Kur vjen vazhdimi i një filmi, për të kaluar paraardhësin zakonisht duhet të shkojë edhe një nivel më lart. Tek ‘Frozen II’ nuk ndodh kjo. Përkundrazi, kemi një shpjegim të filmit të parë, i cili ka qenë jashtëzakonisht i mirë.

E kuptoj qëllimi i skenaristëve, të japin më shumë dritë mbi ngjarjet e filmit të parë, duke u përshtatur më shumë me kokën e fëmijëve. Tek i pari kishin magjinë e Elsës, e tashti kemi një lloj tentimi për të shpjeguar pse Elsa është ajo që është. Dhe kjo kërkesë për ndriçimin e të vërtetës niset nga vet Elsa, në kërkim të shpëtimit të Arendellës.

Ndonëse vetëm 103 minuta që është limiti i epërm për audiencën që synojnë, ‘Frozen II’ e ka një fillim jo të mirë. kemi prindërit e Elsës dhe Anës, të cilët u rrëfejnë historinë e së kaluarës. Kjo ndodh brenda 15 minutave të parë ku kemi dy herë ninulla të cilat edhe mua gati më vunë në gjumë, e lëre më fëmijët që kanë vendosur ta shohin këtë film.

Derisa rrëfimi është mirë i menduar, mbetet shumë sipërfaqësor, edhe me karakteret të cilat kalojnë shumë gjëra për këtë kohë të shkurtër. Dhe këto gjëra nuk shtjellohen sa duhet, ndonëse në fillim jepet një lloj manuali se çfarë mund të presim. Por, nëpër këto ngjarje që supozohet të jenë kryesore, kalohet shumë thjesht e lehtë, duke u përqendruar kryesisht në këngë.

Këngët janë më të dobëta se në filmin e parë. E një gjë që më ka shkuar nerva ka qenë karakteri i Elsës, e cila në këngë ku qartazi tonet shqiptohen gojëhapur, sipas stilit të këndimit të Idina Menzel, Elsa në film është pothuajse gojëmbyllur, si në rastin e fjalëve që përfundojnë me A të zgjatur. Detaje të këtilla s’do të binin në sy sikur ngjarja të ishte më interesante.

Megjithatë, karakteri i Olaf me Josh Gad mbetet pjesa më e ëmbël e filmit, i cili i jep atë shijen e komedisë, haresë, dhe lumturisë që jemi mësuar ta shohim në filma të këtillë.

Sigurisht që mangësitë artistike nuk janë dëshmuar në aspektin komercial, dhe rrjedhimisht do të kemi edhe një film ‘Frozen’. Por, shpresojmë që të jetë më i mirë se ky. Nota personale: 3/5