Categories
TV Reviews

Four Weddings and a Funeral – Mini Seri

Njëri ndër filmat më të njohur britanik, njëkohësisht më të dashurit për mua, është ai që ka katër dasma e një funeral. Vepra e Richard Curtis është shndërruar në një klasik britanik, dhe adaptimi televiziv i tij nuk do të duhej të ishte një hap i lehtë, ndonëse në krye kishte Mindy Kaling.

Kuptueshëm, kjo seri prej dhjetë episodeve zhvendos ngjarjen në kohën moderne, çerek-shekulli pas origjinalit, me një temë që nuk devijon nga shtyllat e origjinales, por merr një formë që mund të konsiderohet si një vepër e pavarur nga filmi në fjalë.

Pra, katër dasma dhe një funeral, ndodhin në grupin e miqve të shpërndarë ndërmjet Britanisë së Madhe dhe SHBA-së. Në rolin kryesor është ‘dora e djathtë’ e Kalisit – Mbretëreshës së Dragonjve, Nathaniel Emmanuel, e cila vjen në rolin e Majës e cila pas një skandali në punë, zhvendoset tek shoqëria në Londër, ku shoqja e saj e ngushtë – Einsli, pret të martohet me Kesh, me të cilin Maja ndeshet me të mbërritur në Londër, ku kanë një moment xixëllonjash, pa ditur kush e çfarë janë. Dafi është një mësues i pasionuar pas artit dhe Majës, me të cilën kanë pasur vetëm “shokzonë”. Shokë me ta është edhe Kreg, i cili gjithashtu pret të martohet, derisa ka një sekret nga e kaluara.

Të gjithë këta kanë karaktere ndihmëse në jetët e tyre, lidhje të cilat do të sqarohen më së voni në episodin e dytë. Pra, nuk është një histori e komplikuar, përkundrazi, gjithçka është e pastër dhe e qartë, falë një skenari goxha mirë të realizuar.

Edhe në aspektin vizual, kjo seri sjellë një mori skenash me ngjyra të përshtatshme romantike, derisa barazon lumturinë me pikëllimin të cilët vinë në përmasa të zhdrejta, ashtu siç e tregon edhe titulli, por me pasime të duhura. Nuk kemi oscilime të larta të emocioneve nga skena në skenë, dhe kjo e bënë këtë seri të këndshme e të lumtur për t’u shikuar.

‘Four Weddings and a Funeral’ duket të jetë një nderim i bërë ndaj filmit klasik dhe rëndësisë të tij që ka në kulturën kinematografike, duke arritur ta konvertojë një histori klasike në kohët moderne, në mënyrë të shkëlqyeshme. Nëse keni nevojë për një romancë, mos mendoni dy herë para se ta lëshoni. Nëse nuk gaboj, e gjeni edhe në Prime Video të Amazon, nëse keni abonim. Nota personale: 5/5