Ju që keni pritur ndonjë risi nga jeta e gjashtëshes tuaj të preferuar, mos e shikoni sepse nuk ia vlen. Ky special është më shumë një përmbledhje kujtimesh të gjashtëshes, e cila bën një kuiz dhe tregon për historitë e prapaskenat e serisë.

Por, ka edhe të mirat e tija ky special.

Ajo që më pëlqeu qe historia rreth kastingut të gjashtëshes, dhe peripecitë që kanë ndjekur gjetjen dhe përzgjedhjen e tyre, e të cilat vijnë nga producentët/kreatorët e serisë.

Rrëfimi i tyre ishte goxha informativ për mua, ndonëse besoj që fansat e flaktë tashmë i kanë apo lexuar këto qysh moti.

E mirë ishte edhe pjesa ku gjashtëshja tregonte për skenat e preferuara, si dhe ngjarjet gjatë xhirimeve, përfshirë edhe skenat ndër më të veçanta për ta. Për t’i parë, i kam parë që të gjithë gjatë 3-4 viteve të fundit në prodhime tjera, prandaj personalisht, nuk kishte ndonjë rëndësi për mua.

Ajo çfarë më shkonte më së shumti nerva ishte parada e njerëzve që nuk kanë lidhje me ‘Friends’, dhe të cilët këtë ‘ribashkim’ dukej e përdornin për të promovuar veten. James Corden, i cili pas Jimmy Fallon është autori më sipërfaqësor në programet e natës, udhëhoqi programin duke u bërë pyetje lajkatare derisa ngriste në qiell gjithçka që përmendej. Lady Gaga, Justin Bieber, Cara Delevigne, e David Beckham ishin ndër personat që parakaluan, e pa të cilët ky special do të ishte më i mirë.

E ndër pjesët më të mira ishte sjellja e historive të personave anekënd botës, dhe ndikimin që kanë pasur ‘Friends’ në ta. Në fakt, s’do të hezitoja të shihja 104 minutat e këtij speciale me rrëfime të tilla, pasi që ishin gjëja më origjinale e krejt kësaj katrahure.

Është një zhgënjim për fansat e flaktë të këtij seriali, i cili s’dyshoj që ka pasur një ndikim madhor në jetën e tyre, në atë periudhë kur e kanë shikuar. Kujtimet e mira s’do të njollosen, dhe ndoshta kjo është arsyeja pse nuk ka pasur diçka të re nga jeta e gjashtëshes. Por, i shumëpritur, ky special zhgënjen, qoftë edhe si dokumentar a episod special. Nota personale: 2/5

About Author

Writer?!

You might also enjoy:

%d bloggers like this: