjë?

Sa të duash!

Por, çdo ditë, zgjedh opsionin që është i drejtë për mua, dhe çdo herë edhe më i drejtë për shoqërinë, e asnjëherë i dëmshëm!