Categories
lomsh

“Fundjava e bastoreve” – E hënë mëngjes! (13 shtator 2010)

Rezultatet e kësaj fundjave janë rezultate siç janë mësuar ti quajnë “të bastoreve“. Humbja e Barcelonës, Milanit, Romës, Gjenovas, Tuluzit, si dhe disa rezultate tjera befasuese si barazimet e Lionit, Bajernit e Sevilas, vërtetë kanë prishur tiketat e bastexhinjëve. Dhe sipas tyre të gjitha këto ekipe kanë manipuluar rezultatet e tyre me qëllim që ai personi i vetëm që ka luajtur bastore të humb 1 euro apo pse jo edhe 50 cent. Kjo është budallallëk. Të gjithë atyre që mendojnë se futbolli, së paku në nivelet më të larta evropiane manipulohet, i ftoj të bëhen pak më të mençur. Le të kuptojnë se Barselona nuk luan për një person të caktuar diku në botë. Është teori e paskrupullt kështu që të diskutosh për këtë është hiç më shumë se humbje kohe, dhe rreshta për të mbushur një kolumnë ditore.

Sidoqoftë humbja e Barsës po që është befasi. Herkulesi ka bërë njërën ndër befasitë më të mëdha të këtij viti, (edhe më të madhe se fitorja e Interit në Champions). Ata kanë një ofanzivë jo të keqe me Trezegen e Valdezin, një mesfushë me veteranë si Farinosh e Rufete, dhe i riu Drenthe. Megjithatë nëse arrin të mbesin në La Ligë edhe sezonin e ardshëm do të jetë sukses i madh për ta.

Efekti Murinjo ka filluar të marr këmbët në Real. Ashtu siç e prisja dhe siç e kam përmendur në kolumne më herët, Reali të fitoj më shumë se dy gola epërsi do të jetë e rrallë, e edhe loja do të jetë e mërzitshme

Erjon Bogdani demoloi Milanin. Ishte një krenari për të gjithë shqiptarët, në kryesi antimilanistat, që Bogdani të jetë heroi në mposhtjen e një “gjiganti” si Milani. Të jemi real, çfarë ka ndryshuar tek Milani me ardhjen e Ibrës dhe Robinjos. Mesfusha është e njëjtë, ndërsa mbrojtja nuk është e sinkronizuar si duhet. Allegri duhet të ndryshoj mentalitetin që ka mbetur që një dekadë në Milan. Ndoshta largimi i Tasotit do të jepte hapësirë për freskim. Për më shumë lexojeni kolumnen speciale për skuadrën e Milanit.

Sa i përket Bogdanit nuk ishte vetëm kjo lojë. Ai edhe kundër Romës ka shkëlqyer. Nuk kishte fat të shënonte por, Bogdani në këto dy lojët e para ka rilindur. Ndoshta bashkimi me trajnerin e tij nga Verona, Masimo Fikadenti i ka rikujtuar ditët e tij më të mira, dhe ndoshta me të vërtetë mund të pritet edhe një sezonë i shkëlqyeshëm i Bogdanit.

Ah, sikur Bogdani të luante më shpesh kështu edhe për kombëtaren shqiptare.

Humbjen e Romës nuk do ta vlerësoja si befasi. Rezultatin ndoshta. Akoma nuk besoj se Roma mund të arrijë ndonjë gjë të hajrit me Ranierin në krye. Kanë skuadër të mirë, por Ranieri nuk është njeriu i duhur për Romën.

Kosova Sizinle Gurur Duyuyor! (Kosova krenohet me juve)

Jo vetëm Turqia, por edhe nja dy-tre milionë shqiptarë i janë bashkuar atyre 77 milionë turqve që kanë festuar kualifikimin në finale të kampionatit botëror në basketboll. Krenari më të madhe kosovarët nuk kanë përjetuar ka kohë. Eventualisht Serbia do të humbiste nga SHBA në finale, por megjithatë fitorja e Turqisë ishte diçka më afër zemrës. Mënyra e fitores e bënte më të dëshiruar këtë fitore që erdhi veç në fund të ndeshjes.

Finalja që doja dhe që prisja të premten, doli të jetë reale. Humbja e Turqisë në finale nuk ishte befasi. Këtë e dinin të gjithë, edhe turqit, e edhe mbreti i ri turk, Bogdan Tanjeviç që ka bërë mrekulli me këtë skuadër që nuk ka pasur të ndalur gjatë gjithë kampionatit. Ndoshta gjërat do të shkonin më mirë në finale sikur të ishte i pranishëm në skuadër edhe qendra gjigante e Jutas, Mehmet Okur. Memo ka pasur punë me lojtarë si Odom, Durant, Igudala, e Çendller. Nuk do të mund të fitonte lojën por do të mund tu bënte ballë amerikanëve. Turqve u nevojitej më shumë përvojë nga NBA. Me Memon, Hedon, e Iljasovan në NBA, dhe tani me dy qendra të reja në NBA, Ëmer dhe Semih, ditë të mira e presin Turqinë në të ardhmen. Nën udhëheqjen e Tanjeviçit kjo skuadër mund të arrijë shumë. Disa basketbollist të vjetër si Kerem Gënlym (që nuk di çka ka lyp në këtë kampionat), e Tunçeri dalë nga dalë duhet të zëvëndësohen me të rinj.

Vija fundore e Turqisë duhet të rinohet, edhe pse Sinan dhe Arslan mund ta mbajnë këtë skuadër edhe për dy-tri vite tjera, por nuk është me perspektivë siç është qendra e trapezit.

Sidoqoftë Turqia ka të ardhme.

Sa i përket ndeshjes deri tek lëndimi i Turkollus, turqit arritën të mbaheshin mirë. Por, Durant me treshe në çerekun e parë, dhe kërcimet në sulm në çerekun e dytë, dhe gjatë gjithë lojës më pas ishin ato që bën amerikanët të dominojnë. Nuk është habi që ShBA të fitoj këtë kampionat. Kanë pasur një skuadër tepër të fortë të udhëhequr nga Durant.

Në fund pesëshja më e mirë do të ishte më e mira. Pos Durant lojë të shkëlqyera këto ditë kampionati ka pasur edhe argjentinasi Luis Skola. Ishte mëkat që ky lojtar nuk fitoi medale, por e kanë merituar një të tillë.

Ndoshta kampionatit i munguan yje si Brajant, Xhejms, Entoni, Novicki, Gasol, Kalderon, Gjinobili, Parker, Lavrinoviç,etj., por askush nuk i përmendi ata, pasi që kampionati ishte një kënaqësi edhe më këta basketbollistë të talentuar.

 

Luan Morina

Për Shqipmedia