Shqiptarët
Ngjashëm si ndeshjen e kaluar, shqiptarët tanë të Zvicrës patën një paraqitje të përzier. Shaqiri duket shumë i vetbesueshëm, deri në një masë edhe mendjemadh. Nëse është në zonë me top, alternativa e parë është të gjuaj vetëm. Kjo nuk po i shitet. Xhaka, vazhdoj të mendoj se më mirë do të luante 6sh apo 8sh, pra mesfushor më defanziv. Derisa Mehmedi përkundër zhvendosjes anash arriti të gjendej disi në fushë, duke shënuar. Behrami ishte dështimi i ditës. Goli i fitores i shpëtoi performancën që ishte për kritikë edhe në ndeshjen e parë. Mbrëmë pati gabime që u ndihmuan edhe më shumë nga keqpozicioni i Benaglios.
Xhemajli meriton të startoj përkrah Inlerin, duke zhvendosur Behramin në krahun e djathtë të gjysmësulmit ku do të ishte më shumë i preokupuar me ofanzivë se sa me defanzivë. Pra, nuk është marre ti ketë Hitzfeldi të pesë shqiptarët në fushë.
KostaRika
Ekipi që të gjithë e konsideronim si autsajder në grupin D sipas të gjitha gjasave do të kaloj në rrethin e dytë si i pari, e ndoshta mund të arrij edhe në çerekfinale kur kemi parasysh kundërshtarin nga D-ja. Nevojitet fitorja e tyre për debaklin e merituar plotësisht për Anglinë.
Italianët ishin të painteresuar për lojë, pa ide, dhe të dobët. Është kjo gjendja e tyre, forma e tyre prej ‘kampioni’ që e quante Lippi para disa ditëve.
D-ja
Në grupin D do të kemi finalen ndërmjet Uruguajit dhe Italisë. Një Uruguaj më i përkushtuar s’do të ketë punë të vështirë me një Itali të fjetur, sikur ajo e djehit. Anglezët do të largohen si të fundit, dhe është rezultati më i merituar për punën e amatorit Hodgson.
E-ja
Franca ka siguruar pozitën e parë. Është e pamundur të humbin nga Ekuadori me 4 gola diferencë, apo që Zvicra të fitoj me 5 gola diferencë ndaj Hondurasit. Të dyja këto rezultate do të largonin francezët. Por, ata ishin të mrekullueshëm në kundërsulme dje. Valbuena, më i nënvlerësuari nga unë, por i preferuari i Deschamps që nga kohët e Marseille, qe i mrekullueshëm me Benzema e Giroud në sulm. Tani kur kemi parasysh që në rrethin e dytë mund të takohen me Bosnjën apo dikë edhe më të dobët, francezët hyn në mesin e kandidatëve që shumë lehtë mund të arrijnë gjysmëfinalet.
Sonte…
Do të jetë interesante të shohim vendosjen e Argjentinës në fushë. Ishin tepër defanzivë ndaj Bosnjës xhiron e kaluar. Kundër Iranit nuk i pret një punë e vështirë, aspak. Bosnja duhet të tregoj pjekuri ndaj Nigerisë, dhe një lojë si kundër Argjentinës do tu sjell rrethin e dytë.
Gjermania dhe Gana do të jetë një përballje e shkëlqyeshme. Pres shumë futboll të mirë nga këto ekipe, pasi asnjëra nuk shfaq lojë të mërzitshme, të mbyllur e defanzive.
18:00 Argjentina – Irani
21:00 Gjermania – Gana
00:00 Nigeria – Bosnja e Hercegovina